DokuVetoni n’Mikser
14 prej tyre janë ligjërues e rreth 50 të tjerë janë panelistë, në mesin e të cilëve Zack Liebermann, njëri prej artistëve më të rëndësishëm të së sotmes, Bernard Khoury, arkitekti libanez që falë projekteve të tij të guximshme arkitektonike e futi Bejrutin në hartën arkitektonike botërore, etj.
Përderisa Bernard Khoury dhe Srdjan Jovanovic –Weiss, do të flasin për arkitekturën dhe lidhjet e saj me kontekstin socio-politik, në të cilën temë do të ndërlidhen edhe majtistët Marcel Marx, hakeri që lufton për softuerët e lirë, dhe izraelitja Galit Eilat, kustosja që qëndrimet e veta i shprehë përmes artit, shkrimeve dhe ligjëratave.
Ndërkohë që artistët Zack Liebermann, Daito Manabe dhe Alexander Stublic do të merren me mediat e reja dhe do të flasin për bashkimin e teknologjisë dhe artit viziv, për të cilën gjë, por në mediumin e muzikës do të flas Hideki Kozakura, kompozitori veprat e të cilit tash sa vite përbëjnë repertorin standard të artistëve dhe orkestrave më në zë të Japonisë, Evropës dhe SHBA’ve.
Po ashtu, kineasti i respektuar evropian, Rada Sesic, seleksionues i Rotherdam Film Festival dhe Sarajevo Film Festival, bashkë me Reiner Nolvak, kryetar i Fondit Estonez për Natyrën, do të tregojnë se si nëpërmjet filmit, ekologjisë dhe dizajnit grafik luftohet për botëkuptime personale, ndërsa në ekspozenë e tij Jelko Kacin do të merret me vlerat evropiane. Francesco Paretti, ekspert për procese novatore të afarizmit dhe drejtor i organizatës ‘Eurosportello del Veneto’, e cila ofron mbështetje dhe qasje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në fondet e BE’së, Borut Likar, profesor, novator dhe autor i projekteve të shumta nga lëmit e hulumtimit dhe zhvillimit, dhe Aron Kenedy, kryeredaktor i revistës ‘Print’, do të flasin për realizimin e idesë në produkt nëpërmes planit financiar, kërkimit të parave, prodhimit dhe prezantimit.
Fundjava ndërkaq është ndarë për panel-diskutime në kuadër të Mikser Zonës, në të cilat mysafirët do të mundohen që të bashkëbisedojnë në mënyrë konstruktive për përvojat e ndryshme dhe për pikëpamjet që ndërlidhen me teknologjinë dhe artin, për përjetimin subjektiv të historisë, për përgjegjësinë personale, për përgjegjësinë shoqërore, për rajonin e Danubit, për krijimin e modeleve të reja kulturore, për krijimin e lidhjeve mes bizneseve kulturore, dhe për hapësirat publike në qytete dhe raportit tonë kundrejt tyre.
Në mesin e panelistëve do të jenë Marcell Mars – biber-komunist nga Kroacia; Daito Manabe, artist digjital nga Japonia; Vladimir Arsenijevic, shkrimtar dhe përfaqësues i Festivalit Krokodil, nga Serbia; Veton Nurkollari, nga Festivali DokuFest, nga Kosova; Mirko Ilic, dizajneri grafik nga SHBA; Bojan Hadzihaliloviz, dizajner grafik nga Bosnje e Hercegovina; Mirjana Karanovic, aktore nga Serbia; Vladimir Macura, nga muzeu Macura (Austri/Serbi); Ivan Karic, përfaqësues i Partisë së të Gjelbërve të Serbisë; Oliver Dulic, ministër i Mjedisit në Qeverinë e Serbisë; Dejan Vasovic, arkitekt i Qytetit të Beogradit; Aja Jung, nga Festivali Beogradas i Lojës; Tomo Ricov, nga Weekend Media Festival në Krocai; Tulga Beyerle, nga Vienna Design Week nga Austria; Rosana Sancin, nga Festivali i Gay dhe Lesbo Filmave nga Sllovenia; Karen Mirza dhe Brad Butler, një grup ky artistik londinez që për mbi një dekadë merr pjesë nëpër ekspozitat e institucioneve kryesore evropiane dhe botërore, nga Britania e Madhe, etj.
Ndryshe, Mikser Festival mbahet prej 25 deri më 29 maj, në objektet e solist Zitomlin, në lagjen beogradase Dorcol.