E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi rrëzon dekretin e Presidentit Topi për akcizat

SHKRUAN: Sabina Veizaj 26-04-2011 13:27

Deputetët e maxhorancës, me 73 vota pro, kanë rrëzuar dekretin nr. 6975, datë 12.4.2011 të Presidentit të Republikës “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit nr. 10.404, datë 24.3.2011 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”.

Ashtu siç kishin paralajmëruar, financat e dërguan në Kuvend ligjin e kthyer të Presidentit, pa asnjë ndryshim, për arsye se argumentet e Presidentit për mosdekretimin e tij nuk ishin të qarta, bindëse dhe shteruese. Ndërsa gjatë seancës së shkurtër plenare, e cila mendohet të jetë seanca e fundit përpara zgjedhjeve vendore të 8 majit, kreu i Komisionit Kuvendor të Ekonomisë, Edmond Spaho, argumentoi se ligji jo vetëm përmbush çdo kërkesë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe nuk diskriminon prodhimin vendas, por ka qenë vetë Presidenti Bamir Topi, i cili, pak kohë më parë, ka dekretuar pa asnjë kundërshtim ligjin për dhënien me koncension të pullave fiskale. Në këtë mënyrë, ligji për akcizat u rikthye në Kuvend pa asnjë ndryshim. Ministria e Financave e dërgoi ligjin në fjalë për rivotim, duke mos e ndryshuar projektin e taksimit të mallrave me akcizë dhe pikërisht ato që do të mbartin pulla fiskale. Sipas deputetëve të maxhorancës, ligji për akcizat ka pasur si qëllim kryesor decentralizimin e sistemit të pullave fiskale nga shteti në koncensionar privat dhe tashmë kontrata është kryer. Projektligji në fjalë, që është miratuar vetëm me votat e maxhorancës dhe po ashtu votat e maxhorancës kthyen edhe dekretin e Presidentit, parashikon që të pajisen me pulla fiskale, pijet alkoolike, vera, rakia, produktet e duhanit, birra e importuar dhe e prodhuar në vend, ndërsa për birrën për të cilën aktualisht nuk është përdorur pullë akcize, megjithëse është mall subjekt i akcizës, në bazë të kontratës së koncensionit, do të përdoret një shenjues direkt që quhet ‘Kodi i sigurisë’. Në këtë mënyrë, po ndërrohet sistemi, nga i centralizuar në duart e shtetit në një koncensionar. Ndërkohë që me ligjin e mëparshëm të akcizave, 1 herë në katër vjet bëhej rakordimi për pullat fiskale, pasi ishte i pamundur kontrolli i tyre. Ndryshimi thelbësor që i është bërë ligjit konsiston në mënyrën e depozitimit, nga koncensionari tek importuesi jashtë kufijve. Ndërsa Kreu i Shtetit, Bamir Topi ia ktheu Kuvendit për rishqyrtim këtë ligj, duke mos e dekretuar me argumentin se ndryshimi i bërë për nenin 24 të ligjit ekzistues, bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së sepse sipas tij, neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, ndër të tjera parashikon se ‘që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë’. Presidenti sqaroi se në vetvete, ky ligj ndryshon tarifat e përcaktuara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, marrëveshje e cila në hierarkinë e normave ligjore vjen pas Kushtetutës. Në të njëjtën kohë, sipas tij, vendosja e këtij rregullimi të ri ligjor, prish parimin e një sistemi ekonomik të bazuar në ekonominë e tregut, sanksionuar kjo dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe passjellë një trajtim diskriminues për prodhuesit vendas. Në gjykimin e Presidentit Topi, ndryshimet e shpejta në ligjin për akcizat e paraqitur për shpallje, vijnë si pasojë e hyrjes në fuqi të kontratës së koncesionit, për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, kontratë e cila kërkon implementimin e disa ndryshimeve të kuadrit ligjor ekzistues, brenda një afati shumë të shkurtër kohor, përfshirë këtu edhe ligjin për akcizat.

Ministria e Financave e dërgoi ligjin në fjalë për rivotim, duke mos e ndryshuar projektin e taksimit të mallrave me akcizë dhe pikërisht ato që do të mbartin pulla fiskale. Sipas deputetëve të maxhorancës, ligji për akcizat ka pasur si qëllim kryesor decentralizimin e sistemit të pullave fiskale nga shteti në koncensionar privat dhe tashmë kontrata është kryer

Ligji,Ja si do të procedohet me pullat fiskale

Pullat e reja fiskale do të zbatohen për të gjitha produktet e duhanit, produktet e fermentuara dhe distiluara të alkoolit, dhe birrës me destinacion tregun vendas, të importuara apo prodhuara në vend, si dhe për produktet farmaceutike

Sipas ligjit për akcizat, të mbetur në fuqi pasi maxhoranca rrëzoi dekretin e Presidentit, koncensionarja Scipa do të prodhojë pulla fiskale, me qëllim sigurinë e lartë të mallrave që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria. Sipas ligjit, që do të hyjë në fuqi, pullat fiskale tani do të prodhohen me elementë të lartë të sigurisë, për t’i mbrojtur nga falsifikimi. Ministria e Financave ka nënshkruar për dhjetë vjet me koncesion shërbimin e prodhimit dhe ngritjes së sistemit të kontrollit të pullave fiskale. Për këtë, financat kanë zhvilluar procedurën konkurruese për dhënien me koncesion “të prodhimit dhe ngritjes të sistemit të kontrollit të pullave fiskale”, nga e cila u përzgjodh kompania Sicpa. Koncesioni i është dhënë kompanisë në fjalë, për një periudhë 10-vjeçare. Vlera totale e investimit është 10 milionë euro dhe tarifa e koncesionit është 2 % e totalit të të ardhurave nga shitja e pullave”. Pullat e reja fiskale do të zbatohen për të gjitha produktet e duhanit, produktet e fermentuara dhe distiluara të alkoolit, dhe birrës me destinacion tregun vendas, të importuara apo prodhuara në vend, si dhe për produktet farmaceutike. Propozimi i ofruar do të shërbejë për të monitoruar prodhimin, importin dhe shpërndarjen e produkteve të akcizës përmes përdorimit të një sistemi inteligjent dhe të sigurt pullash dhe shënjimi që mban një kod unik të sigurisë së lartë. Periudha e implementimit është 5 muaj nga marrja e lejeve, autorizimeve apo licencave të nevojshme për fillimin e punimeve. E reja e kalimit të këtij shërbimi me koncesion qëndron te zbatimi i sistemit Sicpatrace (Secure Track & Trace Solutions), i cili parashikon zbatimin e një sërë masash sigurie për prodhimin e pullave fiskale, regjistrimin e tyre në kohë reale në sistemin qendror, si dhe gjurmimin e tyre në treg nëpërmjet pajisjeve portabël të skanimit. Pullat fiskale do të përmbajnë katër elemente sigurie, për të eliminuar falsifikimet e mundshme të tyre, duke filluar që nga aplikimi i një boje irideshente (boje unike, e cila do prodhohet nga Kompania vetëm për Shqipërinë) e deri te vendosja e një kodi unik të padukshëm. Sipas specialistëve të angazhuar në këtë proces, funksionimi i kësaj skeme do të përmirësojë situatën aktuale, duke minimizuar qarkullimin e pullave fallco. Pullat do të kenë një çmim 14.43 euro/mijë copë, pas një negociate të Ministrisë së Financave me kompaninë, e cila aplikoi një ulje çmimi prej 31% nga vlera fillestare nga 21.00 euro/mijë copë që ishte më parë. Prodhimi dhe stampimi i pullave fiskale dhe atyre të barnave mjekësore është parashikuar të kryhet në Shqipëri, tek ish-Tipografia, në të njëjtin territor ku bëhet dhe personalizimi i pasaportave dhe kartave të identitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›