Berisha: Cervenkovski, modeli që duhet të ndjekë Rama për të bërë opozitë
(E PERDITESUAR)- Pasi ka ardhur nga vizita e tij në Maqedoni, Berisha ka zhvilluar mbledhjen e qeverisë, ku ka folur gjatë për këtë vizitë dhe kë ka takuar atje. Duke folur për vizitën e tij, Berisha ka thënë se u takua edhe me kreun e opozitës, Cervenkovski, i cili, sipas Berishës, duhet të jetë shembull edhe për kreun e opozitës në Shqipëri. Kjo, duke qenë se, sipas Berishës, ai ka mbështetur qeverinë maqedonase në rrugën e saj. Edhe pse, në fakt Berisha ka harruar faktin se Cervenkovski ka bërë një luftë të gjatë për zgjedhje të parakohshme dhe ja arriti kësaj gjëje, pavarësisht se humbi sërish.
Pata një takim me ish Presidentin dhe kryetarin e LSDM-se, z. Branko Crvenkovski. Me të diskutuam për zhvillimet në të dy vendet. Më njohu me vendosmërinë e tij për të mbështetur procesin e integrimit të vendit të tij në NATO, për të votuar opsionin e qeverisë për zgjidhjen e problemit të emrit dhe zhbllokuar procesin e anëtarësimit në NATO. Tek bisedoja me të mendja më shkonte se si tia bëjmë kryetarit të socialistëve shqiptarë që të marrë një kurs prej tij. Ua thashë dhe atyre të tjerëve, se si nuk mund të bllokohet, nuk mund të përdoret pushteti, pavarësisht nga kundërshtitë që ke me rivalin tënd në pushtet. Nuk mundet kurrë ta përdorësh pushtetin për të ndëshkuar qytetarët e tu. Nuk mundet kurrë të viktimizosh fëmijët, burrat, gratë e këtij vendi se humbet vetë, se të kap sindromi obsesiv i kurbani dhe do të kurbanizosh interesat më jetike të fëmijëve të këtij vendi, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka folur edhe për 100 vjetorin e pavarësisë, duke thënë se duhet të nisë puna për ndërtimin e stadiumit të ri dhe të parlamentit.
Duhet të hapet menjëherë konkursi për monumentin e pavarësisë në 100 vjetorin e saj. Qeveria do të mobilizojë të gjitha burimet që ai të përfundojë më 28 nëntor. Është vendosur që në këtë kuadër të nisë ndërtimi i parlamentit dhe i stadiumit, dy projekte këto për të cilat qeveria qëndron plotësisht dhe, natyrisht, brenda të gjitha procedurave ligjore më solide. Vepra më e madhe e këtij 4 vjeçari, tuneli Tiranë Elbasan është një tjetër monument, dëshmi e Shqipërisë 100 vjeçare. Të gjitha projektet dixhitale, Shqipëria dixhitale duhet të jetë Shqipëria 100 vjeçare. I gjithë projekti duhet të fillojë nga data 28 nëntor e këtij viti dhe ka parashikimin e vetë në buxhetin e shtetit. Një Komision, i cili kryesohet nga kryetari i Këshillit të Ministrave, përfshihen disa ministra, drejtues të institucioneve, Akademisë së Shkencave, Arkivit të Shtetit, janë të ftuar qeveritarë të Kosovës, qeveritarë shqiptarë të Maqedonisë, Malit të Zi, organizatat atdhetare e politike të diasporës, Vatra, Këshilli Shqiptaro-Amerikan, arbëreshët që u bën djep si djep i rilindjes sonë, shqiptarët me banim në vende të tjera, arvanitasit që aq shumë luftuan për pavarësinë e Greqisë dhe të Shqipërisë, tha Berisha.
Berisha është ndalur në një moment edhe tek mbreti i parë shqiptar, duke thënë se historia nuk e ka trajtuar si duhet. Sipas Berishës, mbreti Zog duhet të nderohet nga ana e shqiptarëve. 100 vjetori është një përvjetor në të cilin në duhet të nderojmë burrat e shquar të kombit që me veprën e tyre, me vizionin e tyre, me luftën e tyre, themeluan shtetin e ri shqiptar. Të nderojmë rilindasit, pa të cilët nuk do mund të ishim bërë të pavarur, tribunët e lirisë, udhëheqësit e kryengritjeve të mëdha, të gjithë ata që luftuan dhe ranë për Shqipërinë dhe trojet shqiptare. Duhet të nderojmë Mbretin e parë të shqiptarëve, i cili bëri të mundur që pavarësia të shndërrohet në një realitet, të konsolidohet. Themelet e shtetit që u hodhën në Vlorë u konsoliduan gjatë Mbretërisë së Zogut I. Në të gjithë kompleksitetin e historisë është domosdoshme të dalin të vërtetat historike. Kjo jo për të vendosur në hije një palë dhe nxjerrë në dritë një palë tjetër. Në asnjë rrethanë. Ata, të cilët bën të mundur pavarësinë e Shqipërisë kanë meritën e themeluesve të saj, të themeluesve të shtetit. Natyrisht, duhet të vlerësohen me objektivitet historik në të gjithë kompleksitetin e tyre. Mënyra më e papranueshme do të ishte njëanshmëria e vështrimit dhe vlerësimit të këtyre figurave, pasi ky është, për fat të keq, shablloni i totalitarizmit, i diktaturës me të cilën ato u konsideruan, tha Berisha.
