Berisha: Drejtuesit në nivel partiak apo qeverisës të mos prononcohen në mbështetje të një kandidati të caktuar, pa dhënë më parë dorëheqjen

Të enjten kryesia e PD vlerëson kandidaturat. Mesazhi i kryetarit në detyrë të PD, drejtuar strukturave: “Le ta shndërrojmë këtë proces ne një garë dinjitoze, për një fillim të ri e të fuqishëm”
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Sali Berisha një mesazh drejtuar strukturave të PD, ka dhënë disa sugjerime lidhur me garën për zëvendësimin e tij. Në rrjetin social Facebook, PD ka postuar një mesazh të Berishës ku deklaron se ditën e enjte kryesia e PD do vlerësojë kandidaturat e paraqitura. Po kështu Berisha thekson se çdo anëtar i PD është i lirë të hyjë si kandidat dhe të garojë për postin e kreut të PD, edhe pa mbështetjen e kryesisë. “Mesazh drejtuar të gjithë drejtuesve të PD-së, nga kryetarë seksioni deri në anëtarë të kryesisë së PD dhe për të gjithë anëtarët e PD që punojnë ose mbajnë funksione drejtuese në të gjitha nivelet e qeverisjes sonë qendrore ose vendore: Gara për kryetarin e PD-se, nisi sot me shpalljen e kandidaturës së parë. Ajo është e hapur për çdo anëtar dhe anëtare të PD-së që dëshiron të konkurrojë për lider të PD-së. Ditën e enjte kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet për vlerësimin dhe shprehjen e mbështetjes së saj për kandidatin apo kandidaturat që mendon se meritojnë te mbështeten prej saj zyrtarisht. Kjo nuk do të thotë se jashtë mbështetjes së kryesisë së PD-së anëtar apo anëtarë të Partisë Demokratike mund të pengohen dhe nuk mund të konkurrojnë për kryetar të PD-së. Dallimi i vetëm është se ata nuk do jenë kandidatura zyrtare të Kryesisë së Partisë Demokratike”- deklaron z.Berisha. Kryetari i PD sqaron se nuk ka bërë asnjë rekomandim për ndonjë person të veçantë për postin që ai ka mbajtur prej më shumë se 20 vitesh. Ai kërkon që personi që do të ndihmojë kandidatin që do të garojë për kreun e PD duhet të heqë dorë nga posti që ai mban në qeveri apo në parti dhe vetëm në këtë rast kolegët të lobojnë për të. “Unë dhashë dorëheqjen nga detyra e kryetarit të PD-së, nuk bëra asnjë rekomandim për person të veçantë për zëvendësimin tim. Po kështu, me kryesinë e PD-së vendosëm që në zgjedhjen e kryetarit të ri pushteti të kalojë tërësisht tek anëtarët e PD dhe vota e tyre, duke mos bërë asnjë rekomandim për asnjë person të veçantë, por dhe duke mos penguar asnjeri të marrë pjesë në këtë gare, prandaj në respekt të pushtetit të votës çdo anëtari të PD-së kërkoj që askush të mos përdorë pushtetin partiak, publik administrativ që ka në mbështetje apo lobim të një kandidati të veçantë. Pra asnjë drejtues në asnjë nivel partiak apo qeverisës të mos prononcohet publikisht apo jo publikisht për shkak të postit që ka në mbështetje të një kandidati të caktuar. Në këtë proces çdo njëri prej nesh kemi vetëm një votë...Por çdo drejtues në çdo nivel partiak apo në qeverisje ka të drejtë të lobojë publikisht ose jo publikisht për kandidatin e preferuar ose të bashkohet me stafin e tij vetëm pasi ai ose ajo të ketë dhënë dorëheqjen nga funksioni partiak apo publik qeverisë që mban”- vijon më tej Berisha. Në fund, ai kërkoi që ky proces i zgjedhjes së kryetarit të ri të shërbejë si një proces dinjitoz dhe për një fillim të ri të fuqishëm të PD. “Ju ftojmë të shndërrojmë këtë proces në një proces dinjitoz të PD-së për një fillim të ri të fuqishëm të saj!”- përfundon mesazhin e tij drejtuar strukturave të PD, kreu i kësaj force politike dhe njëherësh kryeministri i vendit Sali Berisha. “...Asnjë drejtues në asnjë nivel partiak apo qeverisës të mos prononcohet publikisht apo jo publikisht për shkak të postit që ka në mbështetje të një kandidati të caktuar. Në këtë proces çdo njëri prej nesh kemi vetëm një votë...Por çdo drejtues në çdo nivel partiak apo në qeverisje ka të drejtë të lobojë publikisht ose jo publikisht për kandidatin e preferuar ose të bashkohet me stafin e tij vetëm pasi ai ose ajo të ketë dhënë dorëheqjen nga funksioni partiak apo publik qeverisë që mban”.
...