E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensionet në Preshevë, Shqipëria do rishohë marrëdhëniet me Serbinë

21-01-2013 / Gazeta 55

Shqiptarët në Luginën e Preshevës, protestë për përmendoren. Berisha: Rrugëzgjidhje bashkimin kombëtar


Ka përfunduar protesta gjithëpopullore në Preshevë në shenjë kundërshtimi për heqjen e përmendores së UÇPMB-së që ishte vendosur para komunës së Preshevës. Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa ndonjë incident të theksuar. Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, përmes një komunikate për media ka deklaruar se protesta e sotme e qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës dënojnë ashpër aktin arbitrar të largimit të pllakës përkujtimore të UÇPMB-së. “Ne qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, nga ky tubim protestues dënojmë ashpër aktin arbitrar të largimit të pllakës përkujtimore të dëshmorëve të kombit të rënë në luftën e UÇPMB-së, duke injoruar në mënyrë të vrazhdë vullnetin politik të shqiptarëve për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme”, shkruhet në komunikatë. Ai ka thënë se “me këtë rast, Serbia ka shkelë të gjitha konventat ndërkombëtare, kompetencat e pushtetit vendor, e sidomos vullnetin për kompromis mes faktorit politik shqiptar me përfaqësuesit ndërkombëtarë”.


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha


I ashpër ka qenë reagimi i kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike përsa i përket heqjes së përmendores së ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Sipas tij qeveria do të rishohë marrëdhëniet me Serbinë pas këtij akti, i cili dëshmoi frikën e Serbisë. Por për kryeministrin shqiptar ka vetëm një rrugë, ajo e bashkimit të kombit shqiptar, që mund të çlirojë fqinjët nga urrejtja shekullore. “Urrejtja ndaj shqiptarëve e akumuluar në shekuj. Shqiptarët e Preshevës janë më të shtypurit. Bashkimi çliron fqinjët nga urrejtja shekullore. Qeveria do të shqyrtojë marrëdhëniet me Serbinë” – deklaroi kryeministri. Ndërkaq Berisha informoi se një nga rrugët e Tiranës do të marrë emrin “Heronjtë e Preshevës”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›