Berisha në Baldushk: Pesëfishojmë subvencionet për fermerët, mbulojmë 80% të interesit të kredive

TIRANË, 3 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi me banorët në Baldushk prezantoi programin për zgjedhjet e 11 majit në mbështetje të bujqësisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për fermerët.
Sipas Berishës, në zonën rurale punësohen rreth 500 mijë shqiptarë dhe kjo zonë jep rreth 19% të prodhimit të përgjithshëm të vendit.
Ndaj, sipas tij, “asnjë sektor nuk është më i rëndësishëm se sa sektori i bujqësisë në Shqipëri”.
Berisha theksoi nevojën për shtimin e subvencioneve për fermerët, për rritjen e prodhimit dhe investimeve në infrastrukturën bujqësore, përfshirë përpunimin e prodhimeve dhe përmirësimin e shërbimeve bujqësore.
Po ashtu, kryetari i PD-së premtoi rritjen e pensioneve për pensionistët e kooperativës bujqësore në 200 euro si dhe rritjen e pagës minimale në 500 euro.
Në programin për bujqësinë, Berisha foli gjithashtu edhe për rëndësinë e dixhitalizimit dhe përdorimit të teknologjive moderne në bujqësi, si dhe për mbrojtjen e tokës dhe zhvillimin e sektorëve të tjerë bujqësorë, si frutikultura, bimët aromatike dhe medicinale.
Berisha theksoi domosdoshmërinë e investimeve në vaditje dhe kullim, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.
Sipas tij, programi i PD-së i qëndron profilit të frutikulturës që ndoqi në vitet 2005-2013.
“Në vitin 2013 ne arritëm në 11 milionë e 200 mijë rrënjë ullinj, ne do shkojmë në 20 milionë dhe mund të shkojmë dhe më tutje. Përveç kësaj ne i përmbahemi simulimit tjetër, të shegëve, arrorëve. Ne do bëjmë gjithçka të trefishojmë sipërfaqen e mbjellë me arrorë dhe shegë. Do bëjmë gjithçka për bimët aromatike. Janë një pasuri shumë e madhe e jona, e injoruar”, shtoi ai.
Në aspektin e mbështetjes për fermerët, Berisha propozoi krijimin e një fondi që do t’i mbrojë ata nga fatkeqësitë natyrore dhe dëmet që mund të shkaktohen nga faktorë të jashtëm.
Berisha premtoi një rritje të subvencioneve për fermerët, duke siguruar mbështetje direkte për ta. Ai theksoi se do të 5-fishojë subvencionet për fermerët, duke i çuar ato në nivele që janë të ngjashme me ato në vendet përreth, si Maqedonia dhe Kosova.
“Kjo do të ndihmojë fermerët që të konkurronin në treg duke pasur mbështetje më të madhe nga shteti”, tha ndër të tjera kryetari i PD-së.
Po ashtu, Berisha premtoi që shteti do të mbulojë 80% të interesit të kredive që fermerët do të marrin për zhvillimin e fermave të tyre, si për serrat, për fidanishtet, për bagëtitë, dhe për sektorë të tjerë bujqësorë.
Kjo mbështetje financiare, sipas tij, do të ndihmojë fermerët të zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe të përballojnë vështirësitë financiare që mund të kenë gjatë procesit të investimeve.
Berisha ftoi qytetarët të votojnë 1-shin dhe të mbështesin programin e PD-së, duke theksuar se kjo është mundësia për një ndryshim të madh dhe përmirësim të kushteve të jetesës për fshatarët dhe qytetarët shqiptarë.
/m.m/j.p/