E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis konsultimi publik për ndryshimet në ligjin “Për nëpunësin civil”, të pranishëm edhe partnerët ndërkombëtarë

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, mori pjesë sot në hapjen zyrtare të dialogut intensiv të konsultimit publik për ndryshimet në ligjin “Për nëpunësin civil”.

Pirdeni u shpreh se, ky është një proces thelbësor për ta ngritur shërbimin civil në standardet që kërkon koha e dikton procesi i anëtarësimit në BE.

Në takim morën pjesë partnerë, ekspertë akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në takim u prezantuan risitë kryesore të ligjit që synojnë një administratë më efikase, meritokratike dhe transparente, me fokus standard unik rekrutimi për gjithë administratën publike, model i ri pranimi në nivelin hyrës, përzgjedhje më transparente për drejtuesit e lartë dhe sistem karriere më të hapur dhe strukturë pagash që shpërblen performancën.

Si pjesë e propozimeve për ndryshim në ligjin aktual është përmirësimi i modelit të Shërbimit Civil në Shqipëri, duke rritur efikasitetin e procesit të pranimit dhe procedurave menaxheriale për shërbimin civil, me qëllim krijimin e kushteve për tërheqjen e sa më shumë profesionistëve të kualifikuar nga jashtë Shërbimit Civil.

Propozohet për më shumë transparencë, fleksibilitet dhe siguri të shtuar në rekrutim dhe trajtimin e nëpunësve të nivelit të lartë.

Sipas ndryshimeve të propozuara do të rritet kufiri për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike brenda një viti.

Gjithashtu do të ketë një strukturë të riformatuar pagash që inkurajon performancën dhe rrit motivimin e punonjësve.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›