E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gabimet që bëmë me Ramën në fushatën e 2007-ës

Kryeministri Berisha paralajmëroi mbrëmë se Edi Rama nuk do të pranojë rezultatin në rast se humb. Berisha i cilësoi të padenja akuzat ndaj Lulëzim Bashës, ndërkohë që theksoi se do të anulojë disa nga vendimet për qytetet që janë marrë nga KRTRSH

TIRANË Kryeministri Sali Berisha ka pranuar dje për herë të parë se në fushatat e kaluara lokale për Tiranën, Partia Demokratike ka bërë gabime serioze. Megjithatë, Berisha iu referua vetëm vitit 2007, ku ai u shpreh se një prej gabimeve që ndërmori Partia Demokratike ishte sulmi personal ndaj Edi Ramës. “...Unë i kam në kujtesë të gjitha fushatat dhe të gjitha elementet e tyre. Në fushatën e vitit 2007 janë bërë gabime serioze. Pa diskutim, gabime që nuk mund të përsëriten më. Për shembull ishte gabim marrja me problemin personal të kryetarit të Partisë Socialiste. Ky është vetëm një shembull, por mund të them se fushata e vitit 2007 u karakterizua nga disa gabime. Megjithatë, ne në vitin 2007 sërish dolëm forcë kryesore politike në vend. Absolute, ligji më themelor i shoqërisë është se vota është e barabartë. Zgjedhjet i fituam dhe Shqipëria blu ishte e vërtetë”, - tha Berisha. Duke iu referuar fushatës së tanishme, Kryeministri theksoi se mazhoranca në zgjedhjet e 8 Majit do të ketë fitore të thellë. “Sondazhi më i mirë dhe i madh për mua janë sytë e qytetarëve shqiptarë dhe asaj çka unë shoh kudo. Shoh një vendosmëri për të votuar mazhorancën dhe alternativën për qytetarin. Kjo aleancë është aleanca më e fuqishme që ka dalë ndonjëherë përpara shqiptarëve”, tha Berisha. Kryeministri ka deklaruar gjithashtu se modeli Basha është më i miri dhe se premtimet e tij janë reale për Tiranën. “Basha ka pasur një zë të pavarur, ai ka një platformë që buron nga zemra. Basha do të vlerësohet për raportin me qytetarin”, tha ai. Akuzat e drejtuara ndaj Bashës, përfshi edhe ato për shit-blerjen e apartamentit në Holandë, Berisha i ka cilësuar pjesë e një fushatë të padenjë, duke e paralelizuar këtë situatë me mbresat që atij i ka lënë drama ”Shtrigat e Salemit” e Arthur Millerit, e vënë në skenën e Teatrit Kombëtar. Kryeministri këmbënguli se nuk ka asnjë bazë në akuzat ndaj Bashës. Duke folur për fushatën që Basha po ndjek në Tiranë, Berisha vlerësoi edhe aktivitetin e organizuar nga grupimi “Iniciativa për Tiranën”. Për kryeministrin Berisha kjo iniciativë ka qenë më interesantja në karrierën e tij politike 20-vjeçare. Berisha veçoi kohezionin e këtyre intelektualëve dhe interesin e tyre vetëm për qytetarin dhe qytetin.

“Shumë të veçantë konsideroj kohezionin e tyre, se ata janë njerëz të spektreve të ndryshme, si spektër pikëpamjesh, ata janë nga e majta tek e djathta, nga ish- ministra të qeverive socialiste, tek ish-të burgosur politikë, intelektualë, pra me një fjalë aty ka një gjë, ka atë që kohezioni i tyre në diversitet, ka si plazmë interesin e qytetit, këtë ka. Ata kanë shprehur interesin e qytetit dhe të qytetarit. Mendoj se kjo ka qenë një ndihmë e madhe për programin e Lulëzim Bashës...”, tha Berisha. Kryeministri u pyet gjithashtu mbrëmë nëse i njihte Ramës ndonjë meritë në drejtimin e tij 11-vjeçar për Bashkinë e Tiranës. “Ka rikthyer Lanën..., janë zgjeruar tre akset kryesore dhe kjo është bërë mirë, janë bojatisur pallatet dhe është punuar me fasadat”,- tha Berisha. Ndërkohë, ai theksoi se qeverisja qendrore nuk ka qenë pengesë për asnjë projekt të Bashkisë së Tiranës. “Qeveria qendrore do të kishte përgjegjësi nëse nuk do të kishte trefishuar grantet për Tiranën...Nëse kryetari i Bashkisë do të kishte marrë mundimin që financat e bashkisë t’i bënte funksionale, Tirana mund të merrte kredi nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, pa pyetur qeverinë, qindra e qindra milion euro”, - shtoi Berisha. Kryeministri tha se nuk ka munguar vullneti nga qeveria qendrore për të bashkëpunuar me Edi Ramën si kryetar i Bashkisë. “Por Rama nuk ka nuk pranuar negocime, sepse Rama ka rritur tri herë numrin e punonjësve të bashkisë, ne shto fondin, ai shto numrin e punonjësve”,- tha ai. Berisha citoi se kryetari i PS-së, Edi Rama, ka organizuar plot 1753 protesta nëpër Shqipëri, duke shtuar se, për pasojë, Ramës nuk mund t’i dilte koha që të merrej edhe me qytetarin. “Kam dashur shumë të bashkëpunoj me të. Kush e pengoi Ramën për të ngritur Tramvajin? Asnjë. Kush e pengoi Ramën për të hapur kinematë...?”, tha Berisha. Kryeministri shtoi gjithashtu se në interes të qytetit, do të anulojë disa nga vendimet e mëdha për qytetet që i ka miratuar vetë në KRTRSH. I pyetur për ditën pas zgjedhjeve, Berisha tha se do të njohë çdo rezultat të certifikuar nga arbitri ndërkombëtar. Të njëjtën gjë ai nuk e tha për Ramën, madje disa herë theksoi se “Rama ka faktuar se nuk njeh votë tjetër, përveç asaj që është në favor të tij”. Berisha parashikoi se, në rast humbjeje, Rama nuk do ta ketë të lehtë edhe brenda PS-së. “Që tani ka filluar gara brenda PS-së”- tha Berisha. Edhe në lidhje me efektet e rezultatit të 8 Majit, nëse ai do të jetë negativ për PD-në, Berisha tha se “sido që të jetë rezultati, këto janë zgjedhje lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme në vend do të mbahen vetëm në javën e fundit të qershorit 2013”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›