E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Blushit: Ku e ke teserën e PD? The se do ta merrje nëse unë ndërtoja tunelin!

ELBASAN- Pas Tiranës, Durrësit dhe Fierit, Partia Demokratike çeli sot fushatën elektorale në qarkun e Elbasanit.Edhe në Elbasan simpatizantët kanë kërkuar fitoren e PD ndërsa në kor brohorisnin, “O Sali, o flori votat tona i ke ti”. Nga ana e tyre kandidatët për deputetë kanë akuzuar opozitën, duke kërkuar para elbasanasve besim për mandatin e ri. 

Pas prezantimit të kandidatëve, të cilët do të kërkojnë një mandat të tretë qeverisës, gjatë fjalës së tij, kryeministri Sali Berisha sulmoi deputetin socialist Ben Blushi, për reagimin e tij skeptik ndaj vendimit të qeverisë për nderimin e tunelit të Krrabës.

“E kishit ju dje këtu ftorinon e autobusit, e kishit. Përshëndeteni zotin Blushi dhe pyeteni ku e ke teserën e PD? Pse, kur morëm vendimin për ndërtimin e tunelit, Ben Blushi deklaroi publikisht se nëse Berisha ndërton tunelin, unë do marr teserën e PD-së. Kurse tani as që guxon t’i afrohet, struket si fatorino në autobus me shefin e tij. Ata në autobus ne përfundojmë autostradën. Ata në autobus ne do ndërtojmë By-Passin, landfillin e Paprit”- deklaroi kryeministri. 

Shefi i qeverisë u ndal te bllokimi i procesit të integrimit të Shqipërisë, për shkak të mosvotimit të tri ligjeve me shumicë të cilësuar, duke thënë se opozita shkelmoi interesat dhe idealin e çdo shqiptari.

“Në tetor të viti të kaluar komisioni vendosi që të rekomandojë statusin për Shqipërinë, me kusht që të votoheshin 3 ligjet, për të cilat vetë KE kishte ndërmjetësuar, dakordësuar plotësisht për të votuar. Ligjet u përdorën për të shkelmuar aspiratën, interesin , idealin e çdo shqiptari për të parë Shqipërinë vend me status për anëtar në BE.”- u shpreh kryeministri.

Duke krahasuar dy alternativat që do të vihen përballë njëra-tjetrës në zgjedhjet e 23 qershorit, Berisha tha se Rama është në autobus, ndërsa maxhoranca do përfundojë projekte të mëdha.

“Alternativa tjetër është akuza, mohime, mashtrime. Motoja e tyre është ç’më duhet mua se çfarë them unë. Zoti Rama nuk e ka të rastit qëndrimin e tij ndaj integrimit. Vetëm një pyetje shtrojini vetës, si ka mundësi që ky zotëri, i vetmi në Europë bllokon vendin e tij. Çfarë bëri ai për vizat? A kishte krim dhe mëkat më të madh t’i bllokojë vizat një kombi që ka 25% të vajzave dhe djemve në emigracion, e bëri dhe s’pyeti fare. Çfarë bëri ai për NATO-n, organizoi mitingje me portretin e Enver Hoxhës”- u shpreh Berisha.

Ndërsa renditi premtimet e tij, bazuar në shtyllat e Aleancës së djathtë, për punësim, mirëqenie dhe integrim, kryeministri u zotua për krijimin e vendeve e të reja të punës, rritjen e pagave e pensioneve dhe u shpreh i vendosur për përmbushjen e të gjitha kushteve, në mënyrë që vendi të përfitojë edhe liberalizimin e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Së bashku më 23 qershor do firmosim për integrimin, jo vetëm për statusin, por dhe hapjen e negociatave. Do firmosim për të merituar me reforma liberalizimin e vizave me fuqinë më të madhe në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lëvizja jonë e lirë në hapësirat e vendit mik, është një ëndërr që do realizohet gjatë katër viteve që vijnë. Do bëjmë çdo reformë, çdo përpjekje”- u shpreh Berisha.

ARBEN IMAMI
Edhe kandidati Arben Imami teksa shprehu falënderimet për mbështetjen e sotme, akuzoi liderin e opozitës Rama për bllokimin e integrimit.
“Shumë faleminderit për mbështetjen e sotme, të jeni të sigurt që do bëjmë gjithçka për t’ju përfaqësuar më mirë. Dje Rama u fut në qoshe dhe ju në qoshe do ta vini më 23 qershor, ne kemi alternativën e mirë, të mbarë, të drejtë, e punësimit, zhvillimit, mirëqenies, integrimit, ata kanë alternativën e bllokimit dhe taksës të larta. Ne jemi integrimi, Edi Rama ishte kundër lëvizjes së lirë”, tha ai.

Sipas Imamit, PD është një alternativë e provuar tashmë nga qytetarët. “Do përfundojmë punën e nisur 4 vite më parë”.

“Rama bëri përpjekje për të vendosur taksë që ju të hynë në Tiranë. Kërcënon biznesin me taksa të lartë. Bashkë me Koçon e kanë privatizuar PS”, tha ai më tej.

ARDIAN TURKU
Në fjalën e tij, kandidati tjetër për deputet, Ardian Turku u shpreh se, “Unë jam pjesë e këtij një grupi dinjitoz dhe do përfaqësoj vlerat dhe qytetarinë elbasanase me tradita të hershme”.

Teksa premtoi punësim e mirëqenie për qytetarët e Elbasanit Tukrku u shpreh i bindur se ata do i japin besimin e tyre PD-së më 23 qershor.
“Të majtës i është bërë fobi tuneli dhe autostrada Tiranë-Elbasan. Ju siguroj se qytetarët i janë mirënjohës mazhorancës e Berishës. Jam i sigurt që kjo mirënjohje do shprehet me votë më 23 qershor”, tha ai.

EDUART ISLAMI
I pari kandidat që ju drejtua qytetarëve të Elbasanit ishte Eduart Selami, i cili premtoi se PD do të bëjë të mundur integrimin në BE, që sipas tij opozita e bllokoi për 3 vjet.

“Për mua është nder që kandidoj në Elbasan, entuziazmi juaj tregon besimin që keni tek PD. Besimi jo vetëm për atë që është bërë më parpara për të rrëzuar komunizmin, por edhe punën që është bërë në këto 8 vite. BE i ofroi Shqipërisë statusin por u bllokua për 3 vjet nga kreu i opozitës që të ruante vendin e tij në krye të partisë, t’i japim fund politikës destruktive, të përqafojmë të ardhmen evropiane. Ne besojmë në anëtarësimin e plotë në BE. Ne do e bëjmë anëtarësimin e plotë”, tha ai.

(er.nu/m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›