Berisha: Duhet të përfundojë procesi i privatizimeve
Kryeministri Sali Berisha ka vënë sot theksin në procesin e privatizimeve në vend ndërsa ka kërkuar finalizimin sa më të shpejtë të këtij procesi. Duke folur në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se duhet të shiten ajo çfarë ka mbetur në asetet apo aksionet e ndërmarrjeve të mëdha të privatizuara.
"Procesi i privatizimit është një proces jetik në reformën ekonomike të një vendi. Me rëndësi të jashtëzakonshme për luftën kundër korrupsionit. Pasi është e faktuar se pronësia dhe menaxhimi privat përbën një kusht themelor të luftës kundër korrupsionit dhe zvogëlimit kundër këtij fenomeni me pasoja të rënda", u shpreh Berisha.
Ai u shpreh se qeveria ka kontaktuar me kompani mjaft të fuqishme që njohin tregjet dhe do të krijojnë kushtet më të mira të privatizimeve. Ai u shpreh se pronë publike do të jenë; shkollat, spitalet, digat dhe pronat pa pronar.
“Qëllimi i privatizimit është rrija e madhe e efiçenës së menaxhimit. Për këtë qëllim, për të kapur një nivel të ri menaxhimi është e domosdoshme të procedohet me shpejtësi drejt privatizimit”, theksoi Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu theksoi se Shqipëria ka ecur me sukses drejt privatizimit duke shënuar një standard të lartë.