E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Do falim çdo gjobë dhe kamatë të vendosur që nga viti 1992 deri më 11 maj

Gjatë një takimi me gratë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kritikoi ashpër qeverinë duke e akuzuar për mungesë të një programi të qartë dhe për përpjekje për të manipuluar qytetarët me premtime boshe.

Ai shtoi se qeveria tenton të largojë vëmendjen e qytetarëve nga problemet reale me, siç u shpreh ai, “tallavanë e tij politike”.

“Ne kemi program serioz. Shikoni çfarë ndodh në anën tjetër? Ai fillimisht del para shqiptarëve sikur ka zbritur nga Marsi, sikur nuk ka qeverisur 12 vite, sikur nuk e di se ku është, nuk flet as për 12 vitet, as për 4 vitet që vijnë duke presupozuar se njerëzit nuk kanë asnjë problem, asnjë hall. Me vulgaritetin e tij, me banalitetin e tij, ai kërkon të spostojë vëmendjen e qytetarëve nga problemet jetike me të cilat ata përballen tek mashtrimet që ai kërkon të bëjë me tallavanë e tij. Pastaj kthehet dhe kopjon programin.

Ju e patë, një ditë të bukur tha unë do vendos pensionin 200 euro. Po ne kishim dorëzuar ligjin një vit e gjysmë më para pikërisht për këtë, për minimumin jetik 200 euro. Ai nuk e votoi, kur unë e ftova që hajde të mblidhemi urgjent dhe ta votojmë në parlament, ai e spostoi në vitin 2030”, tha Berisha.

Lideri demokrat premtoi faljen e të gjitha gjobave për qytetarët dhe bizneset e vogla, të vendosura para nga 1992 deri më 11 maj. Berisha theksoi se PD synon të amnistojë qytetarët dhe bizneset e ndershme, në kontrast me atë që e cilësoi si “amnisti për grupet kriminale” nga ana e qeverisë.

“Tani ai kalon tek pjesa tjetër e programit, falja e gjobave. Ju e dini që ne kemi premtuar faljen e çdo gjobe për qytetarët shqiptarë që është vendosur para datës 11 maj e gjer në vitin 1992. Çdo gjobë, çdo kamatë zerohet, bëhet inekzistente për çdo gjë. Duam t’i çlirojmë qytetarët shqiptarë nga makthet e padrejtësive që ata kanë përjetuar ndër vite. Çfarë ndodh? Ne kemi falur kamatat, këta i kanë rikthyer kamatat. Nuk kanë ligj as moral. ëta sot e kësaj dite i mbledhin dhe dëgjoja një ditë një qytetar që thoshte se më duhen 80 vite punë për të paguar kamatat që kam për energjinë. Kështu që ne, jo vetëm qytetarëve, por ne do falim edhe gjobat e biznesit të vogël. Se edhe ai është viktimë e arbitraritetit dhe absurditetit të inspektorëve të qeverisë. Jemi shumë të vendosur që të falim çdo gjobë, ai kërkonte amnisti për grupet kriminale, ne do bëjmë amnisti për qytetarët dhe bizneset e ndershme”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›