E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Emërimi i Anuela Ristanit, antikushtetues

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë me gazetarët e cilësoi si antikushtetues emërimin e Anuela Ristanit si kryetare të komanduar në krye të bashkisë së Tiranës, pas arrestimit të Erion Veliajt.

“Se kush do të drejtojë bashkinë ka tagër të plotë të përcaktojë këshilli bashkiak, me Kushtetutë. Dhe në një mënyrë apo një tjetër, kjo e delegimit të firmës është e drejtë personale e atij që beson firmën, se firma nuk i jepet kujtdo”, tha Berisha.

“Pra, rezulton se zonja Ristani e cila betohet se nuk është konfidente e Edi Ramës, dhe mund të mos jetë, se nuk e njoh, por zonja Ristani pranon emërimin e saj antikushtetues në krye të bashkisë nga Edi Rama. Ajo këtë emërim duhet ta kërkonte sipas Kushtetutës nga këshilli bashkiak”, u shpreh Berisha.

Berisha kërkoi që Avokati i Popullit të ndërmarrë një hetim të plotë në lidhje me ndryshimet që janë kryer në bashkinë e Tiranës.

“Si mundet që një i burgosur të nxjerrë shkresa me firmë dhe vulë? Pra është i domosdoshëm një hetim nga Avokati i Popullit. I bëj thirrje dhe zyrës së OSBE-së të mbikëqyrë këto zhvillime që nuk ekzistojnë, që pasurojnë shumë serinë e Narcosit. Bashkia është e pavarur nga ekzekutivi”, tha Berisha.

I pyetur nëse ka ndryshuar qëndrim për ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, Berisha tha  se “nuk kam ndryshuar asnjë qëndrim nga deklaratat e mia, për të cilat unë kam ftuar dhe ftoj përsëri FBI-në, Inspektorin e Përgjithshëm në Departamentin e Shtetit, Kongresin të hetojë mbi akuzat e bëra për korrupsion”.

I pyetur mbi mesazhet në distancë mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, Berisha u shpreh se “zoti ua shtoftë, ai do të ndihmojë Bashën, e ka idil tani”.

Sipas Berishës, “do të mbulojë faktin se nuk paraqet asnjë program, askërkund vetëm nxjerr një pasaportë nga xhepi që ja kripën në Bruksel…”

/r.e/ /a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›