E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Dumani, autor për grushtin e shtetit ndaj opozitës

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se marrja e kompetencave të komisionerëve publikë nga kreu i SPAK, Altin Dumani “përbën një zhvillim negativ”.

Në një konferencë për mediet, Berisha u shpreh se “kreu i një organizate kriminale, që unë shumë shpejt do nxjerr dokumentet këtu, merr në dorë për të verifikuar të tjerët, në një kohë kur ai për veprimtarinë e tij duhet të jetë në qeli. Ai fle mbi krimin, fsheh krimin. Ai është pronari i tre shtëpive me rrogë shteti, që të garantoj se nuk ka qytetar shqiptar që ka punuar në shtet me ndershmëri, nga president republike e poshtë, që mund të blejë jo tre, por asnjë banesë të vetme pa kredi. Unë që po flas këtu, e shita atë që kisha, e cila ishte nja 40 metra më e vogël se kjo që mora. Pra unë bleva 40 metra. Antony Blinken e shpalli kampion se ishte autor i grushtit të shtetit që ndërmori vetë zoti Blinken kundër opozitës shqiptare”.

Berisha tha se “ajo që bëri zoti Blinken dhe Xhorxh Soros ishte një grusht shteti ndaj demokracisë, ndaj opozitë shqiptare. Altin Dumani hyri në lojë me urdhër po të diplomatëve amerikanë dhe të Edi Ramës në një kohë kur ata dështuan me forma të tjera, me formën e gostitjes më bar të demokratëve”.

Gjithashtu, ktreu i PD deklaroi se pensionistët po përballen me barrë të rëndë për shkak të TVSH-së, të cilën e paguajnë për çdo produkt ushqimor.

Berisha propozoi krijimin e një “karte të konsumatorit”, që do të mundësojë rimbursimin e 100% të TVSH-së për produktet bazë të shportës për çdo pensionist dhe çdo familje që është në vështirësi ekonomike.

Berisha shpjegoi se ka dy mundësi për zbatimin e kësaj skeme, njëra për të ulur TVSH-në për produktet ushqimore dhe tjetra për të hequr tërësisht këtë taksë, por ai argumentoi se mënyra më e drejtë është që TVSH të mbetet e pandryshuar dhe që rimbursimi të bëhet vetëm për pensionistët dhe familjet që përballen me vështirësi ekonomike.

Ai gjithashtu përmendi një mekanizëm të ri për të shmangur evazionin fiskal, ku çdo faturë e poseduesit të kartës do të depozitohet, do të kontrollohet dhe rimbursohet pas një periudhe 6-mujore.

“Ekspertët e ekonomisë dhe fushës dixhitale kanë një skemë të shkëlqyer për të shmangur çdo lloj evazioni, pasi çdo faturë e atyre që paraqesin këtë kartë, do depozitohet në një server dhe në krye të 6 muajve do bëhet bilanci, 20-30 ditë mbrapa dhe poseduesi i kartës do marrë të gjithë pagesat që ka bërë për TVSH-në”, tha Berisha.

Berisha bëri dhe disa krahasime të masës së pensioneve në vend me ato të vendeve të rajonit.

“Po të kesh parasysh pasuritë e pakrahasueshme të Shqipërisë me këto vende, po të kesh parasysh faktin se në Shqipëri paguheshin në vitin 2013, 20 deri në 30 përqind më shumë se në këto vende pensionet, atëherë e kupton se kemi të bëjmë me një diskriminim të pafalshëm, çnjerëzor të kësaj shtrese, e cila ka shkrirë të gjitha energjitë e vet gjer në moshën e pensionit”, tha ai.

Po ashtu, Berisha tha se ka kërkuar nga ekspertët të përgatisin çmimin proporcional të energjisë dhe ujit për pensionistët.

Berisha u ndal edhe tek votimi i diasporës, duke theksuar se PD ka organizuar një seri takimesh.

“Po përgatiten takime të tjera për të tërhequr mendimet e tyre, për të ftuar ata të marrin pjesë dhe po bëjmë një përpjekje të madhe për identifikimin e shqiptarëve jashtë vendit dhe për t’i ftuar ata të marrin pjesë në procesin e votimit”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›