E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Detyrim ti japim siguri opozitës

Kryeministri nga Berlini: Do të bëjmë çdo gjë. Por asgjë konkrete për kutitë

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka deklaruar dje nga Gjermania, se qeveria është e gatshme që të bëjë çdo gjë që t’i japë siguri opozitës për të marrë pjesë në procesin politik në vend. Gjatë një takimi ndërkombëtar për sigurinë globale, që është mbajtur në Berlin dhe është organizuar nga disa organizata e kompani shumë të rëndësishme që bashkëpunojnë me NATO-n në lidhje me sigurinë, kreu i qeverisë shqiptare është shprehur i gatshëm që Shqipëria të plotësojë të gjitha kërkesat e Aleancës së Atlantikut të Veriut për rritjen e standardeve demokratike në vend. Kryeministri Berisha, edhe pse nuk ka folur hapur për çështje konkrete si kompromisi me opozitën për çështjen e kutive, ka thënë një frazë që padyshim do të komentohet ditët që vijojnë. “Unë jam shumë i bindur se si qeveri duhet të bëjmë çdo gjë që t’i japim sigurinë më të mirë opozitës. Ky është një detyrim moral dhe ne do ta bëjmë”, deklaroi kreu i mazhorancës, i cili ka përsëritur megjithatë se zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë të rregullta. Duke folur për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Kryeministri theksoi se qeveria bëri më të mirën për një proces të lirë dhe të ndershëm. “Këto zgjedhje ishin unike në historinë e vendit tim. Ato u mbajtën në një situatë totalisht të ndryshme, me një teknologji totalisht të re, lista votuesish dixhitale, pasaporta biometrike dixhitale e karta identiteti. Unë vendosa të pranoj çdo propozim të opozitës dhe kisha të drejtë. Pyetjeve të bashkëpunëtorëve të mi, unë iu përgjigja se detyra e qeverisë sime është t’i jap siguri të plotë opozitës. Kështu, ne futëm një ligj plotësisht konsensual, rregulla dhe instruksione në këto zgjedhje dhe të drejtën e vetos, për çdo komisioner, çdo observues. Unë jam shumë i bindur se si qeveri duhet të bëjmë çdo gjë që t’i japim sigurinë më të mirë opozitës. Ky është një detyrim moral dhe ne do ta bëjmë”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare. Fjala e Kryeministrit është bërë e ditur për mediat nga zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave. Në mes rreshtave, në këtë komunikatë bëhet e ditur se Berisha është zotuar se do të përmbushë të gjitha kërkesat e NATO-s. Vetëm një muaj më parë qeveria është përplasur me krerët e Aleancës së Atlantikut të Veriut për ligjin mbi shërbimin sekret shqiptar, i cili është hequr nga diskutimi në Kuvend, vetëm nga një telefonatë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe kreut të qeverisë shqiptare, Sali Berisha. Siç thekson zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave, në takimin e Berlinit, ku kanë marrë pjesë personalitete të rëndësishme të politikbërjes të Europës dhe SHBA-së, Berisha ka deklaruar se “Qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo përpjekje, për të përmbushur kërkesat e NATO-s. Unë jam thellësisht i bindur se mënyra sesi NATO zgjeroi rolin e saj në misionet e lirisë, do të jetë një drejtim për të ardhmen e saj gjithmonë e më shumë globale”.

Kryeministri Sali Berisha ishte dje folësi kryesor në panelin e darkës, të takimit të 27-të ndërkombëtar mbi sigurinë globale, në Berlin, Gjermani. Për këtë vit, ky takim trajton temën “Siguria globale, sfidat në rritje” dhe u organizua nga Qendra për Studime Strategjike dhe mbështetet nga Ministria gjermane e Mbrojtjes, nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes, Universiteti i Tennesse, si dhe nga kompani të mëdha si Microsoft, CISCO, Lockheed Martin etj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›