Berisha: Dialogu është emri im i dytëNga TemaKryeministri, Sali Berisha, doli mbrëmë në një konferencë për shtyp për të bërë një analizë të 100 ditëve të qeverisjes së tij. Edhe pse kur shpalli kabinetin e ri para disa muajsh, ai tha se analiza e 100
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha: Dialogu është emri im i dytëNga TemaKryeministri, Sali Berisha, doli mbrëmë në një konferencë për shtyp për të bërë një analizë të 100 ditëve të qeverisjes së tij. Edhe pse kur shpalli kabinetin e ri para disa muajsh, ai tha se analiza e 100 ditëve është për fillestarët, ai dje u përpoq që ta justifikojë daljen e tij publike me faktin se në këtë periudhë ka pasur shumë suksese. “100-ditëshi është për rishtarët. Unë do të rishoh se çfarë është e vyer prej asaj tradite, sepse, kur e shpalla njëherë, më vërshuan mesazhet dhe më thanë se ti nuk je “biginer”,” - pati deklaruar Berisha.
Në daljen e tij publike Berisha përsëriti po ato gjëra të thëna shpesh prej tij gjatë kësaj periudhe. Ai tha se zgjedhjet kanë qenë më të mirat që janë mbajtur në vend dhe se janë certifikuar nga ndërkombëtarët. Berisha e quajti këtë 100-ditësh një sukses ndërkombëtar, pasi, sipas tij, rruga drejt integrimit po bëhet më e shkurtër.
Kryeministri deklaroi se opozita bëri përpjekjet e saj për të penguar liberalizimin e vizave, por shtoi se tashmë procesi ka ngelur vetëm për çështje teknike dhe nuk do pengohet dot nga opozita. Berisha tha se është i gatshëm që të negociojë, madje tha se emri i tij i dytë është dialogu, por është opozita ajo që nuk pranon dialogun.
Në daljen e fundit të vitit, kur vendi është nën kërcënimin e krizës ekonomike, Berisha nuk foli për të, por tha se politikat e tij fiskale dhe makroekonomike kanë pasur sukses. Ai tha se edhe vitin që vjen do të vijojë të rrisë pagat e pensionet dhe do ndërtohen disa akse të rëndësishme rrugore.
Meta: Dialog me opozitën për kërkesat ligjore
Zëvendëskryeministri, Ilir Meta, tha dje se mazhoranca i ofron opozitës vullnetin e duhur për të mbështetur çdo kërkesë legjitime.
“Që do të thotë se jemi të hapur për të ofruar mbështetjen tonë në funksion të forcimit të shtetit ligjor, që do t’i shërbejë përshpejtimit të integrimit evropian të vendit, dhe absolutisht një debati konstruktiv dhe favorizues për integrimin e vendit. Dialogu kërkon të paktën dy palë. Dhe në këtë drejtim ju e dini që qeveria dhe mazhoranca janë të palëkundura për të ecur përpara në rrugën e dialogut. Natyrisht që mbetet në vullnetin e palës tjetër, që edhe ajo vetë të kuptojë filozofinë e dialogut dhe unë shpresoj që ata do ta kuptojnë”, - tha Meta.
PS: Dialogu nis pas transparencës së zgjedhjeve
Duke iu përgjigjur deklaratës së Ilir Metës se mazhoranca është e hapur për dialog, selia rozë tha se dialogu duhet të nisë me hapjen e kutive.
“Ne nuk mund të pranojmë kushte të ashtuquajtura ligjore për dialog, sepse jo vetëm ligji s’e ndalon parlamentin të hapë kutitë, po as qeveria s’ka shpëtim duke i mbajtur ato mbyllur me pahir. Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet e hapur për dialog, por dialogu duhet të fillojë me zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit, e vërtetë që mund të zbulohet vetëm me hapjen e kutive.
Iliri i Sali Gërdecit duhet ta dijë shumë mirë se tani është koha për veprim, jo për fjalë boshe. Dialog po, menjëherë, por jo mbi kutitë e mbyllura. Kështu që Iliri i Sali Gërdecit të hapë kutitë ose të largohet bashkë me Saliun!” - tha deputetja e PS, Olta Xhaçka.