Berisha: Blinken takoi vetëm përfaqësuesit e një partie. Me 20 shkurt ti presim biletën regjimit më të urryer

Kryetari i ‘Rithemelimit’ të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ndodhet në ‘arrest shtëpie’ u tha të enjten mbështetësve të tij se për herë të parë në një vizitë zyrtare, një Sekretar Shteti takon vetëm përfaqësues të një partie.
“Ai takoi Presidentin, Lali Vjedhësin, Edi Ramën, Altin Dumanin, Sokol Sadushin dhe me radhë”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij Berisha ka garantuar qeverinë e SHBA-së, presidentin e vendit, se PD, forca politike që përmbysi komunizmin, forca politike që u bë promotor kryesor i marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe SHBA dhe vendeve perëndimore, e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, “ka qenë dhe mbetet e vendosur gjithnjë për të vazhduar në këtë rrugë bashkëpunimi miqësie në kuadrin e NATO-s dhe në kuadrin bilateral”.
“Asgjë nuk lëkund qëndrimet tona, qëndrimi ynë pro- perëndimor buron nga vokacioni perëndimor i kombit shqiptar”, tha Berisha.
Sipas tij, asgjë nuk mund të shmangë, të pengojë rivendosjen e pluralizmin, votën e lirë, dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga “regjimi i narkomafies”.
Berisha ka përshëndetur edhe banorët e Himarës për protestat e tyre, duke i bërë thirrje edhe Komisionit Evropian që të reagojë për çështjen Beleri.
“I bëj thirrje Komisionit Evropian, të ndalet në një moment, sepse çështja Beleri është çështje e parimeve universale të të drejtave të njeriut. Prezumimi i pafajësisë, e drejta e shtetasve pavarësisht nga besimi fetar, pavarësisht nga raca, pavarësisht nga etnia, për t’u zgjedhur në vendin e tyre është një e drejtë universale që nuk mund të shkelmohet në asnjë vend që pretendon të ecë drejt Bashkimit Evropian”, tha Berisha.
Berisha deklaroi ndër të tjera se më shumë se kurrë “duhet të ngrihemi në 20 shkurt, t’i presim biletën regjimit më të urryer që shqiptarët kanë njohur pas diktaturës së Enver Hoxhës”.
/rtsh.al/