Barroso: Pa integrimin e Ballkanit, nuk mund të quhet i mbyllur procesi i ribashkimit të Evropës
Përfundoi punimet Konferenca për Ballkanin Perëndimor dhe integrimin e tij në BE që u zhvillua në Bruksel. Deputetët e Parlamentit Evropian nënvizuan se pa integrimin e vendeve të Ballkanit në BE nuk do të mund të konsiderohet i përmbyllur procesi i ribashkimit të Evropës. Kryetari i Komisionit Evropian Jose Manuel Durao Barroso vuri në dukje se BE-ja ka në strategjinë e saj të zgjerimit disa hapa për të afruar qyterarët e rajonit të Ballkanit me vendet e BE-së. Kjo, sipas Barrosos, do të bëhet përmes nxitjes së kontakteve në mes të qytetarëve dhe liberalizimit të vizave. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë Konferencë Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli paralajmëroi se Shqipëria së shpejti do të bëj aplikimin për anëtarësim në BE. Gjithashtu ajo përmendi synimet e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian deri në fund të gjysmës së parë të dhjetëvjeçarit të ardhshëm. Topalli përshëndeti faktin se 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së tashmë e kanë bërë ratifikimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe uroi që Greqia ta bëj këtë së shpejti dhe të mos mbetet e fundit. Pjesmarrës ishin edhe kryetarët e Parlamenteve nga rajoni i Ballkanit, deputetë të Parlamentit Evropian dhe nga parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të BE-së.