E Martë, 3 Nëntor 2026

Ambasadori i Polonisë: Integrimi i Shqipërisë në BE deri në 2030 plan ambicioz, por i realizueshëm

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Ambasadori i Polonisë në Shqipëri, Vojciech Unolt mbështet anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për RTSH24, ambasadori polak nënvizoi se, Shqipëria ka shprehur ambicien për të qenë pjesë e familjes së madhe ndërsa u shpreh optimist për futjen e vendit tonë në BE deri në vitin 2030.

“E dimë se Shqipëria, qeveria, politikanët shqiptarë, po edhe shoqëria në masë të madhe mbështetin integrim e Shqipërisë në BE. Shqipëria ka shprehur ambicien për të qenë pjesë e BE-së. Edhe Polonia, brenda kompetencave të saj do të përpiqet që ta ndihmojë Shqipërinë”, tha Unolt.

“Shumë shpejt do të hapët edhe raundi tjetër i negociatave, mendoj se kjo dëshirë e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE deri në 2030 mendoj se është një plan ambicioz por edhe i realizueshëm”, theksoi ai.

“Ne kemi dëshirë që të rrisim vëllimin e bashkëpunimit tregtar dhe kulturor mes dy vendeve. Mendoj që do ta mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE”, tha ambasadori i Polonisë në vendin tonë.

Ndërsa për herë të parë në Tiranë do të zhvillohet Java Kulturore e Polonisë, ambasadori fton qytetarët të mos e humbin këtë javë me plot aktivitete.

“Java e parë që Polonia merr pjesë në Javën e Kulturës. Kemi një spektakël me valle popullore polake, kemi filma, kemi aktivitet për fëmijë. Ka edhe dhe koncert xhazi, që do zhvillohet në Tiranë dhe Durrës. Kemi programe posaçërisht për të rinjtë. Shpresoj se do kemi pjesëmarrje të gjerë”, tha Unolt.

Nga data 14 deri më 19 Prill, Tirana dhe jo vetëm, do të transformohen në një skenë të hapur ku do të prezantohet kultura polake në shumë forma dhe ngjyra. Qytetarët do të kenë mundësinë të përjetojnë ditë të mbushura me aktivitete që i flasin ndjeshmërisë, traditës dhe kuriozitetit kulturor, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë mikpritjeje dhe shkëmbimi. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›