E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do shpërndajmë internet me çmim të ulët

Kryeministri Berisha

Interneti dhe komunikimi do të zinte dje pjesën më të madhe të fjalës së Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë. Ai u shpreh se përmes vendosjes së tregut në një pozicion konkurrues dhe marrjes së masave nga Enti Rregullator përgjegjës, shqiptarëve u është garantuar që të kenë sot çmime të lira për komunikimin celular. Ai renditi një sërë shifrash lidhur me zgjerimin e gamës së programeve që ofrojnë kompanitë celulare sot në treg, si dhe çmimet, që sipas kreut që qeverisë, nga viti 2005 kanë rënë nga 2-4 herë për kategori të ndryshme klientësh.  Kur mendon se shqiptarët disponojnë sot një shkallë të telefonisë mobile 180 për qind, një nga më të lartat në Europë, do të thotë se ata përfitojnë gjerësisht nga mjetet dhe mundësitë e reja të komunikimit. Shqipëria ishte vend me çmime të papranueshme, por tani qytetarët shqiptarë e marrin këtë shërbim me çmime 2-4 herë më të lirë, u shpreh Berisha. Nga ana tjetër, ai nuk la pa përmendur edhe Shqipërinë dixhitale, duke theksuar se qeveria po punon që të sigurojë internet më të lirë për çdo shqiptar. E gjithë kjo, sipas Berishës, do të garantohet nga projekti ku është e përfshirë Posta Shqiptare. Posta Shqiptare është e autorizuar dhe po ngre me shpejtësi të gjithë infrastrukturën. Ajo do të importojë fluksin në sasitë më të mëdha të nevojshme dhe do të furnizojë me një çmim, absolutisht, nuk po a caktoj unë, por shumë e shumë herë më të ulët, sesa çmimi i sotëm, për operatorët privatë, tha Berisha. Posta do të ofrojë shërbimin për internetin në 1710 pika të shtrira në gjithë vendin, në 510 ekzistueset dhe 1200 të tjerat që do të ngrihen në vijim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›