E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Ekonomia shenoi treguesit me te larte kete tremujor

Qeveria duke respektuar plotësisht të gjithë treguesit e parashikuar makroekonomik do të jetë në gjendje t’i përgjigjet pikë për pikë rritjes së pensioneve, rritjes së ndihmës ekonomike dhe rritjes së rrogave të administratës.

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e radhës e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të cilët fillimisht mbajtën një minutë heshtje në nderim të kujtimit të kryegjyshit të bektashizmit, Baba Dedë Reshat Bardhi.

Kryeministri Berisha u ndal gjatë kësaj mbledhje në ecurinë e ekonomisë së vendit, performanca e së cilës nuk garanton vetëm rritjet e rrogave dhe pensioneve, por garanton edhe përmbushjen e të gjitha projekteve të mëdha e të vogla të shpallura për këtë vit.

“ Ky tremujor mbyllet me rezultate konkrete ekonomike në prodhim dhe të ardhura më mirë se çdo tremujor tjetër në historinë e vendit. Në këtë tremujor eksportet kanë një rritje totale prej mbi 68 përqind, ndër të cilat rritja e eksporteve ‘Made in Albania” përbën pjesën e luanit.”, është shprehur kryeministri Sali Berisha duke theksuar se “ vendimi i fundit që mori qeveria dhe që shumë shpejt do të vij në Parlament, për të hequr tarifën për mallrat e importuara nga sipërmarrjet fason dhe rieksportin e tyre si prodhime më pas, është një masë që do të fuqizojë dhe do të ndihmojë shumë shndërrimin e këtyre ndërmarrjeve në ndërmarrje prodhuese e eksportuese tërësisht shqiptare. Do të ndikojë fuqishëm në krijimin e dhjetëra e mijëra vendeve të reja pune, si dhe përbën një ftesë e inkurajim të madh për investitorët e kësaj industrie nga mbarë bota që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri”

“Unë do e vlerësoja të një rëndësie shumë të veçantë performancën e të ardhurave, e cila krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar është shumë e mbarë. Kjo do të thotë se qeveria duke respektuar plotësisht të gjithë treguesit e parashikuar makroekonomik do të jetë në gjendje t’i përgjigjet pikë për pikë rritjes së pensioneve, rritjes së ndihmës ekonomike dhe rritjes së rrogave të administratës. Mendoj se ky është një lajm i gëzueshëm për 810 mijë familje shqiptare, në buxhetin e të cilave rrogat apo pensionet kanë kontributin kryesor familjar. Kjo ndodh në Shqipëri, si një nga vendet më të pakta në Europë dhe në botë, pasi siç jeni në dijeni në vende të tjera vazhdon masivisht ulja e rrogave e pensioneve. Jo vetëm që janë ndërprerë, por ato po ulen. Performanca ekonomike nuk garanton vetëm rrogat dhe pensionet, të cilat unë i garantoj të parat, por garanton përmbushjen e të gjitha projekteve të mëdha e të vogla, të shpallura për këtë vit”, ka deklaruar kreu i qeverisë, Sali Berisha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›