E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Edi Rama ta shohë me dylbi karrigen e kryeministrit”

21-12-2012 / Gazeta 55

Shefi i mazhorancës denoncoi dje në parlament alternativën e bllokimit, që po paraqet prej 3 vitesh opozita, si tregues i makthit më të madh të sterilitetit dhe të shterpësisë politike, çka e ka shndërruar atë në opozitë të thashethemit dhe trillimit
Deklarata/PS si partia e Sheshelit
Fakti/“Opozita s’votoi buxhetin më të madh në histori, pse sheh tmerrin e vërtetë të qershorit”

Në prag të mbylljes së sesionit parlamentar dhe të vitit kalendarit, kryeministri Sali Berisha i ka bërë sërish thirrje Partisë Socialiste të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të votojë 3 ligjet e integrimit. Gjatë diskutimeve në seancë plenare, Berisha tha se Komisioni Evropian dha në muajin Tetor rekomandimin pozitiv për statusin, por opozita e bllokoi atë, duke mos votuar ligjin për Gjykatën e Lartë, Rregulloren e Parlamentit dhe Nëpunësin Civil. “Do t’ju bëj edhe një thirrje. Janë 3 ligje të cilat prekin, në disa mënyra, të ardhmen e shqiptarëve, dinjitetin e shqiptarëve, kontot dhe mirëqenien e shqiptarëve. Këto janë ligjet që pret Komisioni Evropian, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin. Unë ju bëj thirrje; ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë suaj qytetare, ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë suaj si politikanë dhe i votoni këto ligje. Për tre muaj me radhë, u përpoqët çdo ditë të mashtronit shqiptarët se ato nuk janë kushte dhe se Komisioni Evropian, në tetor, botoi raportin dhe dha mendim pozitiv për Shqipërinë, me kushtin që ju të votoni 3 ligjet me të cilat ju po mbani peng statusin e Shqipërisë dhe e keni ngritur atë si mur i tmerrshëm bllokimi, për ta shembur ne, në qershorin që vjen. Vazhduat njëlloj si ditën e ftesës për në NATO, me mashtrimin se vende anëtare nuk do të lejojnë që Shqipëria të marrë statusin. Madje rendët, kur një parti ekstremiste dhe anti-islamiste në një vend mik, ia doli që, sapo mori rekomandimin, të diktojë se Shqipërisë nuk do t’i jepet statusi, por që më vonë, edhe ajo e ndryshoi mendimin. Sepse ajo qeveri është një qeveri demokratike, është një qeveri që vlerëson vlerat. Pra, edhe aty ku besuat ju se nuk do kishte rekomandim, edhe aty u përmbys”, tha kryeministri.
Ai theksoi se opozita nuk konsideron serioze rekomandimet e këshillit të ministrave të BE, por citon qëndrimet konfuze të ndonjë ambasadori, të cilat nuk shprehin qëndrimin zyrtar të Brukselit. “Çfarë ndodh me ju? Ju përpiqeni të gjeni çdo fije bari për t’u kapur dhe për t’i bërë dëm procesit të integrimit. Mblidhet Këshilli i të gjithë Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe paraqet si kërkesë plotësimin e tri kërkesave të Komisionit Evropian, ndërsa ju nuk citoni 27 ministra të BE-së, por citoni deklaratat konfuze të një ambasadori apo të një tjetri, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët dhe nuk shprehin askurrkund mendimin e Këshillit Evropian, që shprehet gjithnjë nëpërmjet ministrit kryesues të presidencës së radhës së BE-së. Ju harruat se këtë gjë bëtë edhe kur u anëtarësua Shqipëria në NATO. A i keni ende midis jush, apo i keni shkarkuar, për gafat që bënë në atë kohë, njerëzit që merreshin me politikën e jashtme, vetëm e vetëm se dilte dhe u thoshte një x apo y person, se nuk është e sigurt ftesa për anëtarësim në NATO, në Bukuresht? Madje bërtitët me forcë se nuk do të votojë as senati amerikan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, theksoi Berisha.

Kreu i qeverisë i drejtoi një apel Partisë Socialiste që të heqë dorë nga trillimet dhe thashethemet në “darkat e gabuara” në mbrojtje të Enver Hoxhës, dhe të kontribuojë për sfidat e integrimit të vendit. “Mos u merrni me thashetheme, mos u bëni opozita e thashethemit, hiqni dorë nga ‘darkat e gabuara’ në mbrojtje të Enver Hoxhës, besojini transparencës evropiane, të Bashkimit Evropian, të institucioneve të tij. Unë kam dëgjuar këtu edhe eksponentë kryesorë të Komisionit parlamentar të Integrimit që të thonë në emisione televizive; mos përmendni Parlamentin Evropian për statusin, sepse nuk ka vlerë Parlamenti Evropian. Çmenduria nuk mund të ketë emër tjetër, marrëzia dhe injoranca nuk mund të kenë emër tjetër, përves këtij. Por, Parlamenti Evropian është institucioni qendror dhe, të gjithë ata që njohin ligjin e ri të BE-së, e dinë se cili është roli i këtij parlamenti në të gjitha proceset e integrimit, përveçse për opozitës shqiptare, e cila thotë se ajo rezolutë nuk ka rëndësi. Duhet të dalin çdo tri ditë, të huajt e t’ua lexojnë kushtet, vetëm e vetëm që t’ju thonë ‘mos u bëni e keqja e Shqipërisë’. Ata të huaj që jua thonë, duan që  të mos shohin të keqen e vendit. Ata nuk e bëjnë për mua atë thirrje, sepse ata e dinë që unë bej interpretim të saktë, nuk e bëjnë për qeverinë, sepse e dinë që qeveria ka bërë interpretim të saktë të dokumenteve të tyre”, shtoi kryeministri.
Një tjetër detaj i kryeministrit Berisha, për qëndrimin e opozitës kundër statusit të vendit kandidat, ishte krahasimi që ai i bëri PS-së me partinë ekstremiste dhe anti-evropiane të Vojsllav Sheshel. Në këtë linjë, kryeministri tha se ajo që duan të shohin partnerët ndërkombëtarë, janë konstruktiviteti dhe bashkëpunimi politik dhe jo një forcë politike bllokuese dhe anti-evropiane që i shkakton Shqipërisë miliona euro humbje nga fondet e BE. “Ata e bëjnë për ju, me keqardhje të madhe, ata nuk duan të shohin një forcë politike si të keqen e qytetarëve të vet, ata nuk mund të shohin në Evropë një forcë politike si të keqen e procesit të integrimit, sepse e tillë nuk ka qenë as partia e Sheshelit, se të tilla nuk kanë qenë as partitë më ekstremiste të Ballkanit. Ata nuk duan të shohin në Evropë, një forcë politike të përbërë nga 75 ministra e kryeministra të qeverisjes së saj, që tani bëhen bllok -kallkan në procesin e integrimit të vendit. Ata nuk duan të shohin një forcë politike e cila, për 3 ligje, mban peng 200 milionë euro për rrugët, rrugicat, ujësjellësit dhe shkollat e fëmijëve shqiptarë. Kjo është arsyeja që ua rikujtojnë çdo 3 ditë dhe që ju i detyroni të përgënjeshtrojnë mashtrimin tuaj, që bëni çdo tre ditë”, tha më tej kreu i qeverisë.
Gjithashtu, shefi i ekzekutivit solli në vëmendje propagandën e mashtrimit të opozitës, për të lidhur statusin me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në vijim të ngritjes së çdo barrikade bllokimi kundër integrimit. Në këtë kuadër, Berisha deklaroi se duke penguar me çdo mjet të ardhmen evropiane të vendit, Rama do detyrohet ta shohë me dylbi karrigen e Kryeministrit. “Keni angazhuar në media megapropagandën e mashtrimit, që t’u thonë shqiptarëve se statusi është i lidhur me zgjedhjet, a thua se shqiptarët jetojnë në anën e pasme të Hënës e nuk e dinë se çfarë janë zgjedhjet, se shqiptarët nuk dëgjojnë çdo ditë mediat, të cilat u thonë se statusi është i lidhur me 3 kushtet që bllokon Edi Rama për karrigen e tij. Dilni mbi interesat e karriges së Kryetarit, sepse ju jap fjalën e nderit se, në këtë mënyrë, ai nuk do ta shohë veçse me dylbi karrigen e Kryeministrit”, përfundoi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›