E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Edhe zgjedhjet e vitit 2013 do i fitojmë se kemi çështje kryesore luftën kundër korrupsionit

Share

E kane fituar betejen me korrupsionin?

Kryeministri Sali Berisha foli gjatë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD në lidhje me çështjen e imunitetit. Berisha tha se ata i kanë bërë lëshime opozitës në këtë drejtim.

Mendoj se përsëri sot dhe në këtë periudhë, kryefjala është dhe mbetet votimi në parlament i reformës zgjedhore dhe votimi i amendamenteve për imunitetin dhe heqjen e tij. Zotërinj deputetë, reforma zgjedhore ishte një proces i komplikuar, i cili kaloi në adresimin e dhjetëra rekomandimeve të ODIHR dhe vërtet votimi i saj përbën një arritje të madhe për qytetarët shqiptarë, pasi do kemi një kuadër konsensual, siç e kishim të parin, por kësaj here me rekomandimet e ODIHR, tha Berisha.

Gjykoj se nëse ky ishte një proces i komplikuar që kaloi me konsensus për faktin e vetëm se ne bëmë lëshime. Është në detyrimin e qeverisë, që është e vendosur për zgjedhje të lira e të ndershme, ti japë opozitës të gjitha siguritë e nevojshme që ajo kërkon. Pra në rast se ky ishte proces i komplikuar, reforma për imunitetin është një debat që zhvillohet që nga viti 2005 me ardhjen tonë në pushtet, për të mos thënë përpara e gjer tani. Është një reformë tërësisht e kompletuar. Historiku i saj për çdo shqiptar është i qartë. Opozita kundërshtoi projektin tonë të parë duke thënë se heqja e imunitetit nuk mund të bëhet pa ndryshimin e Kushtetutës. Komisioni i Venecias deklaroi se imuniteti mund të hiqet përmes ligjeve organike. Por opozita ishte sërish kundër, duke kërkuar që imuniteti të hiqet me ndryshim të Kushtetutës, vijoi kryeministri.

Berisha i bëri thirrje opozitës dhe Edi Ramës të votojë heqjen e imunitetit.

Theksoj edhe një herë se për çdo shoqëri të lirë, armiku numër një i tyre përveç sëmundjes është korrupsioni, i cili jep varfëri, i cili dhunon liritë e të drejtat e qytetarëve, i cili bllokon funksionimin normal të shtetit ligjor. Ndaj evolucioni i madh i viteve të fundit në mbarë botën është qëndrimi ndaj imunitetit. Unë jam këtu edhe njëherë për ti bërë thirrje zotit Rama që të votojë amendamentet për heqjen e imunitetit të politikanëve e zyrtarëve, të cilat janë hartuar nga ekspertët më të mirë dhe që sjell risitë më të rëndësishme të të drejtës kushtetuese. Ti votojë sepse ky është interesi jetik i çdo qytetari shqiptar, i çdo taksapaguesi shqiptar. Ti votojmë sepse çdo hezitim i cilitdo politikani për të mbështetur heqjen e imunitetit do ketë jehonën më negative tek çdo qytetar, pavarësisht nga përkatësia e tij partiake, deklaroi kryeministri.

Ne kemi qenë për heqjen e imunitetit edhe në vitin 2003, kur e dini se çfarë klime mbizotëronte. PS deri më sot nuk ka formuluar një qëndrim të qartë dhe përfundimtar. Uroj e dëshiroj që këtë çështje të mos e bëjë çështje debati për kapital politik, por ta bëjë çështje interesi jetik për qytetarët shqiptarë.

Kryeministri e mbylli këtë çështje duke thënë se ata fituan zgjedhjet e vitit 2009 se kishin çështje kryesore luftën kundër korrupsionit dhe do fitojnë zgjedhjet e ardhshme pikërisht se kanë si çështje kryesore këtë luftë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›