Berisha: Biznesi turk të vijë të investojë

Tiranë, 19 shkurt, NOA - Kryeministri Sali
Berisha mori pjesë sot në Forumin Ndërkombëtar të Biznesit, i cili u organizua
nga Universiteti Epoka, në bashkëpunim me kolegjet turke. Kolegjet turke janë një histori suksesi në
Shqipëri dhe jam krenar që kam kontribuar në hapjen e tyre. Mësimdhënia,
disiplina dhe ambientet bashkëkohore, kanë bërë që reputacioni i tyre të jetë
tepër i lartë, theksoi Berisha në fjalën e rastit.
Më tej, pasi bëri një ekspoze të investimeve turke në Shqipëri, të cilat kanë
kapur shifrat e mbi 800 milion eurove, kryeministri i ftoi biznesmenët turq të
marrin pjesë në të tjera projekte, si në infrastrukturë, telekomunikacion, në
sistemin bankar dhe energjetikë.
Duke përmendur suksesin e firmës Enka dhe Bektel që ndërtuan aksin e rëndësishëm
rrugor Durrës-Kukës, Berisha përmendi faktin se dërtuesit turq janë të
mirëpritur dhe pala shqiptare është e vendosur që tu ofrojë koncensione dhe
punë publike të financuara nga buxheti i shtetit.
Sipas të dhënave zyrtare, investimet turke në
Shqipëri nga viti 2004 në vitin 2010 janë rritur me 100 përqind.
Nga ana e tij, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan
Prifti, ftoi biznesmenët turq të tregojnë interes për të investuar në Shqipëri.
n.e/NOA