Plagosen dy të rinjtë, autorët në kërkim
POGRADEC Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një sherri mes të rinjve në qytetin e Pogradecit. Ngjarja është regjistruar orët e vona të natës së djeshme në një lokal në lagjen Nr.1 në këtë qytet. Burime të policisë konfirmojnë plagosjen e dy personave, 32-vjeçarit Rigels Calla dhe 34-vjeçarit Lorenc Marko. Sërish sipas policisë, ngjarja ka ardhur pas një sherri për motive të dobëta mes 5 të rinjve, e cila ka degjeneruar në goditjen me armë zjarri në pjesën e shpatullës ndaj Callës dhe goditjen me mjete të forta në kokë ndaj 34- vjeçarit Marko. Të dy të plagosurit tashmë janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë uniformat blu janë vënë në kërkim të tre autorëve të ngjarjes, të cilët rezultojnë me precedentë penale. Bëhet fjalë për Brian Syzon si dhe vëllezërit Bledar e Nardi Berberi. Policia mësohet se ka gjetur në vendngjarje gëzhojat e tre lloj armësh zjarri të ndryshme, që vërtetojnë se tre të rinjtë në kërkim kanë qenë të armatosur.