E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Buxheti rrit pagat e ulëta dhe pensionet

Kryeministri premton rritje pagash dhe pensionesh, por vetëm një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare 2009

TIRANË- Kryeministri Berisha është krenuar dje me buxhetin e vitit 2009, duke e cilësuar atë si një “buxhet kampion”. Duke bërë prezantimin e buxhetit në Kuvend, kryeministri e ka vlerësuar atë si më të madhin që është bërë nga çdo qeveri e mëparshme. Gjatë fjalës mbrojtëse në lidhje më të, ai deklaroi se ky është buxheti i të gjithë punonjësve me paga të ulëta. Sipas tij, buxheti i vitit 2009 dyfishon rrogat e ulëta, të cilat do të jenë më të mëdha, ose të krahasueshme me gjithë vendet e rajonit.

Një ndër pikat kryesore të buxhetit 2009 është edhe rritja e pagave. Duke qenë se jemi përpara një viti elektoral, kryeministri ka pranuar me shumë dëshirë “të hapë qesen”, duke premtuar rritje pagash për një numër të konsiderueshëm kategorish. Duke u ndalur në rritjen e pagave të arsimtarëve dhe infermierëve, ai deklaroi se do ta dyfishonte atë. "Më se 44 mijë arsimtarë dhe 12 mijë infermierë në të gjithë vendin, duke filluar që nga muaji maj i vitit të ardhshëm, do të përfitojnë një rrogë mesatare, respektivisht 46 mijë dhe 33 mijë lekë”, - konfirmoi Berisha. Edhe caktimi i muajit maj si limiti i rritjes së pagave, përkon në mënyrë pothuajse perfekte me zgjedhjet, pasi në atë kohë, buxhetorët marrin edhe rrogat e para me rritjen e re. Duke e konsideruar qeverinë e tij si qeveri e premtimeve të mbajtura, ai shtoi se buxheti për vitin 2009 do të ndryshojë për mirë rrjedhën e 800 mijë familjeve shqiptare. Sipas tij, buxheti i vitit tjetër dyfishon rrogat e ulëta, të cilat do të jenë më të mëdha, ose të krahasueshme me gjithë vendet e rajonit. “Gjatë këtyre viteve është zvogëluar hendeku midis pagave të ulëta dhe të larta, nga 11 në 6 herë”,- tha ai, duke shtuar se do të ketë edhe shpërblime për “Vitin e Ri”. Për sa i përket pensioneve, Berisha deklaroi se më se 520 mijë pensionistë do të marrin një pension 50 për qind më shumë gjatë vitit 2009. Në paralelizëm me këtë, Berisha përmendi edhe mbajtjen e premtimit për rritjen me 100 për qind të pensioneve në fshat dhe me 50 për qind të atyre në qytet.

Me deklaratën e tij se do të mbillte më se 20 milionë rrënjë ullinj, Berisha shkaktoi të qeshura të mëdha në sallë. Pothuajse të gjithë deputetët e të gjitha forcave, kanë qeshur më shprehjet se “ulliri shqiptar është më i shijshmi në rajon”. “Njëri nga projektet më të mëdha të mia është ta bëj Shqipërinë ullishtën më të bukur të Mesdheut. Jam i vendosur që në një projekt të madh, të vesh shpatullat e maleve nga Shkodra në Ksamil plot me ullinj, që Shqipëria të kthehet në një nga prodhuesit më të rëndësishëm të ullirit në BE”, - tha Berisha.

--------------------------------------------------------Bode: Kemi marrë parasysh krizën globale

TIRANË- Ministri i Financave, Ritvan Bode, pohoi dje gjatë prezantimit të buxhetit se të ardhurat për vitin 2009 janë parashikuar në 333 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet llogariten 383 miliardë lekë rritje në total të tyre. Ministri Bode, duke u ndalur në reformat e parashikuara për vitin 2009, tha se arsimi dhe shëndetësia do të jenë dy sektorët kryesorë, tek të cilët do të përqendrohet edhe vëmendja. "Dy reforma thelbësore që do të fillojnë në vitin 2009, janë ato në shëndetësi dhe arsim, të cilat lidhen me kalimin e fondeve nën administrimin e Institutit të Kujdesit Shëndetësor, për sa i përket sektorit shëndetësor dhe Universiteteve, për sa i takon sektorit të arsimit", - tha Bode. Pika të prekura nga Bode janë investimet në infrastrukturë edhe paratë për universitetet. Sipas tij, ky buxhet është hartuar duke marrë parasysh edhe krizën financiare botërore dhe zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm. -----------------------------------------------------------------------Projekt-buxheti, Berisha e Bode braktisin diskutimet

TIRANË- Kryeministri, Sali Berisha, ka thyer çdo rekord dje në Kuvend, teksa ka folur për projektbuxhetin e vitit 2009. Madje, në gjysmë të fjalës së tij, Berisha ka hequr edhe xhaketën. Zelli i tij ishte tepër i madh për të folur për projektin më të rëndësishëm të qeverisë së tij, plot 2 orë e gjysmë. Por, gjithçka është shuar më pas. Pas mbarimit të fjalës, Berisha nuk ka qenë i interesuar të dëgjojë kritikat e deputetëve të opozitës, të cilët e kanë kundërshtuar buxhetin, pa praninë e tij. Madje, deputetët e PS-së, pak janë orientuar se kujt duhet t’i drejtoheshin për atë çka ata po flisnin, sepse edhe njeriu kryesor i hartimit të këtij drafti, Ministri i Financave, Ridvan Bode, është larguar pak minuta pas Berishës. Pa folur ende mirë, Bode ka nxituar që të dalë nga salla, duke mos qenë edhe ai i pranishëm gjatë diskutimit të projekt-buxhetit, të përgatitur nga dikasteri që ai drejton për vitin 2009. Kjo ka sjellë edhe reagimin e kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e cila ka kërkuar që kryeministri Berisha, ashtu si edhe Ministri i Financave, të jenë prezent gjatë diskutimit të projekt-buxhetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›