Berisha: Dokumentuam farsën e 11 majit, mbledhja e Këshillit u vonua për mbrojtjen e votës

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD se vonesa e këtij forumi pas zgjedhjeve të 11 majit kishte si arsye të vetme angazhimin e opozitës për mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë.
“Kjo vonesë ka pasur vetëm një shkak, dhe ky shkak ka qenë mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha në fjalën e tij hyrëse, duke garantuar anëtarët e Këshillit Kombëtar se PD kishte respektuar fjalën e dhënë gjatë fushatës.
Ai theksoi se Partia Demokratike kishte dy qëndrime themelore para zgjedhjeve, “E para, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. E kam thënë me dhjetëra herë. E dyta, ne u thamë shqiptarëve se do ta mbrojmë votën”.
Sipas tij, “në momentin që gara zhvillohet midis partive politike dhe shtetit elektoral, ajo nuk është garë, por farsë”, u shpreh ai, duke renditur një sërë praktikash që sipas tij e deformuan procesin zgjedhor.
Ai përmendi përdorimin e burimeve publike gjatë fushatës, dhënien e ndihmave financiare para zgjedhjeve, faljen e gjobave dhe përdorimin e administratës shtetërore.
“Në rast se qeveria u jep qytetarëve para për votë, fal miliarda euro gjoba dhe mobilizon administratën, ajo nuk zhvillon zgjedhje, por farsë”, tha Berisha.
Kreu i PD deklaroi se opozita nuk kishte mundësi ta ndalonte këtë proces, por kishte detyrimin ta dokumentonte atë.
Sipas Berishës, raporti i OSBE/ODIHR konfirmon shqetësimet e ngritura nga opozita.
“Raporti konfirmon se zgjedhjet u zhvilluan midis partisë dhe shtetit, dhe se Shqipërisë i rekomandohet ndarja e partisë nga shteti”, theksoi ai.
Duke shpjeguar pse mbledhja e Këshillit Kombëtar nuk u zhvillua menjëherë pas zgjedhjeve, Berisha tha se opozita nuk donte të krijonte asnjë pretekst për relativizimin e gjetjeve ndërkombëtare.
“Ne nuk do të binim në asnjë kurth që do të shërbente për të zhvendosur vëmendjen nga e vërteta e procesit zgjedhor”, deklaroi ai.
Në përmbyllje, Berisha theksoi se PD do të nisë një analizë të thelluar politike, me fokus të qartë të ardhmen.
“Qëllimi më kryesor i analizës duhet të jetë ndërtimi i një PD-je që rrëzon këtë regjim, si kushti i të gjitha kushteve për të pasur zgjedhje të lira”, tha Berisha.
/gj.m/a.f/