E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të miturit në burg: Duam të vazhdojmë shkollën

Të miturit e paraburgosur i bëjnë apel shtetit për t’u mundësuar vazhdimin e shkollës

TIRANË- E shkuara e tyre ka qenë e errët, por të ardhmen, të miturit e paraburgosur duan ta lidhin me shkollën. Apeli i tyre, drejtuar strukturave shtetërore është një mundësi tjetër për t’u arsimuar, por deri më sot, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim. “Ka raste që shumë prej nesh kanë dy vjet, por edhe më shumë që vazhdojnë të vuajnë dënimin këtu. Na kanë penalizuar totalisht për vazhdimin e shkollës”,-pohoi njëri prej të miturve që vuan dënimin e tij në paraburgimin 313, gjatë një aktiviteti që u zhvillua gjatë ditës së djeshme.Lidhur me këtë problem, drejtori i paraburgimit 313, Saimir Mulgeci, është shprehur për “Shekullin” se për këta të mitur nuk ka një shkollë të mirëfilltë, por atyre u mundësohen programe të specifikuara nga stafi i kujdesit social dhe psikologët, që punojnë aktualisht me të miturit në paraburgimin 313. Megjithatë, të miturit janë shprehur se u mungon një program i mirëfilltë shkollimi dhe e vetmja gjë që bëjnë, janë kurset e kompjuterit dhe aktivitetet sportive. Kjo nuk u mundëson atyre një formim të mirëfilltë shkollor si gjithë fëmijët e tjerë, duke lënë peng arsimimin e tyre. Vazhdimi i shkollës mbetet ende një vakuum në sistemin e burgjeve shqiptare, duke mos i dhënë ende një zgjidhje konkrete këtij problemi mjaft shqetësues për shoqërinë tonë.Në kuadrin e aktivitetit të iniciuar nga “Komiteti Shqiptar i Helsinkit” dhe qëndra “Fëmijët Sot” në Paraburgimin “Jordan Misja”, këto shoqata u dhanë mundësinë të miturve të shprehin të drejtat që do të dëshironin të posedonin në ambientet e vuajtjes së dënimit. E drejta për t’u arsimuar ishte kërkesa kryesore e pjesës dërrmuese së të miturve, të cilët ka raste që qëndrojnë shumë gjatë në burg. Një fakt mjaft shqetësues ishin edhe pretendimet që këta të mitur shfaqnin ndaj gjykatave, duke i akuzuar ato për zvarritje të tejzgjatura të proceseve gjyqësore, fakt ky i pretenduar pak ditë më parë edhe nga të dënuarit e Shënkollit. Aktiviteti i organizuar në ditën ndërkombëtare të fëmijëve kishte si qëllim sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e të miturve për të drejtat që atyre u takojnë dhe që duhet t’i kërkojnë me çdo kusht. Në këtë aktivitet, fjalën e hapjes e mbajti zëvendësdrejtori i paraburgimit 313, Albert Roshi, i cili theksoi se “ky aktivitet përbën një nismë të mirë për njohjen e të drejtave të të miturve në institucionet e paraburgimit por edhe në zbatimin e tyre”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›