Berisha: Dumani mburojë e vjedhjeve, kreu i SPAK po amniston Edi Ramën dhe Belinda Ballukun

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha iu kundërpërgjigj rivalit politik Edi Rama në lidhje me drejtuesin e Prokurorisë se Posaçme kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit Altin Dumani.
Berisha para gazetarëve deklaroi se kryeministri Edi Rama mbron drejtuesin e SPAK-ut, pasi sipas tij ky institucion nuk e ka marrë në pyetje qoftë edhe njëherë të vetme.
“Ai, edhe këpucët duhet t’i fshijë Altin Dumanit”, tha Berisha.
Berisha përsëriti akuzat ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani se po amniston kryeministrin Rama e zëvendëskryeministren Balluku për disa prej projekteve më korruptive të viteve të fundit.
“Ai duhet të bëjë nga mëngjesi gjer në darkë lavde, elozhe dhe t’i lëpihet Altin Dumanit aty pikërisht se Altin Dumani është bërë mburojë e këtyre vjedhjeve, e këtyre krimeve të paimagjinueshme, të gjitha të dokumentuara këto që thashë. Po të mos ishte Altin Dumani, a mund të ndodhte që një vepër publike siç është djegësi i Tiranës 130 milionë euro, që nuk ekziston as nam as nishan, të mos u faturohet njerëzve kryesorë, por dy drejtorëve. Në një kohë kur pronarët kryesorë janë Edi Rama dhe Erion Veliaj”, tha kreu i PD-së.
Akuzat ndaj SPAK-ut Berisha i artikuloi gjatë prezantimit të programit për shëndetësinë.
“Një reformë e thellë, e shpejtë dhe e gjithanshme në të cilën ka një synim dhe vetëm një synim, rritja e shpejtë e cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët shqiptarë dhe ulja drastike e barrës financiare të tyre në kujdesin shëndetësor. Kjo barrë sot shkon në 60 përqind, në një kohë kur në Gjermani është 12 përqind, në Itali është 21 përqind. 60 përqind është ndër më të lartat në botë dhe e tëra është korrupsion”, tha Berisha.
Kryetari i PD Berisha deklaroi se të gjitha koncesionet në sektorin e shëndetësisë do të anulohen pasi sipas tij janë korruptive./vizionplus.tv