Këshilli Bashkiak miraton vendimet për xhaminë, sheshin Skënderbej dhe planin urbanistik
Këshilli bashkiak ka arritur të marrë një vendim unanim, atë për ngritjen e xhamisë së madhe në Tiranë. Vendimi për ngritjen e komisionit që do hartojë planin për xhaminë e madhe ka marrë 55 vota. Ndërkohë, vetëm me votat e mazhorancës ka kaluar vendimi për ndryshimin e punimeve në Sheshin Skënderbej, edhe pse këto punime janë drejt përfundimit. Basha ka thënë se fatura e ndërhyrjeve në shesh është rreth 2.6 milion euro.
Në një tjetër zhvillim, këshilli bashkiak vendosi të miratojë nisjen e punës për hartimin e Planit Urbanistik për Tiranën, edhe pse një i tillë ka kohë që ndodhet në zyrën e Berishës.
Duke iu drejtuar këshilltarëve të opozitës Basha tha se, Në këtë Plan Urbanistik ju do të keni të drejtë të thoni atë që mendoni dhe të qytetarëve që përfaqësoni. Në përfundim të procesit do të keni të gjithë mundësinë të shprehni mendimin tuaj, nëse ka grupe që janë mënjanuar, apo të çdo shtrese të qytetarëve të Tiranës, ju kërkoj të jeni pjesë e procesit. Interesat e qytetarëve të Tiranës duhet të na bashkojnë.
Më tej kryetari i grupit të Këshilltarëve socialist Aldrin Dalipi tha se, Plani Urbanistik i bërë nga një studio zvicerane prej 2 vitesh ndodhet në zyrën e Kryeministrit Berisha, me vlerë 2 milionë euro.
Ai theksoi se këshilltarët socialist nuk mund të bëhen pjesë e këtij plani sepse zëri i qytetarëve dëgjohet duke pasur transparencë për fondet që janë hedhur dhe qytetarët duhet të dinë më mirë për to.
Ne nuk kemi përgjegjshmërinë që të shkelim me këmbë fondet e donatorëve të cilët për publikun duhet të jenë transparente dhe që mund të çojnë në akte korruptive. Vota jonë si këshilltarë të opozitës do të jetë kundër, u shpreh Dalipi.