E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dekorata më e bukur e këtij përvjetori, Skënderbeu mbrojti vokacionin perëndimor të shqiptarëve

23-11-2012 / Gazeta 55

Pas 400 vitesh, armët e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dalin për herë të parë nga Austria dhe ekspozohen për publikun mbarëshqiptar në Muzeun Historik Kombëtar. Emocion i madh tek publiku i përzgjedhur që i vizitoi ato në ditën e parë të ekspozimit

Pas mbërritjes në Shqipëri nga Austria, për herë të parë pas 500 vjetësh, armët e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu u ekspozuan dje në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozimi i tyre nisi në një ceremoni të posaçme ku ishin të pranishëm personalitete të lartë të vendit si kryeministri Sali Berisha, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi si dhe përfaqësues të fushave të ndryshme. Gjithashtu, në këtë ceremoni morën pjesë zëvendëskancelari i Austrisë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Michael Spindelegger si dhe Ministrja e Kulturës dhe Arsimit në Austri, Claudia Schmied.
Zëvendëskancelari austriak, Spindelegger tha se kjo është një ditë e shënuar për Austrinë dhe Shqipërinë, që tregon miqësinë mes kombeve tanë. “Kjo ekspozitë është një fillim i mirë i bashkëpunimeve të mëtejshme në fushën e kulturës”, tha Spindelegger.
Ekspozitën “Armët e Skënderbeut në Shqipëri” e përshëndeti edhe Ministrja e Kulturës dhe Arsimit në Austri, Claudia Schmied, e cila tha se lidhjet miqësore të hershme mes dy kombeve do të thellohen edhe më tej. “Armët e ekspozuara në Muzeun e Kulturës në Vjenë janë objektet më të shquara që sot janë të lidhura me Skënderbeun. Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut përmenden për herë të parë në shekullin e XVI, në inventarin e arqidukës së Tirolit, Ferdinandit, koleksionist i armëve”, tha ministrja Schmied.
Për kryeministrin Sali Berisha, ardhja e armëve të Skënderbeut në këtë 100 vjetor të Pavarësisë është dekorata më e bukur.
“Sot në këtë orë, në këtë moment, sytë, mendjet, zemrat e mbarë shqiptarëve në trojet e tyre etnike, e shqiptarëve në mbarë botën, janë të drejtuara në këtë muze dhe përjetojnë me emocionin më të madh rikthimin pas shekujsh në dheun e vet të armëve të Skënderbeut, prijësit të përjetshëm të kombit shqiptar, ndaj dhe mirënjohja ime dhe falënderimi im dhe i mbarë shqiptarëve nuk mund të shprehet sot me fjalë”, tha Berisha. Kreu i qeverisë deklaroi se shqiptarët si komb, identitetin e tyre në dallim me kombet e tjera, e kanë të bazuar para së gjithash në gjuhën dhe historinë e tyre.
Në këtë drejtim, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se në të gjitha përpjekjet dhe luftërat e tij, Skënderbeu mbrojti vokacionin perëndimor të kombit shqiptarë.
“Shqiptarët ndajnë besime të ndryshme, ata besojnë e respektojnë Krishtin dhe Muhametin, por bashkohen që të gjithë tek Zoti dhe Skënderbeu. Në besimin e tyre ata janë një, respektojnë besimin e njëri-tjetrin dhe janë të bashkuar tek i gjithëfuqishmi dhe prijësi i përjetshëm i tyre, Skënderbeu. Armët që sollët ju këtu janë guximi, burrëria, kurajo e dhjetëra e mijëra shqiptarëve që në shekuj ranë për liri e dinjitet, ranë për të qenë të pavdekshëm në beteja të pabarabarta, por që frymëzimi i prijësit u jepte atyre guxim e vetëmohim, i ngrinte ata në këmbë pas çdo disfate dhe i solli sot të lirë në këtë 100 vjetor të pavarësisë së tyre. Skënderbeu, nuk është vetëm frymëzimi kryesor i guximit, trimërisë së tyre, por ai është vizionari i madh i vokacionit të tyre perëndimor. Në të gjitha betejat e tij, Skënderbeu mbrojti vokacionin perëndimor të kombit shqiptar”, theksoi Berisha.
Ndërsa ministri i Kulturës Aldo Bumçi ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm ekspozimin e shpatës e përkrenares së heroit tonë kombëtar Skënderbeu. Ai ka shprehur mirënjohje edhe qeverisë austriake e cila sipas tij është edhe një nga kontribueset e mëdha për pavarësinë e Shqipërisë. Ndërkaq, edhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi ka shprehur mirënjohjen për shtetin austriak që bëri të mundur ardhjen e armëve të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu në Shqipëri.
Arma dhe mburoja e heroit tonë kombëtar do të qëndrojnë të ekspozuara për 1 muaj e gjysmë në Pavijonin e Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›