E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinikat private, nesër nisin kontrollet e imtësishme

Grup i posaçëm për inspektimin e kushteve profesionale që zbatohen, si dhe kapaciteteve mjekësore

Ministria e Shëndetësisë vendos ngritjen e një Task Force, me qëllim kontrollin e veprimtarisë të shërbimeve shëndetësore publike në tërësi dhe në mënyrë të veçantë atyre private. Task Force do të fillojë funksionin të hënën.

Në përbërje do të ketë autoritetet më të larta politikëbërëse, drejtues dhe specialistë të nivelit të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, emra të njohur me autoritet shkencor pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, specialistë të njohur në profesionin e tyre nga spitalet rajonale të vendit, përfaqësues të autoritetit rajonal të Tiranës.

“çdo qytetar shqiptar në çdo klinikë që ka vulën e garancisë së shtetit duhet të jetë i qetë dhe të marrë shërbimin që ai pret. Ky është dhe qëllimi ynë. Në këtë mënyrë kemi unifikim të standardit, si në shërbimin shëndetësor dhe atë privat. Nuk kemi asnjë palë të privilegjuar, por bashkëpunim reciprok dhe drejtësi ligjore për të tërë. Deri më sot është bërë shumë punë, por një kontroll i kësaj natyre në terren i ka munguar shërbimit shëndetësor. Raste dhe ngjarje të herëpashershme të vëzhguara e bëjnë këtë nismë domosdoshmëri”, theksoi Vasili.

Standardi

“Në të gjithë territorin e vendit duhet të ketë një standard të shërbimit shëndetësor. Në vendin tonë tashmë funksionojnë spitale private, qendra shëndetësore, klinika diagnostike dhe laboratorë që ofrojnë shërbime ekzaminimi të shumëllojshme. Ministria e Shëndetësisë e ka marrë përsipër me shumë përgjegjësi këtë iniciativë dhe ka konstatuar që herë pas here, në klinikat publike, vijnë edhe raste që janë trajtuar dhe më parë në klinika apo shërbime private, ku jo gjithmonë standardi i shërbimit dhe diagnozës ka qenë ai i duhuri”, deklaroi dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Rezultatet e herëpashershme dhe konstatimet nuk do të mungojnë të bëhen publike pa asnjë lloj gjykimi dhe malinjiteti, por thjesht dhe vetëm për të informuar opinionin publik mbi sigurinë që ofrohet në strukturat përkatëse, në mënyrë që pacienti të jetë i qetë kudo që ai që kërkon të marrë shërbimin shëndetësor. “Mendojmë njëherë dhe përgjithmonë që qoftë në vëmendje të shtetit shqiptar apo medias duhet të ketë një standard për monitorimin, vëzhgimin dhe vëmendje publike, si për shërbimin shëndetësor publik që përballon peshën më të madhe në vend ashtu dhe atë privat”, sqaroi ministri i Shëndetësisë.

Inspektimi

Kontrollit do t’i ushtrohet kushdo, pavarësisht nga stazhi apo eksperienca në profesion.
Ky kontroll do të verifikojë përputhshmërinë e veprimtarisë në raport me ligjet në fuqi, pa asnjë devijim nga procedurat legale; kompetencën profesionale dhe ligjshmërinë e personave që ofrojnë shërbim në këto klinika; kualifikimin e tyre profesional dhe nivelin përkatës të teknologjisë që ofron shërbimin; nivelin e kualifikimit të personelit të mesëm infermieror dhe atij ndihmës.
“Vetëm atëherë mund të themi të qetë se çdo shërbim i licencuar në Republikën e Shqipërisë ofron në mënyrë të sigurt ato standarde mjekësore që qytetarët presin. Në mënyrë të veçantë, ne si Ministri e Shëndetësisë jemi të detyruar të ofrojmë siguri dhe garanci për këtë çështje”, theksoi kreu i Shëndetësisë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›