Berisha: Fitore historike si 20 vjet më parë. Ne dimë të bëjmë koalicion fitues (FJALA E PLOTE)
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike e ka nisur mbledhjen me një minutë heshtje për viktima e sulmit në Norvegji. Më pas kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij, tha se fitorja e 8 majit, ishte fitore historike. Edhe pse në fakt përdori fjalën 8 korriku më shpesh se tetë maji, Berisha tha se në atë PD fitoi zgjedhjet, kurse në Shqipëri triumfoi shteti ligjor. Berisha tha se gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor vendosën si gjykatësit në Perëndim. Ai shtoi se zgjedhjet e këtij viti ishin një fitore e thellë si 20 vite më parë. Berisha tha se 20 vite më përpara u rrëzua diktatori, tani u rrëzuan pinjollët e tij. Kryeministri sulmoi ashpër mënyrën se si është zhvilluar Tirana këto 20 vite. Ai nuk foli asnjëherë për fitore të PD, por fitore të koalicionit. Berisha tha se shqiptarët kërkojnë koalicionin, dhe ai ka ditur të ndërtojë një të tillë. Kryeministri u shpreh se ndryshe nga kundërshtari i tj, ai u la aleatëve të tij 10 herë më shumë zona të lira në zgjedhje. Berisha ka sulmuar Ramën, duke thënë se ai nuk di as të bëjë opozitë. Kryeministri nuk e shprehu kënaqësinë kur tha se Rama ka zhdukur personalitetet nga partia e tij dhe po bën fushatë me renegatët e PD. Po ashtu Berisha ka quajtur spekulantë ata që flasin për bashkimin kombëtar.
Për zgjedhjet e 8 majit
Më 8 korrik përfundoi procesi i zgjedhjeve vendore të datës 8 maj 2011. Për Partinë Demokratike, aleatët e saj, por për Shqipërinë e mbarë shqiptarët, ky ishte procesi më i bukur i zgjedhjeve vendore dhe në disa aspekte ishte procesi më unik dhe historik që nga zgjedhjet e para të lira vendore të korrikut 1992. Zgjedhjet e 8 majit shënuan fitoren e katërt radhazi të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, të koalicionit të saj. Pas fitores së vitit 2005, 2007 dhe 2009, erdhi edhe kjo fitore si një kurorë tjetër, fitore elektorale e shkëlqyer. Zgjedhjet vendore të 8 majit janë zgjedhjet, në të cilat qytetarët shqiptarë votuan më masivisht se kurrë në zgjedhje vendore, votuan më masivisht se në të gjitha zgjedhjet në 15 vitet e fundit të analizuara, votuan më të lirë, më të sigurt, më me dinjitet se kurrë në historinë e tyre.
Zgjedhjet vendore të 8 majit për Partinë Demokratike, aleatët e saj të bashkuar në Aleancën për qytetarin ishin provë e madhe e besimit, e vlerësimi të qytetarëve për qeverisjen e mazhorancës së tyre, për projektin e tyre Shqipëria vend i zhvilluar.
Në këtë kontekst, në 8 maj të vitit 2011, Partia Demokratike dhe aleatët e saj të Aleancës për qytetarin shënuan në rrafshin e votëbesimit, vlerësimit, certifikimit të qeverisjes së tyre një fitore shumëplanëshe, më të thellë ndonjëherë, theksoj, në historinë e zgjedhjeve vendore. Në këto zgjedhje, qytetarët shqiptarë votuan për Aleancën për qytetarin dhe Partinë Demokratike që udhëhoqi këtë Aleancë, 17 përqind më shumë, 140 mijë vota më shumë, sesa për aleancën e vetmisë së madhe, apo në rrafshin elektoralo-kulturor, aleancën e kazanit. Në këto zgjedhje, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, të grupuar në Aleancën për qytetarin, fituan në 219 komuna dhe bashki të vendit, kundrejt 149 komuna e bashki që fitoi aleanca e vetmisë së madhe.
Për zgjedhjet në Tiranë
Fitorja është historike, sepse kurora e saj është zemra e Tiranës, është kryeqyteti në tërësi. Pas 11 vitesh, Partia Demokratike rikthehet fuqishëm në djepin, ku lindi. Në djepin, ku u themelua. Në djepin, ku u lartësua me shpejtësi të madhe, si forcë kryesore politike e vendit. Rikthehet fuqishëm në djepin e saj, ku shpalosi programin e përmbysjes së një sistemi të vjetër dhe ndërtimin e sistemit të ri. Beteja, mbi të gjitha dhe para së gjithash, u zhvillua njëlloj si 20 vjet më parë, në rrugët e rrugicat e Tiranës. Kjo është e vërteta. Tirana, tironsit, kryeqytetasit votuan me 10 909 vota më shumë Aleancën për qytetarin, në të katër garat e marra së bashku. Kjo përbën një zhvillim historik për Tiranën dhe mbarë vendin.
Në Tiranë u përballën dy kultura. U përball kultura e qytetarit me kulturën e kazanit, të sharjeve e shpifjeve të papërmbajtura e të gjithanshme. Në Tiranë e mbarë Shqipërinë, qytetarët votuan kulturën e qytetarit. Në Tiranë u përball morali qytetar me mafien më të rrezikshme dhe tentakulat e saj, që për 11 vite e ngërtheu kryeqytetin në mënyrën më të pamëshirë. Këto klane bënë gjithçka që vullneti i qytetarëve të Tiranës të mos triumfonte, bënë gjithçka që të nëpërkëmbnim këtë vullnet, siç kishin bërë në zgjedhjet e mëparshme, bënë çdo gjë që të mbanin Tiranën nën kthetrat e tyre.
Ne shprehëm besimin tonë të plotë tek shteti ligjor i vendit dhe institucionet e pavarura. Për ne, kishte rëndësi vendimtare mbizotërimi i shtetit ligjor. Ne nuk mohuam kurrë se zoti Rama ishte 10 vota para, ndonëse ligji i vendit nuk parashikonte dhe nuk parashikon shpalljen e rezultatit paraprak. Ne deklaruam se ky ishte rezultat paraprak, por atë që nuk mund të pranonim, ishte se nuk mund ta pranonim atë për rezultat përfundimtar. Ne pranojmë ligjet e vendit.
Beteja e 8 majit u zhvillua në mbarë Shqipërinë, por më madhërishëm, më fuqishëm se kudo tjetër u zhvillua në rrugët e rrugicat e Tiranës. Njëlloj si 20 vjet më parë, kryeqyteti do të nxirrte në pension politik diktatorin e fundit komunist të Shqipërisë, pas 20 vitesh do ti jepte të njëjtën përgjigje pinjollit të tij, i cili qeverisi Tiranën për 11 vjet dhe përveç bojatisjes së pallateve, kthimit të Lanës në identitet dhe zgjerimit, absolutisht e shndërroi Tiranën në kryeqytetin e kohës së ndaluar, të rrënimit urbanistik, zhduku njëri pas tjetrit të gjitha parqet, gjelbërimin, shërbimet dhe po e katandiste në një kështjellë betoni.
Për vendimet e KQZ dhe Kolegjit
Të 8 gjykatësit shqiptarë, njëlloj si gjykatësi Mac R. Fisher i Riverside, në vitin 2010, në dy gjykime deklaruan se këto vota nuk mund të përjashtohen, se ata dhe askush tjetër nuk kanë autoritet të përjashtojnë votat e qytetarëve të vendit të vet, ku është shprehur qartë vullneti i tyre. Pra, këto zgjedhje shënuan një triumf të vërtetë jo vetëm të projektit të Aleancës për qytetarin, por një triumf të vërtetë të shtetit ligjor, institucioneve të pavarura kushtetuese, të cilat numëruan çdo votë, njëlloj si në demokracinë më të madhe të botës, kur pati një problem debati, para disa rrjeteve televizive. Sot, nuk ka një shqiptar, mik të Shqipërisë apo tjetër që mund të thotë se kjo fitore bazohet qoftë edhe në një votë të vetme kallpe. Ju e patë që edhe vota e Presidentit u gjet aty ku ishte. Ajo nuk mund të disfranchise. Institucionet kushtetuese të vendit pasuruan doktrinën elektorale të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me vendimet e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ndryshoi as edhe një rregull të vetëm loje. Le të na thonë zotërinjtë që pretendojnë për këtë, le të na tregojnë dokumentin, cili dokument është ndryshuar. Kanë imagjinatë! Nuk është ndryshuar asnjë dokument, por zbatojmë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor që urdhëron numërimin e këtyre votave. Gjykatat e vendit nderuan parimet e mëdha të Kushtetutës së vendeve të lira demokratike. Njëlloj si gjykatat e vendeve më të zhvilluara, ato vendosën se këto vota nuk mund të përjashtohen, se këto vota duhet të gjenden, qëmtohen dhe numërohen, aty ku ndodhen.
Për koalicionet
Zgjedhjet mbaruan. 140 mijë vota më shumë për këtë koalicion janë një përgjegjësi e madhe për mazhorancën. Së pari, konsolidimi i mëtejshëm i koalicionit. Të katër fitoret tona me radhë kanë në themelin e tyre shpirtin e koalicionit. Të dyja koalicionit hynë në këto zgjedhje me një listë aleatësh. Madje aleanca e vetmisë shpalli se kishte 2-3 aleatë më shumë se ne në listë. Por cili ishte koal
