E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ideja fituese e një Europe të integruar

23-11-2012 / Nga Ilirian Dahri

Parë nga klasifikimi i fundit i një prej gazetave më prestigjioze të financës, duket se dy shtetet fqinje të Shqipërisë, dy shtete anëtare të Bashkimit Europian si Italia dhe Greqia  e kanë kaluar krizën ekonomike ndërsa një vend si Spanja është në krizë të thellë ekonomike. Vende si Belgjika, Portugalia, Holanda, Republika Çeke  dhe Danimarka notojnë në mesin e artë po gjithmonë sipas kësaj liste. Sidoqoftë në kushtet e një hutimi të përgjithshëm në botën financiare dhe ndoshta pikërisht sepse situata nuk është nga më të mirat edhe kjo lloj liste luan një rol të madh sepse pasqyron punën e qeverive të vendeve të ndryshme. Në këtë mënyrë është zgjedhur edhe ministri më i mirë i financave të vendeve europiane.  Në fakt kjo është bërë publike në faqet e “Financial Times”. Tre të parët janë përzgjedhur ndërkaq dhe në vendin e tretë ndodhet ministri i Polonisë, Jacek Rostovski, një vend më lart tij ndodhet ministri i ri suedez, Anders Borg ndërsa në vendin e parë gjermani Wolfgang Shauble. Natyrisht kjo listë e Financial Times pasqyron punën e kryer nga qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe veçanërisht atë të ministrive të financave. Fiton Shauble sepse në të vërtetë një vend si Gjermania nuk është prekur nga kriza madje ka dhënë gjithmonë sugjerimet dhe  idetë e saj të qarta për daljen tërësisht prej saj. Ministri italian Vitorio Grilli është renditur në vendin e  tetë dhe për  italianët kjo gjithsesi duhet të konsiderohet si një fitore për faktin se vetëm një vit më parë ministri Xhulio Tremonti mbante vendin e parafundit duke patur pas tij në vendin e fundit vetëm ministrin grek Venizelos. Janë kapërcyer njëherazi dhjetë vende nga italianët dhe kjo nuk është pak sepse në vendin fqinj të Italisë nuk kanë munguar reformat e mëdha.  Vetë gazeta britanike tashmë prej shtatë vjetësh harton këtë listë klasifikimi duke marrë informacione nga më të mundshmet dhe nga më të hollësishmet prej 19 ekonomive më të mëdha të kontinentit të vjetër. Një punë e hollësishme e përqendruar në zhdërvjelltësinë politike, në performancën ekonomike dhe në besueshmërinë që kanë  tregjet. Zakonisht janë promovuar ata ministra, dhe ekonomitë e atyre vendeve që kanë prodhuar një rritje të ekuilibruar, me një financë publike të fortë dhe që janë vlerësuar si në politikën e brendshme po aq dhe në atë ndërkombëtare. “Italia është vendi që është ngjitur më tepër, duke reflektuar vlerësimin e analistëve mbi rolin e Vittorio Grillos për të evituar që vendi i tij të jetë viktima e radhës e borxhit të eurozonës, megjithëse ushtron detyrën si ministër që prej korrikut. E renditur në vendin e tetëmbëdhjetë vitin e kaluar, Italia është ngjitur me 10 vende” – shkruhet në faqet e gazetës. Fituesi i listës së Financial Times është një prej liderëve më jetëgjatë të Kontinentit. “Wolfgang Shauble – shkruan më tej gazeta ekonomike - financiare londineze -  ka mbijetuar duke qëndruar madje në majë të sistemit politik gjerman prej afro tridhjetë vjetësh dhe viti 2012 mund të jetë për të një prej viteve më të mira”. “Më shumë se kushdo ministër tjetër  financash, Shauble ka kërkuar një vision për një Europë më të integruar” - ka deklaruar Erik Nielsen, anëtar i jurisë të ekspertëve dhe kreu i ekonomistëve Unikredit. Por kontributi i ministrit gjerman për zgjidhjen e krizës nuk është pëlqyer nga të gjithë. Nëse ekonomia gjermane ka rezistuar, duke reaguar për stabilitetin  e kontinentit, nga ana tjetër sjellja e Berlinit për shtrëngime të bilancit dhe për të shpëtuar kapitalet më të dobët ka dhënë ndërkaq alarmin për politikanët dhe ekonomistët e vendeve të tjera. Në këtë mënyrë sipas këtij klasifikimi vende si Gjermania e Shauble, Suedia e Anders Borg, Polonia e Rostoeski-t, Irlanda e Noonan kanë ministrat më të mirë të financave të vendeve europiane. Kazimir, Vanakere, Gaspar, Kalousek, De Jager, Korydon mbajnë vendet e tyre në mesin e artë dhe në fakt vende si Sllovakia, Belgjika, Portugalia, Republika Çeke, Hollanda dhe Danimarka nuk kanë shfaqur probleme të shumta në panoramën europiane. Në gjashtë vendet e fundit renditen shtete si Austria e ministrit Fekter, Mbretëria e Bashkuar e Osborne, Franca e Moskovicit dhe në fund Spanja e Luis De Guindos.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›