E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Edi Rama, i “mbyturi” që kapet pas fijes së barit. PD e përgatitur për një fitore të thellë qershorin që vjen

09-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha në bashkëbisedim me gazetarët; Bllokimi i 3 ligjeve, përgjegjësi e madhe për Partinë Socialiste


UPDATE- “Ftesa ime është sërish të votojmë këto 3 ligje që janë përcaktuese për qëndrimin përfundimtar të KE ndaj çështjes së statusit të Shqipërisë për vend anëtar në BE”. Ishte apeli i radhës i Kryeministrit Sali Berisha në një bashkëbisedim me gazetarët. Shefi i ekzekutivit tha se bllokimi i statusit kandidat në 100 vjetorin e Pavarësisë së vendit, do ishte një përgjegjësi e madhe për Partinë Socialiste. “Do të ishte një përgjegjësi shumë e madhe para çdo qytetari shqiptar, para ëndrrës evropiane të shqiptarëve, bllokimi në këtë vit të 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë, apo votimi kundër de facto në parlamentin shqiptar për ligjet e kërkuara”- u shpreh kryeministri. Ai theksoi se mazhoranca ka një ofertë konkrete opozitën për të çuar në rrugën e zgjidhjes çështjen e qarkut të Fierit. Sipas kryeministrit, votëbesimi i anëtarëve të këshillit të qarkut, është një e drejtë ligjore e bazuar në nenin 32 të ligjit për Qeverisjen Vendore. “Ju keni dëgjuar një ofertë që unë kam bërë ditët e fundit dhe natyrisht në mënyrë absolute oferta ime ka synuar dhe ka si synim vetëm hapjen e rrugës dhe krijimin e mundësive për opozitën që të dalë nga orbita bllokuese në të cilën është pozicionuar. Duhet të informoj qytetarët shqiptarë se oferta për të votëbesuar secilin nga të paktën 50 anëtarët që i takojnë kësaj shumice të këshillit të qarkut dhe në rast se z.Rama pranon do të ishte mirë edhe ndaj 43 anëtarëve të PS-së që përfaqësojnë koalicionin e saj, do të ishte zgjidhja më e ndershme politike. Pretendimet se mocioni nuk ekziston si mundësi janë qesharake, janë një mashtrim i mirëfilltë që u bëhet nga PS qytetarëve shqiptarë. Së pari, neni 32 i qeverisjes vendore përcakton në mënyrë taksative të drejtën e anëtarëve të këshillave të komunave dhe bashkive, për të zgjedhur dhe shkarkuar anëtarët e këshillave të qarqeve”- tha Berisha. Kryeministri solli në vëmendje se Partia Socialiste e ka ushtruar votëbesimin e këshilltarëve në komunën e Bubullimës dhe nuk ka patur asnjë lloj kontestimi nga Partia Demokratike, pasi është e drejtë ligjore e bashkive dhe komunave për të zgjedhur dhe shkarkuar anëtarët e këshillit të qarkut që përfaqësojnë pikërisht bashkitë apo komunat. “Neni 32 është zbatuar me mocion mosbesimi nga PS dhe duke u bazuar në këtë nen, PS ka shkarkuar në komunën e Bubullimës, përfaqësuesin e kësaj komune që i takonte mazhorancës dhe ka vendosur anëtarin e PS. E ka bërë këtë pa asnjë lloj objeksioni nga ana e PD, sepse nuk na shkon ndërmend që të vëmë në dyshim të drejtën e bashkive dhe komunave për të zgjedhur dhe shkarkuar anëtarët e këshillit të qarkut që përfaqësojnë bashkitë apo komunat. PS ka mbledhur 1/3 e firmave, i ka legalizuar ato për mocion mosbesimi në Divjakë, në bashkinë e Fierit, Fier-Shegan dhe në Dremenas, por këtu nuk ka arritur të ushtrojë këtë të drejtë, sepse nuk formon kuorumin. Për çfarë e siguroj unë z.Rama? Unë e siguroj se do të ushtrohet e drejta e mocionit, ndonëse mos formimi i kuorumit është një e drejtë demokratike, nuk duhet të marrë pjesë në votim dhe njëri në Ballkan nuk e ka shfrytëzuar më keq këtë të drejtë se z.Rama. Anëtarët e mazhorancës do të paraqiten në çdo takim të kërkuar për mocion dhe ndaj ta shndërrojmë këtë nen në një mekanizëm që certifikon edhe njëherë të gjithë të zgjedhurit e këshillit të qarkut. Por, është absurde në qoftë se t’i mendon se mund të vendosësh dy standarde, një në Bubullimë ku e fiton dhe një tjetër në Dermenas që nuk e fiton dot, në Divjakë në bashkinë e Fierit nuk e fiton dot. Ndaj, kërkesa ime ishte kërkesë për t’i dhënë mundësi z.Rama për të mos lidhur fatin e statusit të Shqipërisë me këshillin e qarkut të Fierit që jam i bindur se nuk ka qytetar në Fier që pretendon të pengohet statusi i Shqipërisë për shkak të këshillit të qarkut të Fierit, por në çdo rast, këshilli i qarkut të Fierit është një trupë e zgjedhur jo direkt nga populli, por e zgjedhur nga këshilli i komunave dhe bashkive të Fierit. Ato që të zgjedhin kanë të drejtë të të shkarkojnë në çdo kohë. Z.Rama e shfrytëzoi këtë në komunën Bubullimë dhe e fitoi. Nuk ia doli në Divjakë se s’ka kuorumin. Nuk ka gjë më të paimagjinueshme se të përdorësh një pretekst të tillë. Nga fillimi i sesionit parlamentar (shtator) deri seancën e djeshme, në Parlament janë votuar 29 ligje dhe marrëveshje. Nga këto, 22 prej tyre janë votuar me konsensus nga shumica dhe pakica. Si mund të justifikojë një kastë të tilla bllokuese z.Rama kur ka votuar 22 ligje të tjera? Pra, ky është një vullnet shumë i qartë për të bllokuar procesin e votimit, por përgjegjësinë e merr më të rëndë. Nuk ka përgjegjësi më të rëndë se kjo. Pse po e bllokon, urdhëro në mënyrë ligjore të organizojmë mocionin”- theksoi më tej kryeministri Berisha.


Rregullorja e Parlamentit, Rama i kompleksuar se s’shpallet do kryeministër me vota

Berisha komentoi edhe kushtin tjetër të kreut të PS-së, që lidhet me reformën parlamentare, duke theksuar se mazhoranca ka pranuar kërkesën që kreu i opozitës të flasë pas Kryeministrit në Kuvend, por sipas tij, “Rama kërkon që në rregulloren e Parlamentit vendi të ketë 2 kryeministra”. “Më është kërkuar që pas fjalimit të kryeministrit, a mund të pranohet që të ndryshohet rregullorja dhe ta marrë fjalën kreu i opozitës. Unë e pranova, por jo 2 minuta siç kërkohej por 10 minuta, zoti Rama thotë jo. Duhet të shpallim në rregulloren e Parlamentit 2 kryeministra. Jo, ka një protokoll dhe në demokraci ky protokoll vendos kryetarin opozitës në nivel ministri. Dy kryeministra nuk krijohen kurrë. Ç’është kjo ethe e tmerrshme e tij për tu shpallur kryeministër me ligj dhe jo me vota. Kjo e dëmton, nuk e ndihmon ja largon dhe votat, ju garantoj që po. Tani sa del thotë unë kryeministri i ardhshëm, si reja në horizont që largohet. Kur të kapin ethet ndonjëherë, se unë jam mjek, janë shumë problematike. Këtë e kanë kapur ethet e pushtetit dhe nuk di se çfarë bën. E ka të vështirë të orientohet”,- vijoi më tej Berisha.

Zgjedhja e Kryeprokurorit, ekskluzivitet i Presidentit
Kryeministri foli gjatë këtij takimi me gazetarët edhe për sa i përket kryeprokurorit të ri. I pyetur të përshkruante profilin e njeriut që do të udhëheqë organin e akuzës, Berisha tha se kjo i takon Presidentit. “E kam theksuar, në kushtetutën e Shqipërisë kjo është kompetencë ekskluzive e Presidentit të Republikës. Kam bindjen që ai do përzgjedhë një personalitet, apo personalitet me integritet, eksperiencë dhe të fushës së pushtetit gjyqësor”, tha Berisha. Ai nënvizoi më tej, “Po të ishte për mua do kisha bërë zgjedhjet e mia, por unë jam kryeministër nuk më përket mua kjo zgjedhje”, shtoi ai.

Buxheti 2013-ë, më i madhi në historinë e vendit
Kjo është dëshmia më e qartë e performancës ekonomike. Porsa i përket rritjes ekonomike vjetor, unë e di që ju keni dëgjuar shifra të ndryshme dhe natyrisht keni konsideruar ose keni pasion të citoni më së shumti shifrat e institucioneve të huaja. Dakord. Vetëm se, si gazetar i një TV tashmë i profilizuar në problematikën ekonomike, do t’ju kërkoja njerëzisht të bëni një kontroll të shifrave të shpallur nga të tjerë dhe ato qeverisë shqiptare të viteve të fundit. Rritja ekonomike në secilin vit ka rezultuar të jetë 2-3 fish i vlerave të shpallura nga institucionet ndërkombëtare. FMN dhe BB që të dyja dhanë parashikime që dallonin 50% nga njëra-tjetra. Tani, cila është e vërteta? E vërteta është se vlerat e shifrës së rritjes është një vlerë relative, por përsëri unë jam shumë i bindur se ky vit do të mbyllet me një vlerë shumë të përafërt me atë që kemi sh[pallur në buxhetin e këtij viti. Ku e bazoj këtë bindje? Siç e keni parë rritja e 3 mujorit të dytë të këtij viti ishte 4 herë më e madhe se rritja e 3 mujorit të parë të këtij viti. 3 mujori i tretë ishte një tremujor që kulmoi me një fluks turistik të paparë, pati një zhvillim një intensitet të madh të shkëmbimeve ekonomike në tërësi. Unë besoj se fakti që 3 mujori në tërësi u mbyll me 25.6% rritje të shitjeve në tërësi, dëshmon se 3 mujori i tretë duhet të ketë qenë shumëfish i tremujorit të dytë. Unë nuk mund të them se do të jetë pikë për pikë me parashikimin, por do të jetë shumë i përafërt.

Borxhi publik
Ne jemi zotuar të qëndrojmë në një borxh publik rreth 60%. Ne do t’i përmbahemi këtij zotimi. Por, n.q.s duam të hyjmë në doktrinë, personalisht jam i bindur se duhet të shmangim deri në in extremis ato masa që cenojnë rritjen ekonomik.

Sistemi i taksave i pandryshueshëm
Edi Rama kërkon të kthejë në Partinë Socialiste taksën e Spiro Kolekës që rrënoi shqiptarët. Ne i qëndrojmë filozofisë tonë të taksave dhe do bëjmë gjithçka për të lehtësuar barrën fiskale të sipërmarrjes. Kur deklarova se nuk do pranojmë masa që kërcënojmë rritjen, jam shumë i vetëdijshëm se këto masa nuk mund të jenë përcaktuese në ekonominë e sektorit privat. Ndaj kemi përcaktuar lehtësimin e barrës fiskale; hoqëm TVSH-në për të gjitha makineritë; hoqëm TVSH-në për çimenton dhe celiku.

Rritja e rrogave dhe pensioneve, politikë konstante e qeverisë
Sot, Shqipëria është vendi i vetëm që në një hark kohor 6 vjeçar ka rritur rrogat nga 120-150%. Ka rritur pensionet e ulëta me mbi 100%; ka rritur rrogat e ulëta me mbi 120%. Kanë ngushtuar diferencat midis rrogave maksimale dhe rrogave mesatare. Ishte 1 me 9 me Kryeministrin dhe 1 me 11 me Presidentin, dhe është ngushtuar në 1 me 4.5 dhe do të ngushtohet edhe më tej. Rritja e pagave dhe pensioneve do vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm sipas parashikimeve në buxhetin shtetëror.

Privatizimi i “Albpetrol”- të ardhurat për qytetarët
Kurorëzimi me sukses i procesit e detyron qeverinë që çdo dollar të atij privatizimi të kthehet në mirësi për qytetarët shqiptarë. Ky është qëndrimi im i palëkundur. Dhe do bëjmë gjithçka që ajo të kthehet në një levë të fuqishme të ndikimit direkt në jetën e qytetarëve shqiptarë. Asnjë lidhje nuk ka me zgjedhjet ky problem. Absolutisht. Sepse, nqs u referohemi fondeve të mobilizuara këto vite, ato janë në interes të qytetarëve shqiptarë, ato janë shumë e shumë herë më të larta sesa këto që po flasim tani.

Koalicioni, Aleanca me LSI-në edhe në 2023-shin
PD gjithnjë është paraqitur në zgjedhje me aleancat më të gjëra. Çdo forcë politike është në detyrimin e saj të marrë vendimet në interesin më të mirë të rezultateve të saj. Ky koalicioni 4 vjeçar ka realizuar në 4 vjet ndryshime më të mëdha se në çdo mandat tjetër në historinë 20 vjeçare të këtij vendi. Në të gjitha rrafshet. Konsideroj arritje të jashtëzakonshme që Shqipëri mbeti një “ishull” ndaj krizës ekonomike më të madhe. Është kjo qeverisje e cila zhvilloi, konsolidoi një garë të paprecedentë në historinë e një vendi në rrafshin e energjisë së rinovueshme. Kjo qeverisje bëri të mundur liberalizimin e vizave. Arriti fitoren më të madhe në zgjedhje lokale. Kjo qeverisje bëri të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›