E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ftesa për në NATO, motivim për të proceduar me reforma më të thella

Kryeministri Sali Berisha deklaroi të hënën gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Integrimin në NATO, se ftesa për anëtarësim në NATO ka shumëfishuar përgjegjësitë e qeverisë dhe të vendit për të proceduar me reforma edhe më të thella dhe për të konsoliduar arritjet e reformave të deritanishme. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha vlerësoi se këto reforma kanë patur rezultate të qarta dhe të rëndësishme në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër korrupsionit, në fushën e respektimit të rregullave të tregut dhe krijimit të një klime të favorshme për tregun, si dhe në fushën e Forcave të Armatosura. Kreu i qeverisë vlerësoi se një rëndësi shumë të madhe ka reforma kushtetuese dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor, që vendosi në një bazë ligjore të re procesin themelor të demokracisë, që janë zgjedhjet e lira, me të cilën ne ndahemi nga Dushku, fenomen damkosës për procesin zgjedhor në Shqipëri. “Krahas kësaj, Kushtetuta pësoi një seri ndryshimesh të tjera pozitive, të cilat shmangin krizat e panevojshme në vend dhe thellojnë karakterin parlamentar të Republikës së Shqipërisë. Këto reforma shume të rëndësishme po shoqërohen dhe nga një grup tjetër reformash teknike të cilat bëjnë të mundur një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, siç është regjistri dixhital i gjendjes civile, proces që po ecën me shpejtësi dhe siguri të plotë”- tha kryeministri Berisha. Duke u ndalur te reforma e sistemit gjyqësor, Berisha u shpreh se një seri
ligjesh janë gati dhe opozita ka shprehur vullnetin për t'i shqyrtuar ato. Duke u ndalur te reforma në FA, kreu i qeverisë vuri në dukje se në vitin 2010 ne do të kalojmë në ushtri profesionale. Gjithashtu sipas tij, rëndësi shumë të madhe ka lufta kundër trafiqeve, ku edhe pse qeveria ka bërë shumë, ka ende hapësira të mëdha për të bërë edhe më shumë. Për sa i përket fushës së sigurisë, kreu i qeverisë u shpreh se reformës do t'i nënshtrohen të gjitha institucionet e fushës së sigurisë dhe kjo synon në radhë të parë një mirëkoordinim dhe bashkërendim të punës së tyre, rritje të efiçencës, zhvillim të kapaciteteve dhe përcaktimit më të qartë të përparësive. “Komiteti i politikave të sigurisë është mbledhur dhe ka përcaktuar disa detyra. Agjencitë do të bëjnë sugjerimet dhe problemet e sigurisë do të jenë të parat, pasi NATO është para së gjithash Aleancë
e Sigurisë”- u shpreh në përfundim, kryeministri Sali Berisha.
Po dje Qendra e Studimeve Albanologjike organizoi në Hotel “Tirana International” konferencën shkencore me temë “Shqipëria në NATO”, një konferencë ku referuesit bënë një analizë të plotë në rrafshin historiko-politik të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe NATO-s, parë kjo që nga koha e krijimit të Aleancës dhe deri në ditët tona, me marrjen e ftesës për anëtarësim. Duke marrë fjalën në këtë konferencë, Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Genc Pollo, u shpreh se organizimi i këtij debati shkencor ishte reagimi i duhur, pasi pavarësisht se konsensusi politik dhe mbështetja mbarë popullore për këtë proces ka qenë e veçantë për Shqipërinë, thellimi në domethënien historike të kësaj ngjarjeje ishte diçka e domosdoshme. Në këtë drejtim, Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, u ndal në vlerat dhe përfitimet që ofron NATO për Shqipërinë dhe anasjelltas. “Për NATO-n, Shqipëria është padyshim Sazani dhe Karaburuni, pasi asnjë nuk mund të ngjitet nga jugu në Adriatik dhe askush nuk mund të zbresë nga veriu në Jon pa sfiduar Sazanin dhe Karaburunin. Është Egnatia moderne Korridori 8, linja ekspres që lidh perëndimin me Stambollin, është segmenti strategjik i autostradës së bregdetit që nxjerr popujt gjermanikë në Mesdhe, si dhe është kontrolli i një territori të lakmuar nga kontrabanda lindore dhe terrorizmi islamik”- tha Marashi, duke vënë në dukje disa nga përfitimet e NATO-s, pas anëtarësimit të vendit tonë. Sipas tij, "Shqipëria për NATO-n është 'tapa e fuçisë së barutit ballkanik', pasi zgjedhja politike e çështjes shqiptare riekuilibron forcat në mënyrë të natyrshme dhe stabilizon përfundimisht gadishullin problematik. Duke renditur përfitimet e Shqipërisë nga anëtarësimi në NATO, zoti Marashi vuri në dukje se për vendin tonë NATO është padyshim garancia e integritetit territorial. “Me NATO-n fatet e territorit shqiptar lidhen pazgjidhshmërisht me fatet e kontinentit amë. NATO është për Shqipërinë çlirimi nga qindra e mijëra bunkerë, nga qindra e mijëra ton armatim të skaduar, si dhe janë miliarda lekë të kursyera nga shpenzimet për mbrojtjen, të cilat konvertohen në shërbime sociale. Me inkuadrimin në NATO, Shqipëria ka zgjidhur më në fund një nga çështjet më të vështira në historinë e vet, pasi duke qenë një partneritet shtetesh të lira dhe sovrane, NATO përbën hapësirën e vetme në të cilën Shqipëria gjen më në fund aleatin e natyrshëm”- përfundoi ai.Ndërsa historiani Beqir Meta, duke referuar mbi temën “NATO dhe Shqipëria, episode të Luftës së Ftohtë”, bëri një analizë të hollësishme që nga koha e krijimit të NATO-s, periudhë në të cilën Shqipëria u vendos në anën tjetër të barrikadës dhe ishte e kuptueshme që marrëdhëniet e saj me NATO-n ishin armiqësore. “NATO u krijua në momentet e para dhe dramatike të fillimit të Luftës së Ftohtë, si një instrument politiko-ushtarak i bashkimit të demokracive në betejën për të mbrojtur vetëveten dhe njerëzimin nga ekspasioni komunist”- deklaroi Meta, duke kërkuar në këtë drejtim, që historianët të bëjnë një analizë pa emocione, pa ideologjizma dhe të bazuar në dokumente, duke analizuar qëndrimet, konceptet dhe politikat e NATO-s dhe shteteve anëtare të saj, kundrejt pavarësisë dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Duke u ndalur te marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe NATO-s, zoti Meta vuri në dukje se “NATO
e vlerësoi parimisht ruajtjen dhe mbështetjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë, sepse fuqitë perëndimore kishin një bindje të qartë se popullit shqiptar në të ardhmen i duhej krijuar mundësia që të shfaqte vullnetin e vet dhe orientimin e vet properëndimor, si dhe të krijonte një regjim demokratik, i cili të ishte i orientuar nga perëndimi dhe demokracia".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›