Fakti/“Opozita s’votoi buxhetin më të madh në histori, pse sheh tmerrin e vërtetë të qershorit”
“Opozita nuk voton buxhetin më të madh në histori se sheh tmerrin e vërtetë të qershorit”. Kështu e ka përkufizuar kryeministri Sali Berisha mos votimin e buxhetit të vitit 2013 në nisje të fjalës së tij në seancën e djeshme plenare. Ai tha se opozita po bën show tragjik, duke u pozicionuar si forca politike unike në botë, që nuk voton buxhetin, i cili më shumë se çdo buxhet tjetër shndërrohet në para të 800 mijë familjeve shqiptare. “Opozita sot dëshmon se ka interesa të madha dhe do të meritojë të quhet akcizë opozita, e vetmja opozitë që kundërshton ndryshimet në akciza të kanë dy synime kryesore, krijimin e vendeve të punë në Shqipëri, procesin e përpunimit dhe qëllimin e dytë të padiskutueshëm luftën kundër kontrabandës. Opozita është e dhimbshme, është unike në botë që nuk voton buxhetin, i cili më shumë se çdo buxhet tjetër në historinë e shqiptarëve, shndërrohet në para në kontot dhe xhepat, portofolat e 800 mijë familjeve shqiptare. Nuk voton buxhetin , i cili më shumë se çdo buxhet tjetër shndërrohet në rrugë, rrugica, shkolla, spitale për qytetarët shqiptarë. Nuk keni votuar buxhetet, të cilat kjo qeveri ka faktuar para shqiptarëve dhe botës konvertimin, kthimin më të fuqishëm të rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët, të pasurive në mirëqenie dhe vlera për qytetarët”, u shpreh më tej Berisha. Kreu i qeverisë specifikoi se vota kundër e opozitës ka qenë ndaj çdo dokumenti të qeverisë, që ka për synim përmirësimin e situatës ekonomike dhe rritjen e mirëqenies sociale.