E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Fushata elektorale të bazohet tek qytetari

Kryeministri Berisha ka deklaruar se fushata e zgjedhjeve lokale të 8 majit do të jetë për qytetarin dhe për problematikat që has ai.

Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha u kërkoi deputetëve që fushata zgjedhore të përqëndrohet tek qytetari dhe ky mesazh të përcillet edhe në strukturat e Partisë Demokratike në të gjithë vendin.
 

“Kjo është politika që duhet të bëjmë në këtë fushatë elektorale. Të japim mesazhin tonë, përqëndrimi ynë, projekti ynë ka në qendër qytetarin, familjen, komunitetin dhe problematikën e tij” theksoi Berisha duke shtuar se është e domosdoshme në këto zgjedhje të bëhet realitet projekti vendimtar i Shqipërisë një vend i zhvilluar.

Ai gjithashtu i bëri thirrje kreut të PS-së Edi Rama të zbatojë ligjet dhe proceduarat konsensuale që janë miratuar në Parlament duke shtuar se zgjedhjet lokale do të jenë një provë e qëndrimit ndaj lirisë të forcave politike shqiptare.

Gjithashtu kryeministri Berisha bëri me dije se se shumë shpejt do të hapet tenderi për rrugën Lushnjë-Berat dhe by pass-in e Shkodrës.

“Sot kam kënaqësinë të informojë qytetarët se Ministria e Punëve Publike ka marrë porosi për hapjen e tenderit për rrugën Lushnjë Berat dhe të by pass-in e Shkodrës”, tha Berisha duke shtuar se në datën 3 u shpall fituese kompania që do të ndërtojë Tunelin e Krrabës, në 18 muaj.

Ndërkohë që për by pass-in e Shkodrës Berisha u shpreh se është i domosdoshëm, pasi shërben si një digë për përmbytjet.

“E nisur si një autostradë sot ajo kthehet dhe është konceptuar një vepër shpëtimi për Shkodrën nga përmbytjet. Kemi përshtatur projektin fillestar dhe e kemi shndërruar atë në një digë të vërtetë” theksoi Berisha duke shtuar se këto investime janë bërë për të shmangur përmbytjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›