Berisha: Do të ndërtojmë godinë të re për Bibliotekën Kombëtare

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se vendi ka nevojë për një godinë të re për Bibliotekën Kombëtare dhe se kur PD të vijë në pushtet do të ndërtojë një bibliotekë dinjitoze.
“Vendi ka nevojë për një bibliotekë kombëtare të re dhe mendoj se një institucion i tillë ia vlen të ndërtohet, sepse biblioteka ku është ka hapësira të kufizuara, të jemi realistë me këtë”, tha Berisha.
Berisha tha se pas rikonstruksionit të sheshit “Skënderbej”, u përmbyt Biblioteka Kombëtare dhe “askush nuk mori përgjegjësi”.
“Biblioteka Kombëtare ka punonjës ndër më mirët. Unë jam për një bibliotekë të re, të ndërtohet një bibliotekë dinjitoze, por bibliotekat nuk janë kulla. Ka modele shumë të bukura që i përshtaten dhe ne do ndërtojmë një bibliotekë të re”, u shpreh Berisha.
Berisha gjatë konferencës me gazetarët u pyet edhe për integrimin e vendit në BE. Sipas tij integrimi i Shqipërisë në BE është një mision që do të përmbushet nga PD.
“Partia Demokratike që nga 1992 e gjer sot, është faktuar lokomotiva e të gjitha proceseve integruese. Këshillin e Europës, marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, heqjen e vizave, rekomandimin e statusit kandidat nga Komisioni Evropian, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, tha Berisha.
“Ndaj dhe ai mision do të përmbushet nga PD, dhe i siguroj shqiptarët se po me atë seriozitet, transparencë dhe vendosmëri që ne realizuam momentet madhore të integrimit Europian dhe Euroatlantik të Shqipërisë, po me atë seriozitet do të finalizojmë negociatat me BE-në dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por të bazuar tërësisht mbi meritën. Merita është baza, ky është interesi i shqiptarëve”, tha Berisha.
I pyetur në lidhje me tarifat e reja të SHBA ndaj BE-së dhe Britanisë së Madhe, Berisha tha se “qeveria e PD-së, pas 11 majit do të ketë në agjendën e vet, negociatat e hapura, transparente me qeverinë e SHBA-së, për çështjen e tarifave”.
“Jam optimist, sepse në qoftë se ju keni konstatuar, për Shqipërinë janë përdorur, në një shikim të parë, tarifat më të ulëta se në vendet e tjera, edhe për Kosovën e njëjta gjë. Kështu që unë këtë koment kam për tarifat.
“Një gjë dua t’ju them. Që kur ka dalë kjo çështje, unë e kam ndjekur, por çfarë kam konstatuar. Në disa shkrime serioze, kam konstatuar se vendet e tjera kishin vendosur tarifa shumë më të larta ndaj prodhimeve amerikane sesa SHBA ndaj vendeve të tyre. Ky ishte një studim krejt i paanshëm, madje mund të thosha një studim nga linja që nuk janë shumë në këtë orientim”, tha Berisha.
/r.e//a.f/