Berisha: Demokratët me votën e tyre mposhtën narko-mafian

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, reagoi sot pas procesit të zgjedhjes së kryetarit, duke e cilësuat votimin si një “fitore të demokratëve ndaj narko-mafias më të rrezikshme në Europë”.
Berisha u shpreh se zgjedhja e drejtuesit në PD zhvillohet mbi bazën e demokracisë direkte, me parimin “një anëtar, një votë”.
“Zgjedhja e kryetarëve të partive padyshim është një lajm dhe një ngjarje e rëndësishme, sipas peshës që ato kanë në jetën e vendit. Procedurat e zgjedhjes së kryetarëve variojnë: disa zgjidhen me aklamacion, domethënë me duartrokitjen e delegatëve të kuvendit të pranishëm në sallë, kur paraqitet për miratim emri i kryetarit të partisë. Të tjerë e zgjedhin atë në kuvendin e partisë me votim të fshehtë, me një apo disa kandidatura, dhe këta janë shumica. Ndërsa të tjerë (dhe këta janë pakica) kryetarin e partisë e zgjedhin bazuar në demokracinë direkte, domethënë me votën e të gjithë anëtarësisë – pra, “një anëtar, një votë” – dhe me një apo disa kandidatura. Kjo formë e fundit referendare ende është në pakicë në Europë dhe në botë. Por demokracia direkte apo referendare konsiderohet procedura më demokratike, ndaj dhe është në rritje. Kjo është e vërtetë kudo në botë, por jo në diktatura.
“Partia Demokratike i zgjedh drejtuesit bazuar në demokracinë direkte dhe voton me parimin “një anëtar, një votë” në çdo proces zgjedhor”, tha Berisha.
Sipas Berishës, gjatë muajve të fundit është zhvilluar një “fushatë sulmesh” ndaj PD-së dhe procesit të saj zgjedhor, ndërsa shtoi se opozita përbën “tmerr” për atë që ai e quan “narkomafia shtetërore”.
Në reagimin e tij, Berisha tha se vota e rreth 40 mijë anëtarëve të PD-së përbën “triumf të dinjitetit” dhe një mesazh kundër qeverisë.
“Vota e rreth 40 mijë demokratëve dje ishte një tmerr dhe ferr i vërtetë; ishte dështim dhe turpërim publik (por ata turp nuk kanë) i tyre. Kurse për shqiptarët, ajo ishte vota e triumfit të dinjitetit të tyre mbi mafian më të rrezikshme të Europës” tha Berisha.
/a.f/