Berisha: Do e shtyjmë analizën për zgjedhjet, asgjë s’na ndal pa rikthyer votën e lirë

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD se për shkak të situatës emergjente politike, agjenda e parashikuar për mbledhjen do të shtyhet për një takim tjetër të afërt.
“Për shkak të situatës emergjente do të shtyjmë agjendën e sotme! Tani jemi në provën më të madhe para vetes dhe vendit,” tha Berisha, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për PD dhe për demokracinë në vend.
Ai nënvizoi se Partia Demokratike do të vazhdojë të përgatitet për reagimin politik ndaj sfidave aktuale.
“PD qëndroi, qëndron dhe do të qëndrojë fuqishëm. Për këtë arsye, detyrohemi të shtyjmë diskutimet e planifikuara dhe të përqendrohemi të gjithë në përgatitjen e përgjigjes politike që duhet t’i japim situatës aktuale”, tha ai.
Berisha shtoi se përpjekjet e opozitës kanë qenë të vazhdueshme, por sipas tij, është e nevojshme një mobilizim i mëtejshëm.
“Kemi bërë protesta dhe lëvizje politike, por nuk kanë qenë ende të mjaftueshme për të sjellë ndryshimin. Ndryshimi vjen nga një lëvizje e qëndrueshme dhe e koordinuar me forma të ndryshme reagimi qytetar”, tha Berisha
Ai theksoi se besimi i qytetarëve mbetet një element kyç për veprimet e opozitës.
“Besimi i shqiptarëve është tek ne, se nëse nuk do të na besonin, nuk do të na votonin. Por tani duhet të bëjmë hapin e fundit me përgjegjësi dhe sakrifica”, shtoi Berisha.
Kreu i PD ftoi anëtarët e Këshillit Kombëtar të angazhohen në takime intensive me qytetarët dhe të përfshihen në forma të ndryshme të mobilizimit.
“Është koha e guximtarëve. Çdo njëri duhet të japë shembull personal dhe të angazhohet në protesta dhe lëvizje qytetare, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Agjenda jonë duhet të jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë”, deklaroi ai.
Berisha theksoi se Partia Demokratike ka mbështetjen e disa rezolutave ndërkombëtare për mbrojtjen e pluralizmit politik dhe se kjo mbështetje duhet të shoqërohet me veprime konkrete.
“Natyrisht, mbështetjet ndërkombëtare janë të rëndësishme, por ato janë të pamjaftueshme nëse ne nuk ngrihemi”, tha ai.
Në përfundim, Berisha theksoi se Partia Demokratike do të vazhdojë të organizojë protesta dhe mobilizime të koordinuara, duke synuar të ruajë dhe të forcojë të drejtën e qytetarëve për pjesëmarrje dhe kontroll në proceset demokratike.
/gj.m/a.f/