Kapen në Morinë 20200 euro të padeklaruara, dy të proceduar

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Dy shtetas nga Kosova janë proceduar penalisht, pasi tentuan të hynin në Shqipëri me një shumë prej 20 200 eurosh të padeklaruara. Shuma e parave u sekuestrua nga Policia Kufitare në pikën e kalimit kufitar Morinë.
Në kuadër të kontrolleve të imtësishme të bazuara në analizën e riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin B. K., 43 vjeç, banues në Mitrovicë dhe pasagjer M. K., 31 vjeç, banues në Suedi.
Gjatë kontrollit fizik, 43-vjeçarit iu gjetën 13 000 euro, ndërsa 31-vjeçarit iu gjetën 7 200 euro, të cilat nuk ishin deklaruar sipas detyrimit ligjor.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, Policia referoi materialet në Prokurorinë e Kukësit, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për dy shtetasit, ndërkohë që shuma e eurove u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
/a.f/r.e/