E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHKB nis hetimin për konkursin e gradave

Specialistët kanë marrë sinjale që ka pasur abuzime, por ende nuk janë kryer veprime konkrete

Konkursi për gradën “komisar”, për të cilin ka dyshime të forta se ka pasur abuzime, do të hetohet edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Oficerët e këtij shërbimi kanë nisur inspektimin mbi procedurat e konkursit dhe po kontrollohet nëse ato janë zbatuar sipas ligjeve në fuqi. Burimet nga Ministria e Brendshme bëjnë të ditur se Drejtoria e SHKB-së ka marrë informacione në lidhje me raste abuzimi për vlerësimin e pikëve të testimit me shkrim për gradën “komisar”, megjithëse nuk ka pasur denoncim konkret nga oficerët. Ata kanë biseduar me oficerë të SHKB-së, por nuk kanë dhënë deklarata konkrete në lidhje me shtimin fiktiv të pikëve në disa teza testimi. Gjithashtu, enigmatike mbetet edhe lista e afishuar pas fituesve të parë, për të cilën Policia e Shtetit ka mohuar ekzistencën e saj. Kjo u denoncua nga gazeta “Shqip” dhe policia deklaroi se asnjëherë nuk është afishuar një listë e tillë, pavarësisht se shumë oficerë policie deklarojnë që e kanë parë atë në muret e Qendrës së Formimit Policor.

Burimet bënë të ditur se oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë qenë të pranishëm që në momentin e zhvillimit të konkursit të 510 oficerëve të policisë, duke ndjekur hap pas hapi, me qëllim evidentimin e çdo shkeljeje të mundshme. Ata kanë qëndruar deri në përfundimin e konkursit, duke bërë raportet përkatëse mbi këtë testim. Madje, gjatë qëndrimit të tyre, aty është përjashtuar nga salla, një oficer policie, pasi ka kryer veprime që binin ndesh me rregulloren. Sipas të dhënave, ai kishte prekur letrën e testimit para fillimit të orarit dhe për këtë arsye është nxjerrë jashtë. Por nga të dhënat mësohet se ai është futur sërish brenda dhe ka dalë fitues. Gjithashtu, SHKB-ja ka marrë informacion se dy ditë më vonë është shpallur një listë me 85 fitues, që policia e mohon dhe që pa shkuar ora 16:00, ajo është grisur. Sipas oficerëve të policisë, ajo listë është grisur pak minuta para se në Qendrën e Formimit Policor të mbërrinin disa specialistë policie, të shoqëruar edhe nga ndërkombëtarët.

Pretendime të tjera të ngritura nga oficerë policie kanë të bëjnë edhe me shtimin e pikëve për disa “nënkomisarë”, në mënyrë abuzive. Megjithatë, kjo pritet të vërtetohet gjatë hetimeve të SHKB-së, pavarësisht se burimet shprehen që punonjësit e policisë kanë qenë të rezervuar për të denoncuar pranë kësaj strukture. Tashmë, SHKB do të bëjë inspektimin e të gjithë dokumentacionit përkatës dhe nëse do vërehen shkelje, do të ndërmerren veprime të tjera, që parashikohen me ligjet dhe rregulloret për këto .

Nga 60 oficerët e parë, që fituan direkt testimin me shkrim për gradën “komisar”, pas ankesave në Komisionin e Apelimit dhe pas rivlerësimit, u vendos që të kalojnë këtë testim 105 veta. Burimet shpjegojnë se nga i gjithë testimi janë shpallur të pavlefshme katër pyetje. Në procedurat standarde shpjegohet se nëse një pyetje nuk i përgjigjen më shumë se 90% e gjithë grupeve, atëherë ajo zhvlerësohet. Duke kontrolluar testimet kanë rezultuar katër pyetje të tilla, që të gjithë grupet nuk i janë përgjigjur në masë prej më shumë se 90%. Atëherë është vendosur që të gjithë atyre personave, që nuk u janë përgjigjur këtyre pyetjeve, do t’u shtohet nga një pikë për pyetje, duke ndryshuar kështu numrin e të kualifikuarve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›