E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Fondet nga privatizimi do shkojnë tek çdo shqiptar

05-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha njoftoi dje se të ardhurat nga privatizimi i “Albpetrol” nuk do harxhoheshin për rregullime bilancesh apo për rezerva në thesar, por  do të shkonin tek xhepi i çdo qytetari, në versionin e një plani të gjerë investimesh, por kryesisht për rritje pagash e pensionesh

Deklaratat e forta të shefit të mazhorancës

Thirrja e Ramës për të bashkuar opozitën, nën sloganin filo-marksist: “Fundërrina, bashkohuni kundër Sali Berishës”
Greva e ish-të përndjekurve, një protestë politike, secili prej tyre, ka marrë këstin e parë të dëmshpërblimit
Koalicioni PD-LSI, funksionon më së miri, s’kam asnjë dyshim se kjo formulë do jetë fituese në 2013-n

Kryeministri Sali Berisha garantoi dje gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, se të ardhurat nga privatizimet do kenë si destinacion kryesor qytetarin. Sipas tij, ato do të shndërrohen në rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime, në rritje të re të rrogave dhe pensioneve, politikë kjo konstante e qeverisë, si dhe do jenë një mbështetje e fuqishme për biznesin dhe zhvillimin rural. Kreu i qeverisë theksoi se, “gjithçka synojmë është nxitje e rritjes ekonomike dhe të punësimit”. Berisha ka folur edhe për çështjen e akuzave të PS, për trafik armësh, duke i cilësuar si fushatë të strukturuar shpifjesh dhe trillimesh banale ndaj një institucioni që përfaqëson vendin me dinjitet edhe në zonat më të nxehta ku vendi operon. Sa i përket koalicionit me LSI-në, Berisha u shpreh se kjo marrëveshje politike po funksion më së miri. Kreu i qeverisw komentoi edhe grevën e urisë tw ish tw përndjekurve politik, duke theksuar se, “kjo është një formë proteste politike radikale me të cilën nuk ka negociata”. Në diskutimin e gjatë me median shefi i mazhorancës ka folur për shumë çështje të rëndësishme duke deklaruar se qeveria do bëjë gjithçka për integrimin dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në BE

Bashkëbisedimi i kryeministrit Sali Berisha me gazetarët

Pyetja ka të bëjë me çështjen e të përndjekurve, të cilët prej disa ditësh vazhdojnë një grevë urie dhe në fakt janë njerëz që sipas skedës që ju kemi bërë në mediat tona kanë nga 20 vite burg. A keni ndonjë përgjegjësi personale për gjendjen dhe situatën në të cilën ata ndodhen. Ka patur edhe shumë vizita nga ambasadorët.

Shqipëria është një vend i lirë. Në këtë vend janë të garantuara protestat paqësore të çdo lloji. Përsa i përket kapitullit të përndjekurit politik, që në themelimin e saj kjo parti i ka patur dhe i ka ata, aleatët kryesor dhe në epiqendër të axhendës së vet. Janë bërë përballje ndër më të fortat me PPSH, policinë sekrete të saj dhe policinë tjetër, nën moton “lironi vëllezërit tanë” dhe ata u liruan nga ky presion i papërmbajtur i forcës së parë opozitare. Është vendosur ligji i pafajësisë së tyre të plotë dhe konsiderimit të tyre të burgosur politikë, janë bërë përpjekjet më të mëdha me mijëra apartamente, të drejta studimi janë siguruar dhe nw kushte mw tw vështira të njw vendi që kishte 204 dollarë për frymë.   Janë shpërndarë miliarda leke privatizimi, të cilat kanë patur vlerë të barabartë me lekun që qarkullonte, por  me destinacion të caktuar në objektet e privatizimit. Kjo ishte politika deri në vitin 1997. Tetë vite ne pushtet PS në mentalitetin e vjetër të partisë së origjinës, nuk iu dha qoftë dhe njw qindarkë. Për tetë vite PS i privoi nga të gjitha të drejtat ligjore, sepse ajo që bëmë ne ishte e bazuar në ligje te vendit të miratuara në parlament. Për 8 vite Partia Socialiste përdori disa kukulla për makijazh, u ofroi ndonjë post, në mënyrë që të përçmonte te gjithë të tjerët. Dhe ju e nderuar zonjë nuk mund të shkruani në gazetën tuaj, qoftë dhe njw fakt të vetë, qoftë dhe një ndihmë të vetme, qoftë dhe një dëmshpërblim të vetën që PS iu dha kësaj shtrese të martirizuar në kalvarin komunist, gjatë 8 viteve të saj në pushtetet. E dini që 4 a 5 i bëri konsuj dhe ambasadorë për të thënë se i kemi, kurse që të gjithë të tjerëve iu tregoi bërrylin. Me ardhjen në pushtet sërish, i tërë mekanizmi wshtw në mbështetje të tyre, sërish në pushtet, sërish me një kuadër ligjor unik në mbarë Evropën dhe botën. Kurrë nuk do të gjeni një kuadër ligjor të tillë dëmshpërblimesh, kuadër të cilin, dua të jem i hapur e kanë përcaktuar vetë. Kërkuan një formë, e cila ka një faturë shumë të madhe, por është e drejtë, dëmshpërblimi për ditët e ndëshkimit dhe kanë shtuar kategori të tjera, me te drejtë. Ju kujtoj këtu se vende te tjera, të cilat kanë patur jo sa ne, por kanë patur të përndjekur politikë dhe të burgosur, për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur dhe një nga këto vende është Hungaria p.sh, por këto vende kanë ndjekur praktika krejtësisht të tjera, ose një pension të mirë, ose shuma simbolike për të thënë se ne njohim atë që kanë kaluar. Ne kemi vendosur dëmshpërblimin e plotë për vitet e burgut, për ekzekutimin dhe format e tjera. Mbi këtë platformë janë shpërndarë miliarda  e miliarda lekë gjatë këtyre viteve. Kjo është e vërteta, shpërndamë dhjetëra, milionë dollarë. Dhe janë mbi 11 mijë dosje, sepse ka prej tyre që nuk jetojnë më, por janë familjarët që përfitojnë. Për secilën prej këtyre dosjeve është dhënë kësti i parë, vazhdon dhënia e këstit të dytë. Tek ky kësti i dytë është marrë një vendim me kërkesën e tyre që të përparësohen ata që janë mbi 65 vjeç dhe unë këtë e quaj të drejtë. Është marrë një vendim tjetër, që tu jepet e gjithë shuma atyre që janë mbi 85 vjeç, ose vendime të kësaj natyre. Pra kuadri ligjor dora-dorës është amenduar tërësisht në interes të tyre. Qeveria ime do ti qëndrojë deri në fund detyrimit të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë si një domosdoshmëri morale, juridike  e gjithanshme e kësaj shoqëria për tu ndarë nga një e shkuar e hidhur 
Qeveria solli dhe votoi në parlament në një përballje shumë të madhe, ligjin për lustracionin. E mbështeti pjesa dërrmuese e të përndjekurve politike. Asnjëri nga këta që sot kërkon këstet, asnjëri prej tyre. Vijmë tek greva. Unë kam respekt për çdo lloj kundërshtie politike ndaj meje. Kur këta zotërinj përdorin kamerat dhe u thonë shqiptarëve se nuk na është dhënë asnjë këst, madje po shihja se po u thonin një të pavërtetë të madhe. Unë sonte po u them shqiptarëve në mënyrë absolute secili prej tyre në përputhje me ligjet  e vendit ka marrë këstin e parë, secili prej tyre në përputhje me ligjet e vendit ka marrë këstin e dytë, por ligji thotë që të dytin e marrin ata që janë mbi 65 vjeç. Ligji thotë se nuk përfitojnë ata që nga kjo datë  e vitit 2010 nuk kanë sjellë dosjet dhe mund të ketë ndonjë prej tyre, sepse në çdo vend operohet me afate kohore të përcaktuara në ligj. Por ne e zgjatëm afatin 18 vjet, jemi ne autorë të saj. Por nuk mund të shkosh në infinit, sepse pastaj, mund të ndodhë që një ditë, jo ti Anila, por ndonjë rreth teje, mund të vijë dhe të më thotë kam qenë i përndjekur politik, çka nuk shkon, duhet  nje afat. Pra kjo është  e vërteta në rrafshin ligjor, në rrafshin politik është një greve politike, dhe unë respektoj çdo grevë politike. Kanë zgjedhur studion e Kristaq Ramës, mund të zgjedhin zyrën e Edi Ramës, por këto janë punët  e tyre. Unë i siguroj se greva  e tyre është, porosia është që të ketë kujdes nga të gjitha anët, të ketë kujdes shëndetësor dhe të protestojnë kundër Sali Berishë sa të kenë dëshirë, por për qytetarët shqiptarë dua të them këtë se nga ta që janë aty, që të gjithë pa përjashtim që kanë dorëzuar dokumentacionin ligjor, kanë marrë atë që ju takon, kanë marrë këstin e dytë, ata që janë mbi 65 vjeç, nuk kanë marrë asgjë ata që nuk kanë dorëzuar në kohë  dokumentet dhe ligji vepron. Kanë zgjedhur studion e Kristaq Ramës, mund të zgjedhin zyrën e Edi Ramës. Këto nuk më impresionojnë mua. Unë kam respekt për kundërshtarin që proteston. Është në natyrën time, nuk negocioj kurrë me greva urie politike Ju e keni vënë re, kur ndejën tre javë socialistët para zyrave të mija, më mori një mik nga Brukseli në telefon, kur unë isha në Zagreb. Pasi më pyeti si isha, ai më tha se Edi Rama, do të hyjë në grevë urie dhe se ka vendosur të sakrifikohet. I thashë se thuaj zotërisë që ju ka thënë dy gjëra: së pari, do ta respektoj dhe do ti jap një zyrë në kat të parë që të zhvillojë grevën. E dyta do ti përgatis fjalimin më të bukur për ta përcjellë me nderime, por kjo nuk ka për të ndodhur se ai as nuk ka për të hyrë dhe as nuk ka për tu vetëflijuar. Por negociata nuk bëj sepse ajo është një formë politike radikale në të cilën nuk ka negociata. I garantoj se ajo që u takon me ligj do tu jepet pa asnjë lloj hezitimi, ligji do të zbatohet. Ka patur një problem para 5-6 muajsh sepse u shtuan dosje të atyre që janë pushkatuar para viteve 44, etj dhe asaj në një mënyrë i dhamë zgjidhje dhe këto ditë janë lëvruar shumat e kësteve sipas radhës që kanë.

Z.Kryeministwr, pyetja ka të bëjë me një çështje shumë sensitive, e cila ka shkaktuar debat kohët e fundit dhe lidhet me daljet tuaja nëpër shkollat publike 9 vjeçare dhe mënyra se si keni trajtuar çështjet e integrimit, duke shkelur dy ligje, ligjin e arsimit parauniversitar dhe Kodin zgjedhor kur nuk mund të mbahet propagandë politike me fëmijët e shkollave...

Fushata fillon sipas Kodit, atë e ka në dorë presidenti, natyrisht, po ligji thotë se kur zgjedhjet mbahen nw një nga të dielat e fundit të qershorit, atëherë fillon aty nga 10 maji apo 15 maji. Deri atëherë nuk mund të bëhet fjalë për fushatë elektorale dhe garantoj se unë do respektoj me rigorozitetin më të madh rregullat e fushatës. Dhe për herë të parë në historinë e këtij vendi, unë dekretova në zgjedhjet e shkuara, përjashtimin  e të gjithë mjeteve të administratës, duke filluar nga vetura e kryeministrit etj, nga fushata dhe kjo ndodhi dhe aq sa të kujtohet ty se unë mora një makinë me qera dhe kundërshtarët e mi thanë që ka blerë një makinë të re. Kjo do të ndodhe edhe ne fushatën e ardhshme, do të angazhohem për një fushatë të denjë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë mbetem tërësisht i angazhuar në këtë zotim. Për sa i përket diskutimit me të rinjtë ai është ndër më interesantët, më inspiruesit në jetën time. Unë atje nuk kam deklaruar ndonjëherë se Edi Rama po trillon kur thotë se ka 1 milion të papunë, ose se bën matematikën e Ramiz Alisë. Unë nuk ju kam deklaruar ndonjëherë atyre se Edi Rama po disinformon kur thotë se ka një kolaps të biznesit të vogël. Unë nuk ju kam deklaruar ndonjëherë atyre se ky është një mashtrim 8 mijë herë, pasi janë 8 mijë biznese të vogla të regjistruara rishtas. Unë kam përzgjedhur të diskutoj me ta një gjë shumë të madhe për ta dhe për vendin, ëndrrën e tyre sepse po të zgjedhim një ëndërr , ndër më të pastrat i kanë ata. Pra shkova sot në një klase ku nxënësja kishte hapur kompjuterin dhe kishte zgjedhur temën “Evropa”. Një nxënës më tha një ditë “Kur i shohim që ikin nga komisioni dhe mendoj po sikur shoqet tona të ngrihen dhe të ikin nga klasa. Pra shikoni se çfarë përshtypje ju krijojnë nxënësve. Si ka mundësi kjo, kur mendoj se këta kanë qenë ministra, kryeministra dhe dalin nga dera sapo vjen votimi për ëndrrën e tyre, sepse ajo nuk është votë për mua, është votë për ëndrrën e tyre. Çfarë teme mund të diskutoj unë me ta, përveç kësaj teme. Janë mësuesit që diskutojnë çështjet e tjera me ta. Sot në një klasë gjeta që mësuesja shpjegonte ADN-në, në një klasë tjetër me teknologjinë dixhitale po ilustrohej Ligji i Omit. Unë nuk mund ti flas atyre as për fizikë, as për matematikë, nuk mund tu flas as për biologji, përveçse për ëndrrën e tyre evropiane. Prandaj i them Zotit Rama, mos u shqetëso fare. Në të gjitha takimet  e mija me ta nuk do të ketë asnjë temë tjerë përveç ëndrrës së tyre evropiane. Në qoftë se mendojmë se ata nuk kanë vetëdije për këtë ëndërr, gabohemi shumë rëndë, sepse sot janë shumë larg, nga ajo që mund të mendojmë ne për ta. Sot ata kanë një informacion që ne nuk e kemi patur as në moshën 30 apo 40 vjeç dhe dialogu im me ta është ndër më normalët dhe është vetëm fillimi.

Më 10 tetor pritet të jepet rekomandimi i KE për Shqipërinë dhe siç duket edhe nga lajmet që vijnë nga Brukseli pritet të jetë një rekomandim pozitiv i KE për statusin. Por që vendimmarrja reale do të jetë ajo e dhjetorit. I druheni vendimmarrjes së dhjetorit, duke patur parasysh edhe mosmarrëveshjet që keni me opozitën për sa përket disa ligjeve që lidhen me integrimin? Do të ketë shumë kushte?

Unë e marr gjithnjë këtë proces, si një proces të mëritur, shqiptarët duhet ta meritojnë atë. Nuk mund të them se ç’vendim do merret, por si qeveri dhe personalisht bëj gjithçka për të përmbushur ato detyrime që rrjedhin nga ky proces, që i bën qytetarët shqiptarë më të lirë, më të sigurt, më të begatë në ecurinë e tij. Kjo është arsyeja që unë i besoj këtij procesi dhe natyrisht është një proces jo vetëm i angazhimit qeveritar, por siç është bërë  e ditur kërkon angazhimin e tw gjithë faktorëve politike. Nuk është më sekret për askënd se në Shqipëri si në një asnjë vend tjetër të Evropës, kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur, qw janë ngritur dhe kanë bllokuar reformat siç ka bërë grupi i neobllokmenëve. Viti i parë, u qëndrua gjithë kohën jashtë parlamentit, në mënyrë që të mos jepej statusi, sepse në një parlament gjysmë plot, gjysmë bosh, statusi nuk meritohej. Vitin e dytë u organizua përpjekja për të përmbysur me dhunë qeverinë si në asnjë rast tjetër në Evropën e këtyre 20 viteve dhe u rrethua KQZ për të marrë mandat me dhunë. U bënë përpjekjet  më të papranueshme për bllokimin e vizave me vallen e famshme që më kujtonte vullnetarët e Enverit, “hap kutitë, që të çliroj vizat”, me përpjekjet me disa individë të caktuar, racistë antishqiptarë që lobonin ditë e natë me shpifje dhe trillime kundër heqjes së vizave ndaj shqiptarëve. Pra këto nuk janë në gjeografinë politike të Evropës, por këto ekzistojnë në Shqipëri dhe nuk po na i shpik kush këto. Kryetari i PS po ndjek këtë linjë. Këto ditë, pasi votoi në parlament nën presionin e tmerrshëm të bazës socialistë, dhe referendumit, imunitetin, tani thotë më hap kutitë që të çliroj vizat. Pikërisht se ka vendimin e gjykatës, pikërisht se është problem gjykatash është e të pamundur të bëjë zgjidhje politike. Është e vërtetë se janë 15, 20 vendime, dhe Gjykata  e lartë nuk e  ka njohur atë, padinë që i është bërë veprimeve të këshillit dhe të kryetarit aktual, nga pretendenti socialist, gjykata e Lartë i ka hedhur poshtë qartësisht. Ai kërkon që ato që ka hedhur poshtë gjykata e lartë t’i legjitimoj unë? Jo këtë nuk e bëj dot. Ka një problem. Gjykata e Lartë e ka hedhur poshtë këtë pretendim, por nga ana tjetër ka thënë se ky vendim qëndron në fuqi derisa të zgjidhet në themel çështja. Pse unë kam durim të pres gjykimin në themel dhe zoti Rama nuk ka durim të presë gjykimin në themel. Deri dje ai nuk ndihej për këto, sot ndihet. Edhe unë dua që kjo çështje të marrë zgjidhje sa më parë , por është një çështje e tërë në sistemin gjyqësor dhe një parim themelor është parimi i mocionit. Çdo forum i zgjedhur me votën direkte të qytetarëve ka të drejtën e mocionit ndaj anëtarëve të vet. Parlamenti ka të drejtën e mocionit ndaj anëtarëve të parlamentit kur shkelen rregullat. I ka dhënë të drejtë sovrani në kushtetutë, që të shkojë në Gjykatë kushtetuese. Këshilli bashkiak ka të drejtë mocioni ndaj anëtareve të këshillit të vet. Më lejoni tu bëj një pyetje, në qoftë se mazhoranca humbet shumicën në parlament kush e merr pushtetin? A nuk e merr pakica sepse ajo bëhet shumicë. Është shumë e thjeshtë. Pikërisht kjo ka ndodhur me këshillat e komunave se në rast se nuk ka ndodhur kjo, zoti Rama nuk kërkon mocione, zoti Rama kërkon mocionin e kryetarit aktual të Qarkut të Fierit. I thotë atij, këta 50 këshilltarë që kanë qenë dhe në forcën time politike, por kanë bërë zgjedhjen e tyre, këta nuk të votojnë ty. Po ai nuk kërkon këtë, ai kërkon tek unë pazare njëlloj siç bënte me “hap kutinë që të liroj vizat”. Por në këtë mënyrë nuk veprohet, nuk kam në mënyrë kategorike as edhe interferencën më të vogël. Jam i vendosur të respektoj çdo vendim të gjykatave, por parimet themelore nuk dhunohen kurrë.

Z.Berisha, si do të përdoren të ardhurat nga privatizimet strategjike, si do të përdoren të ardhurat nga “Albpetroli”?

Ato do të shndërrohen në një seri projektesh të reja në rrugë, ujë, kanalizime, kanale vaditëse në të gjithë vendin. Ato do të shndërrohen pa diskutim në rritjen e re të rrogave dhe pensioneve, një politikë konstante e jona. Shqiptarët e kanë të qartë, ne nuk i largohemi detyrimit tonë, ato do të shndërrohen në mbështetje të fuqishme të biznesit dhe veçanërisht të zhvillimit rural, mos harrojmë një gjë, investimet kolosale janë bërë në Shqipërinë rurale, por akoma nuk është ngritur një sistem eficent vaditjeje dhe kjo është një domosdoshmëri e madhe. Shqiptarët duhet të vadisin me sistemet më modernë të kohës. Ato do të jenë një mbështetje e madhe për arsimin dhe të rinjtë shqiptarë, pra në tërësinë e tyre këto të ardhura do të kenë këtë destinacion, do të shihet mundësia e ngritjes së një banke shqiptare të zhvillimit. Këto janë destinacionet kryesore të të ardhurave nga privatizimi strategjik.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Greqi, ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Panariti në takimin e tij me homologun e tij grek Avranopulos ka kërkuar zgjidhjen e çështjes çame. Do të doja të dija opinionin tuaj për këtë çështje. Është një deklaratë e zotit Panariti si zyrtar i lartë i LSI-së apo si anëtar i kabinetit të qeverisë Berisha?    

Zotëri, kjo çështje është ngritur nga ky kryeministër në çdo takim të nivelit të lartë me autoritetet e vendit mik. Në çdo takim ka një arkivë, të cilën duhet ta kontrolloni. Ministri, në zbatim të këtij qëndrimi ka ngritur dhe këtë çështje jashtë çdo lloj pretendimi territorial, por mbi bazën e traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis dy vendeve, angazhimeve të tyre për të zgjidhur me dialog të gjitha problemet që janë për tu zgjidhur.

Z.Kryeministwr, gjithashtu ka akuza nga opozita përsa i takon shpërdorimit sipas tyre, të detyrës nga Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami sa i takon transaksioneve, apo shitjeve dhe tregtisë së armëve. A keni ju urdhëruar ju nga ana e qeverisë një hetim administrativ për ministrin Imami në lidhje me këtë çështje, çfarë ka dal nga ky hetim administrativ dhe a do kërkoni dorëheqjen e zotit Imami?

Për sa i takon kësaj pyetje, mund të them se është një fushatë e organizuar e strukturuar, shpifjes, trillimesh banale ndaj një institucioni që përfaqëson me dinjitetin më të madh vendin, në zonat më të nxehta ku NATO operon dhe ka vetëm këtë qëllim. Në rast se ju e keni ndjekur për dy muaj rresht, çdo ditë shpifën dhe trilluan se është përgjuar opozita, se janë përgjuar ambasadat dhe nuk sollën dot qoftë edhe një fakt të vetëm. Tani dalim tek e vërteta, e cila është krejt tjetër. Këtyre shokëve me rekorde trafikantësh, këtyre ju djeg shumë tregtia transparente sepse kanë histori të lyerjes dhe përlyerjes në trafiqe të përfolura dhe denoncuara jo të pakta dhe trafiqe të shumëllojta, kjo është e vërteta. Është shumë interesante fakti që  del dhe deklaron se kemi bërë trafiqe me Malin e Zi dhe i janë dhënë dy predha Malit të Zi për familje. Mali i Zi është një vend mik dhe këta, të cilët mendojnë se do përlyejnë mbrojtjen shqiptare, ushtrinë shqiptare nga bashkëpunimi me Malin e Zi, këta kanë ngelur fatosa me shall të kuq në qafë. Me Malin e Zi ne kontrollojmë kufirin bashkërisht dhe kemi një nga marrëveshjet më të shkëlqyera, ata në territorin tonë dhe ne në territorin e tyre. Me Malin e Zi, ne të gjitha problemet që kemi patur emergjente ndërkufitare i kemi zgjidhur bashkërisht dhe pavarësia e Malit të Zi është parë me dhimbje të madhe nga Beogradi dhe nga grupe të vogla, të cilat akoma e mbajnë mend këtë ose e kanë në memorie si në kohën e Enverit një vend armik. Mali i Zi që ta dini ju është një vend që ka firmosur partneritetin për paqe me Aleancën e atlantikut të Veriut një vend partner për ne dhe që Shqipëria e mbështet plotësisht në procesin e anëtarësimit në NATO. Pra, kjo është e vërteta në të gjithë këtë fushatë, këtë seri shpifjesh, trillimesh, ka një fakt të hidhur, botimi i dokumenteve të klasifikuara për llogari të atyre që e paguajnë, unë ju garantoi ju se ata të cilët botojnë dokumente të klasifikuara kryejnë një vepër penale, të cilën përpiqen ta kapërdijnë të nesërmen, por do përgjigjen para ligjit për këtë. Kjo nuk mund të ketë mëdyshje. Tregtia e armëve është kur bëhet sipas ligjeve të shtetit dhe ligjeve ndërkombëtare që janë të përcaktuara. Nuk mund të çosh në zona të nxehta ku OKB-ja ka vendosur embargon, në raste të tjera ajo është legjitime dhe bëhet nga çdo vend. Natyrisht për arsye të caktuara të vendit pritës apo tjetër, ajo merr karakter jo kaq të hapur në çdo vend, por botimi i dokumenteve të klasifikuara për llogari të grupeve, të cilët përfaqësohet, që iu digjen interesat në këtë rast do jetë pamëdyshje një çështje e zbatimit të ligjit. Anila, janë të gjitha të regjistruara, sigurisht të nesërmen doli ai, tha nuk ishte. Ditën e parë tha top sekret, ditën e dytë tha: “jo, jo nuk ishte sekret”. Ato janë sekret që ta dish ti, janë të gjitha me sigël dhe ai nuk i shpëton dot kurrë asaj, aq më tepër kur e bën për avokati të grupeve që iu djeg kjo tregti e ligjshme se do të donin se duhet të jesh në shtrëngicë të madhe të dalësh të thuash se po armatos armikun e Shqipërisë, Malin e Zi. Tani të garantoj se nuk ka ministri meqenëse pyet, nuk ka agjenci që nuk është ndërmarrë apo ndërmiret hetim administrativ për çdo lloj problemi që ngrihet. Por kurrë nuk është. Nis hetim administrativ se ke eksportuar armë në Malin e Zi, se ka pasur qoftë edhe informatën më të vogël se janë shkelur ligjet e vendit. Ne kemi një bazë të plotë ligjore të plotësuar 3-4 vite më parë, për të gjithë këtë veprimtari dhe siç e patë ju, siç e panë shqiptarët e gjitha kjo, shkëmbimi me Malin e Zi ishte i botuar në ëeb-in në faqen e Komisionit të eksporteve të materialeve luftarake.

Lidhur me reklamat, zoti kryeministër a mbani ju përgjegjësi në lidhje me milionat e dhëna duke shkelur për ligjin televizionet?

Përsa i përket reklamave shtetërore të falënderoj për këtë pyetje. Ka dy realitete për reklamat, realiteti i kësaj ndërtese, i Këshillit të Ministrave, i cili pa përjashtim të gjitha reklamat i ka ndarë në tre televizionet kombëtare, Televizionin Kombëtar shtetëror, Televizionin Klan, Televizionin Top Channel. Në raste të caktuara Top Channel në një xhest miqësor na ka kërkuar mirëkuptimin, se jo në çdo kohë që duam ne mund ta transmetojë reklamën tonë, kjo është e vërteta dhe ne kemi pasur mirëkuptim çka do të thotë përshembull dëshira e zyrës sime ka qenë që reklamat të transmetohet në minutën e fundit para lajmeve ose minutën e parë pas lajmeve, Top Channel nuk e ka pasur të mundur një gjë të tillë dhe ne kemi treguar mirëkuptim, ose ka qenë dëshira të transmetohet në mes të emisioneve më të shikueshme, Top Channel ka qenë më i përmbajtur për këto, por është paguar me ndershmëri për të gjitha transmetimet që ka bërë. Nuk ka asnjë lloj diskriminimi ndaj tij dhe prape e garantoj se në qoftë se tregohet e gatshme ti transmetojë ato në kohën që përzgjidhet nga media-plani, si koha më e përshtatshme, nuk do mund të ketë kurrë diskriminim. Vijmë pak tek platforma tjetër që nga viti 2006, deri në vitin 2011, deri në ditën që iku nga Bashkia, miliona euro, dollarë, lek u janë dhënë vetëm tre mediave të dashura të tij, Top Channel, Vizion plus, News 24 dhe as edhe një qindarkë, ja ku janë këta të Klanit të thonë në se kanë marrë ndonjë qindarkë, kurrë. Ku janë këta të Ora News të thonë në se kanë marrë një qindarkë, kurrë. Le të thotë Shijaku. Merita e tyre është gënjeshtra dalin e bërtasin për ne, kemi të gjitha dokumentet. Të thotë ai, nëqoftëse në gjashtë vite u ka dhënë një reklamë të vetme këtyre televizioneve, TVSH, Klan, si dy TV kombëtare po ai mund të thotë unë jam lokal, po dhe Shijaku televizion lokal është, po pse vetëm atyre të treve dhe jo tre të tjerë. Pra qoftë se është bërë një diskriminim në reklama, s’po them dhe ca emra unë pastaj se del edhe më ndryshe po nuk më takon mua të futem. Pra kjo është tabloja për reklamat.

Z.Berisha, po vjen dita kur znj. Ina Rama është votuar në Parlament dhe bën 5 vjet nga votimi. A keni biseduar juve me Presidentin e Republikës, i cili ka tagrin kushtetues për të propozuar Prokurorin e Përgjithshëm se kur do të ndodhë ky dekret?

Unë dua të siguroj qytetarët shqiptarë se kjo mazhorancë është e vendosur të respektojë plotësisht ligjet dhe kushtetutën e vendit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë dhe ndarjen e institucioneve të këtij vendi. Personalisht kam besim të plotë tek trajtimi dhe mënyra e ushtrimit në përputhje me Kushtetutën të kompetencave nga ana e Presidentit të Republikës. Siç e dini Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës dhe votohen në Parlament. Pra, presidenti është një ish ministër  i drejtësisë dhe i rendit, për definicion njeri i ligjit, Presidenti ka këshilltarët e tij të zgjedhur në funksion të problematikës që shqyrton presidenti dhe kjo është një problematikë kushtetuese për çdo president ndaj dhe unë nuk kam asnjë koment tjetër përveç besimit tim të plotë se z. Nishani do të zbatojë me përpikmëri ligjet dhe Kushtetutën e vendit, për të cilat është betuar në Parlament.

Opozita ka nisur fushatën elektorale me thirrje tw bashkohemi pwr tw ardhur nw pushtet...

Të ndalemi pak këtu. E para kjo ishte një fyerje shumë e rëndë që i bëhet të majtës shqiptare. Se në qoftë se dilet me moton “Të bashkohemi me çdo fundërrinë për të mundur Sali Berishën” atëherë imagjinoni ju se kë do të ketë përballë Sali Berisha në zgjedhje. Se çfarë kënete do ketë përballë. Së dyti , më duhet të them se këta të nderuar, nuk kanë për fat disfatën, por fshesën se ndaj tyre përdoret vetëm fshesa. Keni dëgjuar ju ndonjëherë atë sloganin e famshëm të Marksit “Proletarë të gjithë vendeve bashkohuni” kurse ky ka “Fundërrinat e gjithë Shqipërisë bashkohuni kundër Sali Berishës”.
Në një kohë kur dëshmoi me këtë se nuk kanë asnjë alternativë se janë në panik të gjithë panikun e brendshëm që ka ky zotëri e nxjerr tani në forma nga më të ndryshme.
Pra, nga një anë kam thirrjen e tyre “Fundërrinat e gjithë Shqipërisë, bashkohuni kundër Sali Berishës” nga ana tjetër, Partinë Demokratike në kuotat më të larta të historisë së saj që nga vitet 90. Kërkojuani pak pollet atyre, Jo të Koços ato të tjerat, merrjani dhe shikoni se ku është Partia Demokratike. E them këtë për të kuptuar se beteja që vjen do të jetë një  betejë e shkëlqyer, e bukur. Më vjen keq që kundërshtari im i lejon vetes motive unike të padëgjuara ndonjëherë nëpërmjet zëdhënësve të tij më besnikë dhe ju i njihni mirë. E thyen të majtën shqiptare duke i thënë “të bashkohemi me çdo fundërrinë” duke harruar që kjo vetëm ndihmon Sali Berishën, kurse çështja e fondeve as edhe një qindarkë e vetme nuk do të mund të përdoret për qëllime të tjera përveçse për qytetarët shqiptarë. Dhe ne do të bëjmë publike, për fat të mirë Kodi i Ri elektoral ka përcaktuar rregulla edhe më të qartë transparence, për sa i përket financimeve. Më detyrove të bëj një analizë të hershme, zgjedhjet janë pas 8 muajsh por nuk mund të mos bëhem ndonjëherë edhe avokati i atyre që nuk më takon. Mua nuk më takon të jem avokati i të majtës. Por kur e fyejnë të majtën dhe kërkojnë ta përlyejnë në këtë mënyrë, harrojnë se mungesën totale që kanë me veten e tyre duan t’ia transmetojnë një krahu politik, i cili është një vlerë për vendin dhe ka një rol për të luajtur.

Taksa e biznesit, ju pranuat se nuk ka qenë një histori e suksesshëm, ndërkohë që z. Rama ju ftoi sot që ju ta hiqni menjëherë, do ta pranoni ftesën e tij?

Lidhur me taksën, duke dituar alergjinë, duke dituar vuajtjet e mëdha, që z. Rama i krijoi biznesit të vogël si kryetar bashkie, duke qenë i vetëdijshme për faktin se ai rriti në mënyrë më të egër taksën biznesit të vogël, e cila sot në qeverisjen e taksë-ulëtëve, është 67 mijë lek dhe të cilën z. Rama e çoi me mekanizma nga më të ndryshmet në ngarkesën 147 mijë lekë, zoti Rama ka vendosur tu thotë atyre se unë nuk jam Edi Rama. Nuk jam ai që jua dy-tre fishova taksën, por harron se çfarë thotë një fjalë: kur më gënjen njëherë më ke gënjyer, po më gënjeve për së dyti kam gënjyer veten”. Rama e di këtë, ndaj dhe ajo që thash është e vërtetë, ne e deleguam tek qeveritë vendore dhe ajo nuk mblidhet më shumë se 60%, çka bashkë me qeverinë vendore do të vendosim, por  një gjë është e sigurt që nuk do të ketë rritje të saj. Kam theksuar edhe njëherë, premtimi mashtrim që bën me heqjen e taksës është baraz me shembjen e sistemit fiskal. Sa janë ato të ardhura për buxhetin? Ato të ardhura janë 0.5% asnjë peshë, por ato të ardhura janë fundi i kësaj gote, që po ia hoqe fundin nuk mban më, sepse në këtë shenjim me taksa bazohet i tërë sistemi i identifikimit të të ardhurave fiskale me bizneset e tjera. Historia është e tillë, të ardhurat e tija janë të pakta por dëmi me informalitet është i jashtëzakonshëm nëse lejohet një gjë e tillë. Sot ne morëm një vendim, që kushton shumë me tepër për buxhetin sesa kjo që thuhet, heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë, ju garantoj se kjo për buxhetin do të thotë tre herë më pak se e gjithë taksa e biznesit të vogël, si shumë tre herë më shumë humbje sesa të mos kishte fare biznesi i vogël taksë, por është marrë për një qëllim të madh, është marrë në mënyrë që të nxisim punësimin, në mënyrë që të inkurajojmë sipërmarrjet, të inkurajojmë ndërmarrjet prodhuese, instalim në ndërmarrjet prodhuese. Zoti Rama duke e ndier veten mëkatar të pakorrigjueshëm me ato që bëri ndaj tij, tani mendon se do e mashtrojë, por kjo është jashtë çdo lloj mendimi dhe i them më mirë mos e vazhdo sepse unë ju qëndroj gjërave direket, por e vërteta është se mund të merren ca masa, të cilat mund ti kushtojnë më shumë PS aty ku është në qeveri. Le të pyesë pak Vangjushin (Vangjush Dakon), pse se heq atë taksë, të pyesë Shpëtim Gjikën, pse nuk e merr këtë iniciativë ai tani, dhe le të dalin dhe t’ju bëjnë thirrje ata biznesit të vogël, mos paguani asnjë taksë. A mund ta pyesni pak z. Rama për këtë? Pse nuk sjellin ndonjë amendament kryetarët e bashkive të mëdha socialiste, Elbasani, Korça, Vlora, në parlament për ta hequr atë taksë? Le ta bien? Ky është spekulim vulgar, e bën vetëm një njeri, i cili nuk ka asnjë koncept për sistemin fiskal.

Z.Kryeministwr, ju thoni se koalicioni me LSI-në funksionon, a jeni ju të shqetësuar nga takimi i fundit mes z .Rama dhe z. Meta në Bruksel dhe a mendoni se PD mund t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme edhe pa LSI-në siç ka deklaruar znj .Topalli?

Përsa i përket shqetësimit për takim, në mënyrë absolute as edhe një shqetësim. Kur e ka lypur nevoja jam takuar edhe unë me z. Rama. Së dyti Partia Demokratike në zgjedhjet e kaluara doli koalicion kryesor dhe bëri koalicion me LSI-në me një vendim të saj, gjykoj unë plotësisht të moralshme në sensin që nuk u josh nga ofertat e dhjetëra milion euro të bëra nga z.Rama, por i tha atij se në kodin ligjor dhe moral të vendit, koalicioni duhet bërë me koalicionin më të madh të vendit dhe ky ishte koalicioni i Partisë Demokratike. Cili do të jetë vendimi i z.Meta apo i Partisë Demokratike, PD mbetet e hapur plotësisht për aleancë me LSI-në dhe siç e dini PD-ja është parti aleancash. Theksoj këtu  se, kjo është periudha e artë e saj në polle dhe kjo është e vërteta, çka nuk më bën mua që të tregohem i pavëmendshme dhe i pa interesuar për aleanca sa më të gjëra, sikundër në mënyrë absolute, do të bëj të gjitha përpjekjet e ligjshme që në zgjedhjet e ardhmes kjo parti të dalë kryesore dhe fitimtare dhe dua të them këtu se po të isha në vend të z. Meta siç është normale, çdo kryetar partie, ai sot në koalicion ndjek interesin e qeverisjes së vendit, nesër ne zgjedhje ai, unë dhe që të gjithë ndjekin interesat e partisë së vet. Në rast se do mendohej ndryshe ai nuk do të mund të konsideroj kryetar i një partie politike, këto janë rregulla shumë të thjeshta ndaj dhe unë këtu shoh ecuri dhe procese shumë normale. Në rast se koalicioni ynë në zgjedhjet e 2009 do të kishte jo katër deputet më shumë por katër deputet më pak se koalicioni i Edi Ramës, gjëja më e moralshme do të ishte që z.Meta të bënte koalicion me z.Rama, sepse vendi merrte një shumicë më të qëndrueshme, kurse persa ju përket takimeve nuk kam asgjë, është një normale një standard. Unë jam takuar vete me të dhe e takoj prapë, sa herë që të ketë probleme. Gjithsesi, aleanca PD-LSI, funksionon normalisht dhe mendoj se kjo aleancë ka patur arritje historike gjatë mandatit të saj dhe ky është komenti im për të.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›