E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Entuziazëm dhe optimizëm për programin e PD

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se “fillimi i fushatës elektorale ka sjellë një shpërthim të besimit tek opozita”.

Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se “programi i PD-së po bën fole çdo ditë e më shumë në mendjet dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë”.

Berisha vlerësoi se hapja e fushatës elektorale me datën 11 prill në sheshin “Nënë Tereza” ishte ndër më të bukurat që ai shesh ka njohur ndonjëherë.

“Por, po kaq ishte edhe konventa e PD-së, ku delegatët e saj, por edhe të ftuar, mirëpritën me entuziazëm të madh dhe optimizëm programin e PD për Shqipërinë Madhështore në katër vitet që vijnë. Breshia ishte një pikë kulmore tjetër e këtij programi, e këtij turi, e kësaj fushate. Një entuziazëm i papërshkruar, një optimizëm dhe vendosmëri e madhe e shqiptarëve në diasporë për datën 11 maj, për fitoren e PD-së dhe rotacionin e pushtetit”, tha ai.

Duke folur për takimin me shqiptarët në Breshia të Italisë, kreu i PD tha se “ishte shumëfishi krahasuar me Milanon e mbushur me patronazhistë”.

“Kjo ishte finalja e fushatës së tyre, unë me njerëz, ai me klikime të blera. Ne do të bëjmë gjithçka që ky program të bëhet pjesë e mendimit të qytetarëve, e debatit, duket i garantuar se në mënyrë absolute, pikë për pikë, do të zbatohet”, shtoi kreu i PD, Sali Berisha.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›