Braun, shërbimet britanike fshehën pedofilinë
Shërbimet angleze kishin informacion 18 muaj para arrestimit të Braun. Dështuan në parandalimin e pedofilisë
Policët kanë ndihmuar në fshehjen e abuzimeve horror të anglezit David Braun në Shqipëri. Kështu shkruante dje gazeta britanike “The Guardian”, pas një investigimi të gazetarit Paul Lewis. Kjo e përditshme prestigjoze ka publikuar shkrimin kritik mbi sjelljen e shërbimeve sekrete britanike, që dinin gjithçka për “misionarët kristianë” në Shqipëri, por që nuk e ndihmuan policinë shqiptare të zbulonte këtë krim dhe për tej gjykatën ta dënonte atë. Sipas gazetarit Paul Lewis, që ka zbuluar këtë skandal mësohet se “Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës kundër Krimit në Britani, i njohur si "National Criminal Intelligence Service"(NCIS), që 18 muaj përpara se David Braun të arrestohej kishte informacion se çfarë ndodhte brenda qendrës "Fëmijët e Tij". Ky shërbim dështoi në kalimin e informacionit për policinë shqiptare."The Guardian" shkruan se David Braun, gjatë një bisede me agjentë të NCIS u tregoi atyre se si disa prej fëmijëve ishin abuzuar dhe se ai kurrë nuk ishte përzier në ngacmimin seksual të tyre. Gjatë këtij takimi, Braun i cili u dënua me 20 vite burg nga drejtësia shqiptare ka akuzuar Dino Cristodolun, si personin i cili kishte kryer abuzimet, ndërkohë nuk ka përmenduar asnjë fjalë për Robin Arnold, duke u shprehur se nuk kishte dijeni nëse edhe Arnold ishte i përfshirë. Si për të mos mjaftuar ky sinjalizim se çfarë po ndodhtenë të ashtuquajturën qendër bamirësie, "Fëmijët e Tij", policia britanike nuk ka reaguar edhe atëherë kur është zbuluar se Robin Arnold, në vitet ‘80 ishte përfshirë në ngacmimin e dy djemve."Nuk pati asnjë përpjekje nga policia britanike për të shpëtuar fëmijët romë në jetimore, ku David Braun flinte me këta fëmijë që jetonin atje" -shkruan "The Guardian", duke akuzuar direkt autoritetet britanike që dështuan në njoftimin e policisë shqiptare. Nga ana tjetër, dënimi i djeshëm i David Braun ka gjetur jehonë në të gjitha mediat e shkruara dhe televizionet britanike. Në shkrimet apo raportet televizive komentohen fjalët e gjyqtarit Gerti Hoxha, i cila gjatë leximit të pretencës u shpreh se fondacioni "Fëmijët e Tij" ishte një kamuflazh për pedofili dhe se kjo masë dënimi do të dërgojë sinjale të qarta për të ndaluar të tjerë pedofilë së menduari se Shqiperia është parajsë ku mund të abuzohet me fëmijët.