E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Breçani: PS i ka politizuar veprimet e mia. Unë jam në shërbim të shtetit dhe Edi Ramës (VIDEO)

erzeni

Pas pezullimit nga detyra për thirrjet e bëra në Facebook për rrëzimin e Edi Ramës, Erzen Breçani ka dalë në një konferencë shtypi. Ai ka ripërsëritur faktin se nuk e ka shkruajtur vetë atë gjë në Facebook, duke thënë se ka qenë gjithmonë zbatues i ligjit.

Breçani është shprehur se PS i ka politizuar gjithmonë veprimet e tij, por pavarësisht kësaj, tha se është në shërbim të komunitetit, madje edhe Edi Ramës.

E kam pritur pezullimin nga detyra, derisa të sqarohen rrethanat. Unë, Erzen Breçani nuk bëj thirrje që bien ndesh me ligjin. Unë, Erzen Breçani, punonjës policie prej 20 vitesh, jam përpjekur dhe kam realizuar me përgjegjësi ligjore dhe profesionale të gjitha detyrat që më janë ngarkuar. Përgjatë përmbushjes së detyrës time, kam respektuar në çdo rast vetëm ligjin. Veprimet e mia u politizuan nga Partia Socialiste. Kam punuar gjithmonë me përkushtim, por individë të veçantë të PS-së i kanë politizuar qëndrimet e mia. Jam ofenduar dhe provokuar po nga këta persona gjatë gjithë kohës. Zoti Tahiri më ka ofenduar, gjithashtu edhe Fatmir Xhafaj e Sadri Abazi më kanë fyer gjatë punës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Në faqen time të FB ka dalë shkrimi, por sektori i krimeve kompjuterike do të hetojë, tha Breçani.

Ai u shpreh se kurrë nuk ka pasur kërcënime nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Me liderin e Partisë Socialiste nuk kam pasur asgjë. Kam pasur një komunikim normal, ashtu si me të gjithë liderët e partive që kanë numrin tim, numër të cilin ia kam dhënë vetë për çdo problem të mundshëm. Jam në shërbim të komunitetit dhe në shërbim të Edi Ramës. Kam qenë dhe do të jem, jua siguroj këtë, ka thënë Breçani gjatë konferencës së shtypit./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›