Berisha, Dragoni: Shqipëria arritje të rëndësishme në konsolidimin e demokracisë
Kryeministri Berisha pret Zëvendës/Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, zonjën Gabriela Battaini Dragoni
Kryeministri Berisha priti në një takim, zonjën Gabriela Battaini Dragoni, zëvendëssekretare e përgjithshme e Këshillit të evropës.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha e falënderoi zonjën Dragoni për bashkëpunimin e shkëlqyer qe qeveria shqiptare ka patur me Këshillin e Evropës dhe Sekretariatin, Asamblenë dhe institucionet e tjera, gjatë kësaj periudhe të kryesimit të radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga ana e Shqipërisë. Kryeministri Berisha e falënderoi për mbështetjen që Këshilli i Evropës dhe organet organizmat e tjerë të tij si Komisioni i Venecias, Greco, etj i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve për konsolidimin e demokracisë, reformave të rëndësishme për konsolidimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e respektit për të drejtat e njeriut etj.
Zonja Dragoni e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë edhe miqësore dhe i shprehu atij përshëndetjet më të përzemërta të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thorbjørn Jagland. Ajo e përgëzoi Kryeministrin Berisha për punën e qeverise shqiptare gjatë kryesisë së radhës se Këshillit të Evropës, duke e vlerësuar kryesinë shqiptare si tërësisht të suksesshme në objektivat dhe përparësitë që ajo i kishte vene vetes dhe ne aktivitetet e ngjeshura e te shumta qe ajo organizoi duke dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe në promovimin e mëtejshëm të axhendës së KE.
Zonja Dragoni vlerësoi gjithashtu arritjet e rëndësishme që Shqipëria ka shënuar gjatë gjithë këtyre viteve në të gjitha aspektet e konsolidimit të demokracisë, të shtetit të së drejtës, mbrojtjes dhe respektimit te plote të të drejtave të njeriut, çka janë reflektuar qarte edhe në progresin e saj në procesin e integrimit në BE, për të cilin Shqipëria gëzon mbështetje të plotë edhe të Këshillit të Evropës.
Në takim u vlerësua tradita shekullore e tolerancës së shkëlqyer fetare që ekziston në Shqipëri si një vend multiregjioz, si dhe kontributi i shqiptarëve, të cilët gjatë periudhës së erret të holokaustit qëndruan në anën e drejtë të historisë, duke strehuar, mbrojtur dhe shpëtuar hebrenjtë e Shqipërisë dhe nga mbarë rajoni.
Në takim u vlerësua kontributi i Kryesisë shqiptare të radhës edhe në afrimin e vendeve të Pranverës arabe me Këshillin e Evropës dhe konsolidimin e bashkëpunimit dhe ofrimit të modeleve ndaj këtyre vendeve në përpjekjet e tyre për demokraci dhe promovimin e te drejtave të njeriut, si dhe u theksua nevoja për një përqendrim edhe më të madh në konsolidimin e vlerave të Këshillit të Evropës në luftën kundër fenomeneve të ksenofobisë, racizmit dhe diskriminimit që shfaqen herë pas here edhe në vendet e rajonit. Zonja Dragoni theksoi se “kemi mbetur vërtetë të impresionuar nga përkushtimi që Kryesia e radhës i dedikoi objektivit të Këshillit të Evropës për marrëdhëniet e ngushta me vendet fqinje të rajonit dhe dialogut ndërkulturor”.