Egjipti: India apo Pakistani i ardhshëm?
Po, demokracia ka rëndësi. Por, “Vëllazëria Myslimane” duhet ta kuptojë se demokracia është shumë më tepër, sesa të fitosh një palë zgjedhje. Është mbështetje e një kulture të përfshirjes dhe e dialogut paqësor, ku respekti për liderët fitohet duke mundur kundërshtarët me kompromise, e jo diktim të gjërave
Nga Thomas L. Friedman
(Nju Jork Tajms)
Tri javë më parë, kryeministri i Indisë emëroi Syed Asif Ibrahimin drejtor të ri të Zyrës indiane për Inteligjencë. Ibrahim është mysliman. India është shtet me shumicë të popullsisë hindu, por në të njëjtën kohë është shteti i tretë në botë për nga numri i myslimanëve. Kërcënimi më i madh Indisë sot i kanoset prej ekstremistëve të dhunshëm myslimanë. Për Indinë, vendimi për ta caktuar një mysliman që të jetë shef i Shërbimit të Inteligjencës është punë e madhe. Por kjo është po ashtu pjesë e një evolucioni të fuqizimit të pakicave. Kryeministri indian dhe komandanti i Shtabit të Përgjithshëm në këtë shtet janë sikhë, derisa ministri i Jashtëm indian dhe drejtuesi i Gjykatës Supreme janë që të dytë myslimanë. Kjo do të ishte njëjtë sikur Egjipti të emëronte një të krishterë kopt komandant të Shtabit të Përgjithshëm.
“Absurde”, do të mund të thuhej në Egjipt. Paj, po, kjo vlen sot për Egjiptin. Por, po qe se gjendja mbetet e tillë edhe pas një apo dy dhjetëvjeçarëve, atëherë do ta dimë se demokracia në Egjipt ka dështuar. Do ta dimë se Egjipti e ka marrë rrugën e Pakistanit, e jo të Indisë. Pra, në vend se të bëhet shtet demokratik, ku qytetarët e tij realizojnë potencialin e plotë, Egjipti të bëhet shtet mysliman, ku ushtria dhe “Vëllazëria Myslimane” ia bëjnë qejfin njëra-tjetrës, në mënyrë që të dyja të mbesin në pushtet në periudhë të pacaktuar dhe “populli” të jetë thjesht spektator. Se a do të bëhet Egjipti më shumë si Pakistani, apo India, një gjë e tillë do të ketë ndikim në të ardhmen e demokracisë në tërë botën arabe. Sigurisht se India ende ka probleme me qeverisje dhe popullsia e saj myslimane vazhdon të përballet me diskriminim. Sidoqoftë, “demokracia ka rëndësi”, thotë Tufail Ahmad, myslimani indian që drejton Projektin për Studime të Azisë Jugore në Institutin për Hulumtime të Lindjes së Mesme, për shkak se “është demokracia në Indi ajo e cila gjatë gjashtëdhjetë vjetëve ka shkatërruar gradualisht barrierat – si fisi dhe feja – duke ua hapur në këtë mënyrë rrugën strukturave të ndryshme të shoqërisë indiane që të ngrihen në bazë të meritave, gjë të cilën e ka bërë edhe Ibrahim”. Dhe janë këta gjashtë dhjetëvjeçarët e tiranisë në Egjipt që kanë lënë një shtet thellësisht të ndarë, ku segmente të mëdha nuk njohin, apo nuk besojnë njëra-tjetrën dhe ku qarkullojnë shumë teori konspiracioni. I tërë Egjipti sot duhet që të mendojë thellë për këtë gjë: si arriti India, edhe ajo ish-koloni britanike, që të jetë në gjendjen në të cilën ndodhet sot (ta lëmë anash kulturën hindu)? Përgjigjja e parë është koha. India është një demokraci funksionale tashmë sa dhjetëvjeçarë dhe, para pavarësisë, ka luftuar për demokraci. Egjipti ka pasur më pak se dy vjet. Terreni politik i Egjiptit ka mbetur i ngrirë dhe i monopolizuar për dhjetëvjeçarë të tërë - derisa gjatë kësaj periudhe, liderët politikë si Mahatma Gandhi, Jawaharlal Nehru dhe Manmohan Singh “ishin duke ndërtuar një sistem divers, me shumë palë, por jashtëzakonisht fleksibël akomodues”, thekson eksperti për demokraci i Universitetit të Stanfordit, Larry Diamond, autor i librit “Fryma e Demokracisë: Beteja për ndërtimin e shoqërive të lira në botë”. Po ashtu, partia dominante politike në Indi, kur ajo la pas periudhën kolonialiste “ishte mbase partia më multietnike, përfshirëse dhe demokratike në ndonjë koloni të shekullit të 20-të – Kongresi Nacional Indian”, ka thënë Diamond. Në anën tjetër, partia dominante në Egjipt, kur populli egjiptian rrëzoi tiraninë e Hosni Mubarakut, “Vëllazëria Myslimane”, ishte “një parti fetare përjashtuese, me rrënjë thellësisht autoritare, që vetëm tani është duke evoluuar drejt diçkaje më të hapur dhe më pluraliste”.
Për më tepër, shkruan Diamond, është mirë të krahasohen filozofinë dhe trashëgimtarët politikë të Mahatma Gandhit dhe Sayyid Qutbit, frymëzimit të “Vëllazërisë Myslimane”. “Nehru nuk ishte i shenjtë, por u mundua që ta ruante një frymë tolerance dhe konsensusi, si dhe të respektojë rregullat”, shkruan Diamond. Ai po ashtu i kushtoi rëndësi të madhe arsimimit. Për dallim prej tij, shkruan Diamond, “prijësit e ‘Vëllazërisë Myslimane’, që kanë qenë në krye që nga koha që Egjipti rrugëtimin drejt zgjedhjeve, kanë larguar të moderuarit brenda partisë së dytë, kanë marrë kompetenca shtesë, kanë rrahur rivalët e tyre nëpër rrugë dhe tani po mundohen ta imponojnë një kushtetutë, për të cilën nuk ka konsensus, tek një segment i madh i shoqërisë egjiptiane, që ndihet i përjashtuar”. Pastaj është ushtria. Për dallim prej Pakistanit, liderët indianë të pas periudhës së pavarësisë, e ndanë ushtrinë nga politika. Fatkeqësisht, në Egjipt pas grusht shtetit të vitit 1952, Gamel Abdel Nasser solli ushtrinë në politikë dhe të gjithë pasardhësit e tij, deri tek Mubaraku, e mbajtën ushtrinë, duke i dhënë fuqi si asaj, ashtu edhe Shërbimit të inteligjencës.
Pas rrëzimit të Mubarakut dhe pasi që drejtuesit e “Vëllazërisë...” e kthyen ushtrinë në kazerma, gjeneralët egjiptianë e ndienin se duhej të arrinin një ujdi, për të mbrojtur interesat e tyre të shumta ekonomike. “Bashkëpunimi i tyre i ngushtë me regjimin në rendin e vjetër i ka komprometuar ata te rendi i ri”, ka thënë Diamond. “Tani ata nuk janë në gjendje të veprojnë si ndikim kufizues”. Po demokracia ka rëndësi. Por “Vëllazëria Myslimane” duhet ta kuptojë se demokracia është shumë më tepër, sesa të fitosh një palë zgjedhje. Është mbështetje e një kulture të përfshirjes dhe e dialogut paqësor, ku respekti për liderët fitohet duke mundur kundërshtarët me kompromise, e jo diktim të gjërave. Ekonomisti indian që fitoi “Nobelin”, Amartya Sen, tashmë një kohë të gjatë ka argumentuar se ishte historia e dialogut dhe e argumentimit në Indi, ajo që përmbushi institucionet formale të demokracisë. Më tepër se asgjë, Egjipti tani duhet ta zhvillojë atë lloj të kulturës së dialogut, të argumentimit paqësor dhe me respekt, që u shtyp tërësisht gjatë regjimit të Mubarakut. Zgjedhjet pa atë kulturë janë si kompjuteri pa softuer. Thjesht nuk funksionojnë.