Shoqata e Gjyqtarëve dënon sulmet ndaj gjykatave: Akte të papranueshme në një shoqëri demokratike

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dënoi sot aktet e dhunshme gjatë protestave të fundit, duke kërkuar masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së institucioneve të drejtësisë dhe ndalimin e presionit ndaj gjyqtarëve.
Në një deklaratë, Shoqata u shpreh se sulmet ndaj godinave të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, përfshirë zjarrvënien në mjediset e Gjykatës së Lartë dhe dëmtimin e dosjeve gjyqësore, janë akte të papranueshme në një shoqëri demokratike.
Sipas Shoqatës, këto veprime rrezikojnë sigurinë e gjyqtarëve, nëpunësve gjyqësorë dhe personelit administrativ, si dhe cenojnë funksionimin normal të drejtësisë, duke sjellë pasoja për qytetarët që presin zgjidhjen e çështjeve të tyre.
Shoqata theksoi se liria e shprehjes dhe e tubimit është një e drejtë themelore kushtetuese, por nuk mund të justifikojë dhunën ndaj institucioneve dhe personave që ushtrojnë detyrën në to.
Ajo shprehu gjithashtu shqetësimin për mungesën e masave të përshtatshme parandaluese dhe mbrojtëse nga strukturat e Policisë së Shtetit, duke kërkuar planifikim dhe reagim efektiv për garantimin e sigurisë së gjykatave.
Shoqata u bëri thirrje institucioneve shtetërore dhe aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe respekt për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, ndërsa kërkoi masa efektive për mbrojtjen e gjykatave dhe personelit të tyre.
Gjithashtu edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi pas deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve, duke iu referuar lirimit nga Gjykata e Tiranës të 28 protestuesve të arrestuar.
“Në të njëjtën ditë kur Gjykata e Tiranës liroi 28 protestues të arrestuar, ndoshta ndër ta dhe nga ata që i vunë flakën gjykatave, Shoqatat e Gjyqtarëve paskan dënuar sulmet. Këta gjyqtarët që i kanë çuar në detyrim paraqitje ndoshta nuk janë anëtarë të shoqatave, se s’ka mundësi”, shkroi Balla në reagimin e tij.
/gj.m/r.e/