E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Fletët e kontestuara, të vlefshme

Nga Express më 19 maj 2011 në ora 19:40

(E plotësuar) Kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar procesin zgjedhor të 8 majit si më dinjitozin në historinë e Shqipërisë.

Duke folur në një konferencë për shtyp, kreu i qeverisë është shprehur se votat e gabuara kanë ardhur si pasojë e problemeve, që sipas tij të moshuarit kanë me ngjyrat dhe emocioneve që kanë të rinjtë.

Berisha ka nënvizuar se përplasjet për Tiranën kanë lindur pas deklaratave sipas tij absurde të kryetarit të PS, që shpalli fitoren e tij pa u publikuar rezultati.

“Në rast se votat, numërimi dhe procesi në të gjithë vendin nuk shënoi as konfliktualitetin më të vogël, në Tiranë ndodh e kundërta. Më datë 14 maj, të 11 minibashkitë e Tiranës përfunduan numërimin e votave dhe dhanë një rezultat, i cili në momentin më të fundit nxorri kandidatin e PS dhe kryetarin e saj me 10 vota para. Kjo ndodhi dhe fitorja pas 10 minutash u rikthye dhe numërimi i shifrave nga KQZ është i bazuar, jo i manipuluar. Nuk ka asnjë provë që aty është bërë një manipulim”, ka deklaruar Berisha.

Sipas kreut të qeverisë, ndonëse ligji shqiptar për zgjedhjet nuk autorizon KQZ-në të shpallë rezultatin zyrtar, teknologjia e numërimit e jep këtë automatikisht me numërimin dhe mbylljen e tij.

“Ky rezultat nuk është vënë në diskutim asnjëherë të vetme nga askush. Ky rezultat është shpallur nga kryetari i KQZ në daljen e tij televizive si rezultat paraprak, por jo zyrtar, pasi ligji nuk ia jep këtë autoritet. Rezultati zyrtar shpallet pas shqyrtimit të ankesave. Këtë ligj e kanë miratuar PD dhe PS”, ka pohuar Berisha.

Kryeministri ka nënvizuar se ndryshe nga kandidati socialist, që vetëshpalli fitoren pa cituar rezultatin, ai demokrat u shpreh se do të priste përfundimin e plotë të procesit.

Madje, Berisha ka theksuar se, nëse nga këto rinumërime Rama do të dalë sërish fitues, Partia Demokratike do ta urojë atë. Lideri i mazhorancës ka shtuar më tej se, votat e kontestuara janë plotësisht të rregullta pasi nuk kanë asnjë element që t’i nxjerrë të pavlefshme, dhe për rrjedhojë duhen numëruar të gjitha.

“Kishte në kutitë e votimit 300 vota të kontestuara dhe fatkeqësisht, të interpretuara si në rastet kur KZAZ-të kryesoheshin nga socialistët edhe kur kryesoheshin nga demokratët. Kjo votë, të cilën ligji e përjashton nga votat e pavlefshme, nuk mund të paraqitet si e tillë. Kjo votë meriton administrim dhe vlerësim të plotë”, ka theksuar Berisha. Ai ka shtuar më tej se mazhoranca do të pranojë çdo rezultat që do të dalë nga numërimi i votave të kontestuara.

KQZ: 59 vota Basha, 24 Rama

Ndërsa brenda ne KQZ vazhdon numërimi i votave të kontestuara duke u shoqëruar me debate pro e kundër mes anëtarëve të maxhorancës e opozitës, jashtë militantët dhe deputetët PS tentojnë herë pas here të thyejnë kordonin policor për të hyre në ambientet e KQZ-së.

Deri tani jane 35 kuti te hapura. Basha merr 59 vota shtese. Rama 24 vota.

Godina e blinduar nga policia, forcat e FNSH dhe RENEA. Protesta paralele dhe ne disa qytete. Protestuesit bllokojnë akset kryesore Fier- Lushnje, Lezhe- Tirane. Djegin goma makinash. /bw/

PS nis protestat, KQZ vazhdon numërimin

Ndërkohë që Komisioni Qendror Zgjedhor i Shqipërisë po vazhdon numërimin e votave të kontestuara për kryetar të bashkisë së Tiranës, Partia Socialiste ka nisur protestat në shumë qytete të vendit, përfshirë Durrësin dhe Vlorën.

Në ora 12.53, në Vlorë protesta e socialistëve zhvillohej në Novoselë, në Fier, ndërkohë që autostrada Fier- Lushnjë vazhdon të jetë e bllokuar prej gati dy orësh.

Mbështetësit e PS-së kanë vendosur goma makinash në mes të rrugës dhe i kanë vënë flakën. Konstatohet një prani e madhe e forcave policore. Protestuesit kanë deklaruar se do të bllokojnë aksin nacional deri në një afat të papërcaktuar.

Edhe në Lezhë, autostrada Lezhë-Tiranë, është bllokuar prej një ore në afërsi të Laçit. Deputetët e PS-së i kanë bërë thirrje policisë që të mos ndërhyjnë. Në Lezhë nuk është vënë re rëndim trafiku pasi makinat kanë lëvizur në një rrugë dytësore.

Në Durrës qindra militantë të PS-së kanë protestuar duke ecur në këmbë nga Muzeu i Dëshmorëve deri në hyrje të autostradës Durrës- Tiranë. Protestuesit kanë hyrë në autostradë e po i drejtohen Tiranës duke bllokuar lëvizjen e trafikut në autostradë. Në krye të protestuesve janë deputetë socialistë, si Blendi Klosi.

Ndërsa, në Kavajë rreth 300 protestues kanë bllokuar rrugën Rrogozhinë-Kavajë. Ata kanë djegur gomat e makinave në mes të rrugës dhe kanë deklaruar se do t’i drejtohen me vonë Tiranës.

Ndryshe gjatë ditës ka pasur tensione jashtë selisë së KQZ-së në Tiranë. Turma e militantëve socialiste për disa minuta kanë tentuar të shtyjnë e të çajnë kordonin policor për të hyrë në oborrin e KQZ-së. Kordoni policor me policë me skafandra është më i përforcuar se një ditë më parë. Ndërkohë që te dera, ne hyrje të ndërtesës së KQZ-së, janë vendosur kordonë të tjerë policor.

Pakënaqësitë e socialistëve kanë filluar për shkak të numërimit të fletëvotimeve të kontestuara, të cilat kanë vënë në epërsi kandidatin demokrat Lulzim Basha ndaj kandidatit socialist Edi Rama. Ky i fundit pas përfundimit të numërimit të votave kishte shpallur fitoren për kryetar të bashkisë së Tiranës, me diferencë prej 10 votash.

Bahskimi Evropian ka kërkuar përmbajtje nga forcat politike në Shqipëri dhe përfundim sa më të shpejtë të procesit zgjedhor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›